gegnisht - gjuhësi
Jorgo Bulo: “Në to sintezat teorike që ka bërë Partia dhe shoku Enver për probleme të ndryshme të zhvillimit artistik bashkëkohor, janë vështruar lidhur ngushtë me proceset e gjalla të zhvillimit të letërsisë sonë, me detyrat që u dalin në këtë fazë letërsisë, arteve dhe kulturës sonë socialiste…”
Në nji intervistë në shtypin e përditshëm, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë Jorgo Bulo paraqitet me nji titull që mund të jetë edhe i redaksisë, por që gjithsesi e përfaqëson mendimin e tij: “Politika po vë në diktat shkencën”. Pa dashtë me e mbrojtë politikën, që e ka si prirje të zakonshme me kontrollue e me drejtue dhe nëse e marrim si të mirëqenë konstatimin e Bulos se politika e sotme po e ven në diktat shkencën shqiptare, kur lexon se kush e thotë këte (dhe si e thotë), duhet me mendue “shyqyr o Zot që politika po ja heq shkencën njerëzve si ai, ma në fund”.
Jorgo Bulo asht njeriu i gabuem me folë. Bile, njeri i gabuem në vetvete. Atij nuk i takon me folë kështu për politikën, që i ka dhanë shum, aq shum sa ai s’guxon me folë për disa gjana që ja ka dhanë politika. Ky asht njeriu që shkruente për politikën (por normalisht që me mendjen e tij po bante “shkencë”):
“…E gjithë puna e gjerë dhe e shumanshme për t’i dhënë jetë të re kulturës përparimtare të së kaluarës, për ta bërë atë pronë të masave e për ta vënë në shërbim të luftës për ndërtimin e shoqërisë e të kulturës socialiste është udhëhequr nga mendimi marksist-leninist i Partisë sonë në këtë fushë. Ky mendim ka gjetur një shprehje të sintetizuar në vëllimin e shokut Enver Hoxha “Mbi letërsinë dhe artin”. Të marra në tërësinë e tyre, idetë e shokut Enver për problemet e letërsisë dhe të artit formojnë një sistem koherent pikëpamjesh për këto fusha të rëndësishme të veprimtarisë shpirtërore të shoqërisë…” [Jorgo Bulo, Gazeta Drita 1978, nr. 9, f. 3]
Nëse Jorgo Bulos nuk i pëlqen t’i shpalosen këto mendime të vyera, i duhet kujtue se ai asht “formue” si “shkencëtar” pikërisht në kohën kur i ka shkrue këto fjalë. Nuk asht Buloja prej atyne që u vjen dijenia prej nalt. Ai dijeninë e ka marrë nga “mendimi marksist-leninist i Partisë”. Dhe meqë Partinë e drejtonte nji diktator si Enver Hoxha, sigurisht që “shkencëtari” Bulo atë do të lavdonte. Dhe jo vetëm ta lavdonte vetë diktatorin, por edhe shkrimtarët e oborrit që shkruenin vepra të posaçme për Hoxhën, si Ismail Kadareja:
“…Në qoftë se figura e udhëheqësit të Partisë, në romanin “Dimri i madh”, ka dalë me aq vërtetësi, e gjallë dhe njerëzore, kjo ka ardhur nga mjeshtëria me të cilën e ka individualizuar autori përmes imtësive shprehëse që i japin forcë artistike dhe e bëjnë sa madhështore aq edhe të besueshme. Për I. Kadarenë është karakteristik kompozicioni i goditur i figurës përmes përdorimit të mjeteve të larmishme të ligjërimit artistik, forca e detajit psikologjik, ekspresiviteti i imtësive dhe thellësia e forca e përgjithësimit…” [Jorgo Bulo, Gazeta Drita 1983, nr. 28, f. 11]
Por sot Jorgo Bulo thotë se politika po ven diktatin mbi shkencën, dhe un e falenderoj nga zemra. Kjo tregon se të paktën për 17 vjet s’paskemi pasë diktat, paskemi qenë të lirë, dhe tashti që politika po vendos ta shtrijë diktatin e saj edhe mbi shkencën, po fillon etapa e diktatit. Ai nënkupton edhe se kur i ka shkrue gjanat ma përpara “diktatit”, paska qenë i lirë, paska shkrue me vetëdije dhe me bindje të plotë. Të këtij mendimi janë edhe ata që kanë shkrue për “veprat” e J. Bulos, si Muzafer Xhaxhiu, i cili shprehet:
“I udhëhequr nga parimi metodologjik për një vlerësim kritik të trashëgimisë letrare të së kaluarës, i shprehur sidomos në fjalën e 7 Marsit të vitit 1968 të shokut Enver, studiuesi J. Bulo, duke marrë në analizë problemet e letërsisë… Në analizën e problemeve dhe të dukurive të procesit të zhvillimit të letërsisë së sotme, autori i përmbahet idesë bazë se forca e realizmit socialist kur u shfaq në zhvillimin e letërsisë, ishte, në radhë të parë, përgatitja e brendisë së saj, çka përcaktoi edhe kërkimet e reja në fushën e formave të përgjithësimit artistik, që çuan në rritjen e përgjithshme cilësore të letërsisë sonë. Tipar tjetër pozitiv i shkrimeve të pjesës së dytë është përpjekja për të vënë në dukje, përmes veprave, rolin historik të revolucionit tonë popullor, të udhëhequr nga Partia, në edukimin dhe formimin e botëkuptimit revolucionar të njerëzve… Autori niset nga parimi estetik marksist, që u ritheksua edhe në plenumin e fundit…” [Muzafer Xhaxhiu, Gazeta Drita 1982, nr. 21, f. 5]
Pra, ky Jorgo Buloja paska qenë “shkencëtar” i orëve të para. Sot, ai nuk pajtohet me reformën që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në këtë farë shkence, e veçanërisht në këtë farë gjuhësie shqiptare. “…reforma… duhet të jetë një reformë ndërtuese që të sigurojë zhvillimin dhe jo të shkatërrojë një sistem, një traditë…”, shprehet ai n’intervistë, por nuk e ka kuptue se bash kjo asht ajo çka kërkohet. Kërkohet, dhe duhet arritë, shkatërrimi i këtij sistemi dhe e kësaj tradite që përfaqësohet nga Jorgo Bulo me shokët e kompanisë së vet, që jo vetëm e kanë ba lamsh gjuhësinë shqiptare, por duen që edhe tashti ta bajnë edhe ma lamsh, sepse njerzit e formuem si ai thjesht nuk dinë me jetue e me veprue në nji mjedis pluralist. Tipi i tij vetëm sa ja ban qejfin vetes se ka ba “sistem” apo “traditë”; ajo çka përfaqëson ai dhe shokët e kompanisë së tij asht bira e zezë e sistemit dhe traditës shqiptare. Dikujt mund t’i duken fjalë e konstatime të randa këto, por nuk janë ashtu. Këta njerëz nuk kanë asnji vlerë, asnji. Janë të krijuem në nji sistem diktatorial, ja ka dhanë titujt nji sistem diktatorial, dhe kanë formim dikatorial. Kanë rrënue kulturën shqiptare, kanë spiunue e masakrue nji pjesë të madhe të shoqnisë dhe tashti nuk u kushton asgja ta vazhdojnë rrënimin për me mbetë prap “në krye të shkencës”. Nuk mundet me qenë i aftë sot nji njeri që ka shkrue paragrafin e maposhtëm:
“…Vitet që përfshijnë shkrimet e kësaj përmbledhjeje, kanë qënë për letërsinë tonë periudhë e pasurimit të saj të mëtejshëm, e përpjekjeve të forcave krijuese për të vënë në jetë idetë dhe detyrat që shtruan përpara tyre Kongresi VII dhe VIII i Partisë, për të rritur nivelin dhe forcën ndikuese të veprave të artit në jetën e shoqërisë, për të thelluar frymën e partishme dhe karakterin kombëtar, për të mbrojtur dhe zhvilluar realizmin socialist… Teoria e realizmit socialist është zhvilluar, përpunuar e pasuruar në dokumentet e Partisë për letërsinë e artin dhe në veprat e shokut Enver Hoxha. Kontributit teorik të Partisë sonë në këtë fushë dhe rëndësisë së mendimit të saj për mbrojtjen e parimeve të realizmit socialist nga shtrembërimet e sotme borgjeze e revizioniste, u kushtohen disa artikuj e studime të kësaj përmbledhjeje. Në to sintezat teorike që ka bërë Partia dhe shoku Enver për probleme të ndryshme të zhvillimit artistik bashkëkohor, janë vështruar lidhur ngushtë me proceset e gjalla të zhvillimit të letërsisë sonë, me detyrat që u dalin në këtë fazë letërsisë, arteve dhe kulturës sonë socialiste…” [Jorgo Bulo, Gazeta Drita 1983, nr. 14, f. 5]
Dhe aq ma shum, nji njeri i tillë nuk mundet me na thanë se “shkenca dhe kërkimi shkencor duhet të jenë të pavarur”, sepse asht edhe mashtrues ordiner. Mashtron kur shprehet se “…Xhuvani, Çabej, Buda, Domi, Kostallari, Pollo etj. Ata kanë qenë autorë të veprave themelore për të njohur vlerat identitare të kombit, gjuhën, historinë, traditat dhe kulturën e popullit tonë…” Para këtyne ka pasë edhe të tjerë që jo vetëm s’po i përmendim, por as që ja vlen me u diskutue që para këtyne ka pasë njerëz të vyeshëm në gjuhësinë shqipe. Nëse Buloja e don shkencën dhe kërkimin shkencor të pavarun, t’i hyjnë ma thellë historisë së Shqipnisë, e cila për te fillon me komunizmin; ai duhet me folë në profesionin e vet edhe për gjana që s’i ka krijue Partia e tij, diktatori i tij, dhe mos me u kufizue në gjanat shterpe të krijueme në monizëm.
Arsyeja pse i përmend drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë vetëm këta emna asht sepse asht bashkëfajtor me ta në ndihmën që i kanë dhanë sistemit komunist. Krimi ma i madh që kanë ba Bulo me shokë, dhe që ka me i vizitue derisa të vdesin, asht krimi ndaj Gegnishtes. Jorgo Buloja mund ta quejë Androkli Kostallarin si nji nga zbuluesit e vlerave identitare të kombit, por ai mbetet kriminel gjuhësor. Buloja mund ta mbajë si as në mangë nji thanie të Çabejt se gjuha bahet për katër milion shqiptarë, por kjo nuk e përjashton aspak nga përgjegjësia. Iluzioni i Bulos e co. asht se këto gjana kanë me u harrue. Jo, kurrë s’kanë për t’u harrue sepse s’duhen harrue! Gjithë “sistemi” dhe “tradita” e Bulos janë nji mashtrim ordiner, pre e të cilit bien ditë për ditë nxanësit dhe studentat, tue mbetë të paditun në histori e gjuhësi të tynen.
Fatmirësisht, gjanat kanë ndërrue dhe kanë me vazhdue me ndrrue. Kapitulli i Bulos me shokë asht i mbyllun nji herë e mirë, pritet veç kapaku, që ka me ja vu jeta, natyra. Kështu që s’ka arsye m’i këshillue jorgot me shokë me i shtërngue bulonat në krye.
| Random Content | |