Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

gegnisht - gjuhësi

Politika gjuhësore e Tiranës, ajo që e vuni tosknishten për bazë, vazhdon me thanë: “kemi krye pune, s’kemi ma ç’flasim për bazën dialektore të standardit a zgjanimin e saj”. Pakkush edhe në Tiranë po e konteston këtë argument; e ku me guxue Kosova me e debatue mandej? Kosova guxon me e debatue veç sfiduesin kosovar t’argumentit, as atë shkodran jo. Por edhe gjuhësia shqiptare e sotme ku guxon me pohue se po ia mat shqipes, a qoftë veç standardit, prumjet e bjerrjet, orientimet e ndikimet, variacionet e diktueme prej shtresëzimesh, profilesh e situatash?

Po i mat tek-tuk ndonji gjuhëtar, që shpesh vlerësohet pa u lexue. Sot mbas 42 vjetësh ekzistimi të standardit – mbasi realisht duhemi me njehë prej Konsultës së vitit 1968 – i vetmi kut matës i prestigjit për cilëndo njisi gjuhësore asht vetë standardi: në kujtesën kolektive të shumicës së kosovarëve publikisht aktivë nuk mbahet mend kut tjetër. Janë pakdo zane, jo mjaft as autoritative, që mundohen me orientue drejt ndonji alternative ortografike, shpeshherë mbas modelesh vetjake me mjaft oscilime, e që rrjedhimisht edhe pak ithtarë tërheqin, tue gjenerue përmjet tyne veç oscilime shtesë.

Gazmend Bërlajolli


Sa nga letrarët, publicistët, e përgjithësisht shkruesit e Kosovës po diktojnë çfarëdo kahesh mendimi a gjuhei (përmbajtjeje e forme) jashtë Prishtinës? “Gabim e ki, po prodhojnë edhe mirë bile, tjetërsen qi kurrkush s’o tu i lexu”. S’asht tue i lexue? Epo, ‘tung e kie’ pra. Le ta bajnë veten me u lexue. Por, e vërteta asht se kosovarët sot veç huejnë fjalë, d.m.th. huejnë koncepte: Tirana po jep boll, po bereqat versën po ndihmojnë edhe Europa e Amerika. Italianizmat po depërtojnë nëpërmjet Tiranës, po edhe mjaft anglicizma të drejtpërdrejtë. Pak anglicizma po mbërrijnë nëpërmjet Tiranës, fort ma të rralla në përdorim e dendësi. I fusin moderatorë si Naim Abazi kur prezenton kangëtare ‘bige’, po edhe ndonji cucë që moderon programe rinore si ‘Ça ka ‘3?’ teksa dëfton se X.Y. e ka ndryshue prap ‘look’-un. Faktikisht, shembujt janë të dy me anglicizma t’ardhun nëpërmjet italishtes në Tiranë, tue u futë kështu, diçka edhe në Prishtinë.Do përpjekje me i shqipnue ojq-izmat si duket dhanë maksimumin e vet.

Pika orientuese për te prestigji gjuhësor për të rij aspirues kosovarë s’asht ma standardi i gatuem a-la kosovarçe, por ai që po servohet mediatikisht nga Tirana. Interesante deri ku ndiqet modeli i Tiranës: në ligjërime publike gatimi prestigjoz gjuhësor i Tiranës ma parë konsumohet prej çikash sesa prej djemsh, tue dhanë gjiniolekte ma të diferencueme, të paktën në këtë regjistër. Kjo sepse ka edhe mjaft njisi gjuhësore, përtej atyne gramatikore shenjuese të gjinive, që i dallojnë femnat nga mashkujt. Slangu asht pikë orientuese për nji pjesë të mirë të kreativitetit djaloshar, por që braktiset po nisi kërkimi mbas prestigjit politik, akademik, publicistik.

Ndërkohë kureshtarë tiranas që sosin në Prishtinë, zhyten në valën e fansave që shpejt nis e u duket e vogël, e që prandej e braktisin mbas pak vjetësh për m’u kthye në Tiranë, tue banue tashma shpesh n’adresën politike a mediatike të saj, në kërkim të nji vipizmi ma qendror; kjo mbasi ‘vipizmi’ asht tripi i kohës në rendjen për m'u ba yje. Tiranasi kureshtjeshuem kthehet në vendlindje ku debatet janë ma vibrante, ose ku “janë ma t’meçëm” qysh ky vrojtim kish me u etiketue në kosovarisht. Ajo që ndodh në të vërtetë asht se shqipnitarët ngjeshin ma shum informacione mbrenda të njejtës kohëzgjatje të ligjërimit, ritëm ky që brezat e rij kosovarë po mësohen me e kapë ani se jo krejt saktë, gjithqysh ma besnikisht sesa prindja e vet. U mor vesh, informatat e ngjeshta të shpejta jo patjetër janë të sakta/të vërteta, e randësishmja asht se shpejtsia e komunikimit t’informacionit me stil të ngjeshtë po përceptohet si zgjuetsi. Kjo sepse stili i ngjeshtë ekonomizon tue spastrue mjete të panevojshme.

Prandej, ndruejtjet e LShK-së janë krejt të pabaza: sulmet e sotme mbi prestigjin e standardit gjuhësor në Kosovë, po edhe ngjeti në veriun shqiptar, janë fazash embironale e pa gjasa serioze me u kthye në kanosje. Kanosja e vërtetë kish me ia rrëmbye vëmendjen edhe Tiranës, se kish me qenë ftesë për debat, jo për m’u strukë në nahijen vetjake, qysh shpesh asht. Mund të flenë dathë zotnijtë shkrimtarë. Kryerryma e prestigjit gjuhësor të Kosovës mbetet bindshëm standardi.

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval