Renditja e përdoruesit: / 1
DobëtMirë 

gegnisht - gjuhësi

Dikush m’livdoi që kam nisë me shkrue gegnisht n’bllog. Dikush m’shau. Unë i kam pritë te dyjat. Bile bile, kam pritë që kjo gegnishte e jemja e ndikueme për beter prej t’folnes t’Prishtinës n’njanën anë, e shqipes standarde n’anën tjetër, ka me nxitë edhe ma shum komente e reagime sesa vet përmbajtja e bllogut. E komentet që i kam marrë, kanë qenë treguesi ma i mirë i situatës t’keqe që e kemi, sa i përket përdorimit t’gjuhes n’bllogje.


Yll Rugova e ka çelë këtë temë para meje. N’bllogun e tij n’Zëri, t’titulluem 'Gjuha nëpër bllogje', Ylli shkruen: “Personalisht (për këtë tekst) e kom zgjedhë një miks të letrares me gjuhën që flitet në rrethin tim (të bukur dhe bujar). Por ky vendim imi nuk është definitiv dhe do të ndryshojë gjatë përndritjes sime me informatat shtesë mbi këtë çështje.”

Une muj me thanë se pajtohna me Yllin. Edhe une jam n’proces t’iluminimit sa i përket gjuhës që kam me e përdorë n’bllog. Tash du me i nda me ju disa hapa t’këtij iluminimi.

Nji mik i jemi prej Shkodre, Blendi Kraja, në portalin e tij gegnia.com, asht mundue me u përgjigjë n’pyetjen se pse duhet me shkrue gegnisht. Blendi, t’cilin e kam pikë referimi për gegnishten postmoderne, shkruen: “E pse jo? Me e përdorë gegnishten s'asht e ndalueme me ligj, nuk vret kend (punë e madhe se ja lëndon ndjenjat njerzve t'ri t'ish-komunizmit), mundesh me u shprehë lirisht për tana gjanat që të shkojnë n'mend.”

Dikush m’kish lavdue për gegnishten e shkrueme. Nji lexues prej Ulqinit kish shkrue se po na tingllon ma mirë n’vesh, që asht e vërtetë. Nji lexues tjetër, prej Elbasanit, e kish kërcënue gazetën Zëri se nëse une vazhdoj me shkrue gegnisht, ka me i ra shitja, se as ai, as farefisi i tij i gjanë, nuk kanë me e ble gazetën. E mue veç m’erdh mirë që Zëri po u shitka edhe n’Elbasan!

Ani pse jam n’proces t’iluminimit së qysh me shkrue përfundimisht n’bllog, nji gja e di sigurt: kam me e përdorë paskajoren. Nuk ka kush që m’shtin ‘për të shkruar’ përderisa une muj ‘me shkrue’. A m’ban përdorimi i paskajores gegë, anti-toskë ose edhe qysh m’quejti njani - antishqiptar? Apo veç m’ep mundësi me shkrue qysh une përnime mendoj? Une kisha me thanë që asht kjo e dyta. Ju vlerësoni vet.

Mos mendoni se asht lehtë me shkrue gegnisht! Sidomos për nji kosovar si puna jeme. Me nji anë, jam bir i dy gjuhtarve, që n’vakt t’vetin kanë qenë t’pasionuem me standardin. N’anën tjetër, jam rritë me nji ambient ku folet gjuha e Prishtinës, që pos ndikimit të gjuhëve sllave që përmban n’veti, asht nji miks i standardit edhe formave t’ndryshme t’gegnishtes.

Bahet edhe ma e vshtirë kjo punë kur vjen puna te disa fjalë t’shpeshta e delikate, t’cilat truni jem i shpërlam prej standardit, nuk din qysh me i shkrue. Konkretisht, e kam shum problem që fjalën ‘shum’ me e shkrue pa ë n’fund. Jam msue me shkrue ‘shumë’. E dyta, asht pa dyshim, fjala ‘asht’, t’cilën na n’Prishtinë e shqiptojmë si ‘osht’ kurse sipas stanardit e shkruejmë ‘është’. E treta, asht folja ‘me kenë’ që në standard asht qëzue tosknisht edhe asht ba ‘për të qenë”, e n’Prishtinë na thojmë ‘me kanë’. Tre shembuj që t’bajnë me e shtue habinë edhe dilemën për standardin e gegnishtes t’sotit. 

Mu te gegnia.com, Blendi merr guximin me e thanë edhe nji gja tjetër. N’pyetjen se a ka standard gegnishtja, ai shkruen se pikërisht ky asht standardi. Ky që po e lexoni pra. E kur e takova para nja dy jave, n’Prishtinë, e i lypa këshillë për referencë t’gegnishtes t’sotit, m’tha me e marrë për bazë nji gegnishte që asht përdor prej Gazmend e Armend Bërlajollit, n’projektin e tyne Rrokullia. Kta djemt e Rrokullisë ma kanë zgjidhë veç njanën prej ktyne tri dilemave – ate të foljes me qenë, që e shkruejnë sipas standardit, por tue e përdorë paskajoren.

Unë nuk jam gjuhtar, e as që due me qenë nojherë. Për dallim prej shumë tjerve, as nuk them që po propagandoj me u shkrue gegnishtja gjithkah. Nëse i lexoni shkrimet e mia, ato janë t’shkrueme në nji shqipe standarde, paksa t’kosovarizume. Njashtu janë edhe deklaratat e mia publike. Veçse bllogu asht nji gja tjetër. Këtu, du me vazhdue me shkrue kshtu, gegnisht qysh di une, deri sa t’bahet naj normë tjetër, gja për t’cilën as une, as Blendi Kraja, as Yll Rugova, nuk e besojmë që ka me ndodhë shum shpejt.

p.s. Ky asht veç fillimi i ksaj teme!

http://www.zeri.info/blogi/teksti/krenar-gashi/46/

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval