|
Mesazhi i maposhtëm sms i asht nisë shum shqiptarëve nga kryeministri i Shqipnisë si pjesë e fushatës zgjedhore në maj 2009. Na erdhi edhe neve dhe mendimi i parë ishte se kryeministri paska nisë me ba spam telefonik. Për ata që s'e dinë, mesazhet spam janë mesazhe email, por edhe telefonike, që nisen ose për reklamë, ose për mashtrime. Asht njilloj si me të ardhë nji letër me postë normale prej nji personi që nuk e njeh, dhe je i detyruem me i kushtue kohë me e lexue. Por sigurisht që kryeministri s'ka kohë për spam, e shumta mund të jetë i rrethuem nga spamatorë. Flitet se në zyrën e vet kryeministri mban këte fotografi të nji politikani perëndimor
Mesazhi i kryeministrit shqiptar asht si vijon:
"From: S.BERISHA 19/05/2009 17:29
Zonje/Zoteri, se bashku eleminuam 204 banda, shpetuam nga korrupsioni 4 miliard dollar, rritem e dyfishuam rroga e pensione, ndertuam e rindertuam 5900 km rruge, 1012 shkolla, mbi 700 ujesjelles e kanalizime, pesfishuam investimet, firmosem 5 miliard euro investime te huaja, pritem 2.7 milion turiste. Jemi ne NATO e brenda 1 viti do te levizim pa viza ne BE. Te lutem me shkruaj ne 067xxxx410 cfare te intereson ne 4 vitet e ardhshme.Me respekt, Sali Berisha"
Ndërkohë që opozita mund ta akuzojë kryeministrin dhe kompanitë celulare se po merren me pazare të ndyta (minimalja asht që kompanitë të jenë pague për nji mega-spam politik), ne besojmë se djaloshat e kyltyrës që e këshillojnë kryeministrin janë ata që mund ta kenë paraqitë këte ide. P.sh. Agron Tufa (ish KOP-ist), ose Mark Marku (kandidat i tashëm për deputet), janë disa kandidatë për rolin e të shkruemit (dhe të menduemit) për ibret. Disa nga arsyet që na bajnë me e mendue këte janë se politika e ka zakon me marrë gjysë-artista dhe me i përdorë, por edhe injoranca e shkrimit të mesazhit:
- s'ekziston asnji ë për be, si duket politikajt s'e pëlqejnë me e shkrue; - shumësi i dollarit asht "dollarë"; - si thue ndërtohet e rindërtohet rruga (tue e ndreqë, tue e prishë e tue e ndreqë prap?); - 5900, 1012, a thue mungon ndonji pikë ndokund?; - a thue ndërtohen e rindërtohen ujësjellësat e kanalizimet, apo rriten e dyfishohen ujësjellësat e kanalizimet? - pesfishuam apo pesëfishuam?
Përgjigjja jonë ndaj kryeministrit, me sms, ishte si vijon:
"Çka mendoj un:
1.me lirue gegnishten prej kthetrave të toskëve pisa e gegëve budallë, 2.m'u nobelosë 'rilindasi i fundit', 'plaku i moçëm me profesion shkrimtar i madh', spiuni i Sigurimit IK, 3.boll mbshtetje politike debatikasve letrarë që i fut në KOP a Kuvend e që s'dinë ka lidhet gomari, 4.me shpërba MKRS-në se ta shpif, 5.me krijue periodikë letrarë e që s'i kontrollon shteti, 6.me dhanë fonde projektesh për rrethet e jo veç për tironcit, 7.t'ruejtë Zoti natën se ditën t'ruen Edi Rama, 8.Shkodra Republikë! Blendi Kraja" Nji nga artifaktet e fushatës së kryeministrit, në shekujt që do vijnë ka me u ba send me vlerë të pallogaritshme estetike (kështu ka thanë Mark Marku, i cili asht ekspert i vlerësimit estetik) dhe ka me pasë çmim marramendës që pakkush ka me ja lejue vetes:
Kjo ka hasë në kundërshtimin e ashpër t'Agron Tufës (luftë mbrenda llojit, po deshët), i cili ka votue për artifaktin e maposhtëm, i cili vlerësohet shum nga estetika ruse, nga e cila merr inspirimin e përditshëm ai:
Ndërkohë, nji javë para fushatës kryeministri na nis dy mesazhe të tjera mbrenda disa orësh, ku fjalia ma fantastike asht kjo:
mesazhi 1 "Brenda 1 viti (...)(...) me cdo cmim, sherbim shendetesor dhe arsim te nivelit europian."
Kushedi çka ka dashtë me thanë kryeministri me pjesën (...)(...), me siguri duhet me qenë ndonji kalendar kryeministror i ri që ka me u futë në përdorim mbas zgjedhjeve. Mesazhi 2 asht i ndryshuem në masë të madhe nga i pari, dhe me këte shpejtësi premtimesh (brenda disa orësh), kushedi në cilin organizëm do jemi të futun gjatë mandatit të dytë të PD-së (ndonji galaktikë e re me qytetnim tejet të përparuem). Qysh tashti kanë fillue pretendimet e tipAve të kyltyrës se kush ka m'u ba ambasador në këto galaktika. Nji kandidat i mundshëm asht Agron Tufa, i cili pëlqehet për gojëtarinë e tij, por edhe Mark Marku që cicëron bukur kudo ku punësohet. Partia Socialiste, e pafuqishme për ta ndalë ortekun demokrat pavarësisht gjatësinë e kapidanit të saj Edi Rama, i ka lëshue nji ultimatum rivales së saj: 
Tue pasë parasysh ndjenjat delikate të të majtës progresiste në lidhje me qejtë, pra shtazët dhe kafshët në përgjithësi, shihet se PS-ja ka qenë tmerrsisht e detyrueme për me e ndërmarrë këte veprim politik të randësishëm, i cili mund ta përmbysë kandarin e zgjedhjeve. Lajm i fundit: kryeministri mbasi mësoi si bahet spam me sms, filloi me ba spam edhe me email, sapo na mbërriti mesazhi i fundit me fitoret dhe premtimet taze të partisë në pushtet. |