Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

kulturë - histori

- Duke lexuar librin e shokut Enver Hoxha “Kur lindi Partia” -


Xhevat Lloshi

Hapësira për ngjarjet, njerëzit, vendet, mendimet është shumë e madhe në kujtimet. Por duhet aftësi për t’i shkuar ato nëpër një fill dhe për të bërë që forcën bindëse të dëshmisë së drejtpërdrejtë ta shoqërojnë edhe fuqia rrëmbyese e shprehjes. Vepra e re e shokut Enver Hoxha “Kur lindi Partia” ka në qendër një temë madhore, ka një dendësi informative të pazakonshme rreth saj, ka një vijë mendimore të kthjellët që çon nëpërmjet argumenteve te përfundime përgjithësuese të provuara nga koha e prandaj të qëndrueshme si parime, por ka edhe një mjeshtëri të veçantë për mbrujtjen e tyre në një tërësi. Në të gjitha shkrimet rreth Veprës është vënë në dukje edhe ky tipar i fundit dhe janë trajtuar anë të ndryshme të kësaj mjeshtërie. Megjithatë, po ashtu si në pasurinë e përmbajtjes së saj, ashtu edhe në formë mund të zbulohen vlera të reja, që u shtohen të parave.

Lufta për themelimin e Partisë revolucionare të klasës punëtore, për vijën e saj të drejtë, për unitetin, për lidhjet me masat etj., do të kërkonin paraqitjen me stilin luftarak politiko-shoqëror. Faktet dhe argumentimi i tyre kërkonin trajtimin në mënyrën e një punimi shkencor. Demaskimi i tradhtarëve dhe armiqve të brendshëm e të jashtëm kërkonte frymë sulmuese, epitetin e fortë dhe ironizimin. Dashuria për shoqet e shokët bashkëluftëtarë të kauzës së madhe, për njerëzit e thjeshtë të sakrificës dhe për trimat e rënë kërkonte fjalën e ngrohtë, epitetin e zgjedhur, shprehjen prekëse deri në përmallim. Ngjarjet, takimet kërkonin tregimin e mirëfilltë, vendet e situatat kërkonin përshkrimin letrar etj. Ndërthurja e gjithë këtyre mënyrave jep në vetvete një larmi stili, por e cila ka nevojë për një parim organizues, që ta bëjë kompozicionin të harmonishëm. Termi që na duket se do të shkonte më mirë do të ishte dallgëzimi stilistik.
E përshkon këtë vepër një dallgëzim i brendshëm, të cilin e kanë përftuar vetë ngjarjet që vinin valë-valë, e ka kërkuar ritmi i viteve me stuhi, që është kthyer në ritëm stilistik, e kanë sjellë edhe kujtimet sepse për ato akte e momente, kur dhe një fjalë e një gjest merrte domethënie, kur gjithçka do të hynte në historinë e pashlyer të popullit, kujtimet janë një përjetim i ri e i thellë, që ngre shkulme emocionesh.
Me këtë ndërtim stilistik ngrihet secili kapitull. Kështu te “Konferenca e Parë e Vendit e PKSH” jepen kushtet e fazës së re, njohja e PKSH nga kominterni, mbledhja në Shmil, si dhe fakte të përpikta siç i kërkon një studim historik, të shoqëruara me interpretimin ideopolitik dhe të paraqitura me terminologjinë e sintaksën përkatëse. Dhe si papritur lexojmë: “Këto udhëtime i kujtoj sot me nostalgji…”. Vijojnë atëherë dy copa të mirëfillta letrare me përshkrimin e një udhëtimi së bashku me shoqen Nexhmije për në Elbasan dhe një tjetër në Labinot, që mbyllet me shakanë për hallvën e Jasharit. Rikthehemi te faqet për referatin e Konferencës, faqe që janë dokument e kontribut i rëndësishëm për historiografinë tonë, aq më tepër që origjinali ka humbur. Tani janë dy biseda demaskuese me Koço Tashkon, që e bëjnë të larmishëm rrëfimin. Hyjmë përsëri te debatet në Koferencë për të dalë në pushimet e seancave me shakatë e zgjuara të Mustafa Kaçaçit, që na jepen me stilin e letërsisë së mirëfillte humoristike dhe kështu vijojmë më tej.
Me këtë ndërtim janë shpesh edhe copa të vogla, mikrokontekstet. Kështu, p.sh., pas fjalëve me ton solemn: “Është detyra jonë, e do nderi i këtij populli që po demonstron kudo nëpër rrugë e sheshe që t’i presim udhën edhe mbretit kapitullant e frikacak e t’i japim atë që meriton”, vijon një replikë e tillë:
“-Dale, more djalë, qysh thënke kështu për naltmadhërinë! - u hodh një nga “patriotët” afendikonj”. Arrihet në këtë mënyrë në kundërvënie të forta, që e bëjnë paraqitjen të mprehtë e me efekt.
Është e kuptueshme që vetë lufta e madhe me vepra e me fjalën revolucionare kundër armiqve të egër të brendshëm e të jashtëm, debatet e zjarrta etj., do të kishin brenda ndeshjen, dramacitetin, kontrastet. Por dëshirojmë të vemë në dukje se në planin stilistik kundërvëniet janë përdorur jo vetëm duke dhënë ndeshjen e tendosur të medimeve e të qëndrimeve, por edhe në një mënyrë që del në dukje potenciali i tyre estetik. Vetëm një shembull nga “Themelimi”: “Hyjmë në shtëpinë e vogël me shpresa të mëdha, me një gëzim dhe me një besim të papërshkruar, por, ta themi hapur, ashtu siç e ndjenim, të gjitha këto i mbulonte një cipë ankthi”. Janë tri antiteza: shtëpi e vogël - shpresa të mëdha, gëzim e besim - cipë ankthi, ta themi hapur - këto i mbulonte, pra, tri antiteza të ngjeshura bashkë me dorën e artit të së bukurës.
Një ndër shfaqjet e këtij pulsimi të brendshëm të tekstit është edhe ndërthurja e monologut me dialogun. Dialogjet nuk janë shumë të gjatë, por çfarë tendosje të brendshme kanë, çfarë përleshje të pohimit me mohimin. Mjafton të kujtojmë bisedën me tradhtarin Anastas Lula. Nuk mund të bëhet këtu një analizë e hollësishme, por nga ana stilistike e gjuhësore ato janë edhe faqe letrare me cilësi të lartë, edhe skenar dramaturgjik. Në dialogët duket më qartë edhe një shfaqje tjetër e elternimit. Në vend të frazës së përpiktë shkencore ose të togjeve karakteristike të leksikut politiko-shoqëror vjen gjuha e gjallë e përditshme, gjuhën intelektuale e këmben gjuha emocionale, shtjellimin logjik e ndërrojnë kapërcimet e papritura të bisedës me ndjenjë e ballafaqim, nga notat sublime kalohet te stilizimi i folklorit e deri te ndonjë fjalë e lashtë, por që është tamam aty ku ngul.
Është në tërësi një gjuhë e pasur, e gjallë, me kolorit, por jemi të pranishëm edhe përpara vrojtimeve, në të cilat bashkohet gjuhëtari me letrarin. Kështu, Qemali “fliste rrjedhshëm, qartë, me një të folur gegërishte në mes elbasançes dhe shkodrançes”; dy fjali janë gjithsej nga kafexhiu tiranas Mali; kurse aneja “filloi ta pyeste siç pyesin gjirokastritët: - Si je djalë? Je mirë, ke nënë, si e ke?”. Pra, karakterizimi nëpërmjet të folurit bashkohet me njohjen e dallimeve dialektore. Edhe ngjyrimet stilistike të shtresave të leksikut janë shfrytëzuar për këtë karakterizim. “-Dëgjoni, bre vëllezër, - nisi të thoshte. - T’i pjekim mirë këto punë”. - janë fjalët me ton të mjerueshëm varfanjak të gënjeshtarit F. Frashëri. Kurse fjalët e K. Tashkos: “-Po ja, është ca i gjatë, kurse traktet për vetë natyrën e tyre karakterizohen…”, janë tipike të gjuhës libreske, artificiale. Në mënyrë të natyrshme vërejtja për disa kujtime me pasaktësi kthehet edhe në vërejtje të stilistikës gjuhësore: “…por ka edhe nga ato subjektive, me fakte të trilluara ose të fryra e plot fraza mburrëse. Në shkrimet e disa autorëve nuk ka veç “vetëtima, heroizma, bomba, krisma”. Ka në vepër deri edhe konstatime gjuhësore historike: “…nxënësit, që në atë kohë i quanim studentë…”, “forcimit të njësisë së Partisë, siç shpreheshim në atë kohë” etj. Të gjitha këto janë pjesë e riprodhimit me besnikëri të kohës deri në imtësitë e gjuhës.
Frazeologjia e pasur bie në sy gjithkund. Në një periudhë të vetme ka disa shprehje bashkë. “Të gjitha këto ishin jo vetëm për të na hedhur hi syve, por, siç e tregoi vetë jeta, ato përbënin shkëmbinj mbi ujë dhe nën ujë, ishin mina që u viheshin në rrugë rezistencës dhe luftës kundër okupatorëve”. Burimet e kësaj frazeologjie janë visari i pashterur i gjuhës popullore, por edhe gjuha letrare, edhe kultura e shkruar evropiane, pavarësisht se cila gjuhë është burimi i parë. Por duam të theksojmë diçka tjetër. Përpunimi mjeshtëror i frazës, edhe nga ana stilistike, bën që disa shprehje të autorit të fitojnë forcë të veçantë. Ato jo vetëm kanë efekt në tekstin përkatës, por duke përmbyllur një mendim të thënë shkurt e bukur, një kuintesencë ideje arrijnë të qëndrojnë edhe më vete, kthehen në sentenca të vërteta, të cilat janë të njëjta me aforizmat ose me proverbat popullore. Pra “Po i vurë shtëpisë themele të shëndosha, ajo nuk shembet kurrë” dhe “Trima bëhen njerëzit duke luftuar, kur kanë kuptuar përse luftojnë dhe kur e ndiejnë veten se nuk janë luftëtarë të vetmuar”. Shprehje të tilla gjejmë me shumicë në të gjitha veprat e shokut Enver Hoxha, saqë do të kërkonin një fjalor më vete.
Përbërësja letrare e kësaj lëvizjeje të brendshme, e kësaj frymëmarrjeje të përbashkët të përmbajtjes e të formës ka sjellë që në veprën “Kur lindi Partia” të gjejnë vend mjete e mënyra të larmishme të prozës artistike. Janë tipike për tregimin letrar: Një mëngjes qemë ulur në një kafene…, Ndejtëm gjatë atë ditë të paharruar në pyllin e Pezës…, etj.
Përshkrimet dhe portretizimet vezullojnë të shpërndara nëpër vepër si miniatura artistike dhe tek ato janë ndalur shumë prej atyre që kanë shkruar tashmë. Por mund të shtohet ende diçka. Krahas figurave individuale të tipizuara në paraqitjen dhe në botën e brendshme, na zbulohen edhe portrete të shtresave shoqërore; punëtorët, zanatçinjtë, nxënësit, fshatarët, të rinjtë, feudalët, tregtarët, etj., gjithashtu me një tipizim të goditur. Krahas përshkrimeve të Korçës e të dyqanit “Flora”, të shtëpive tiranase e të udhëtimit në malin e Tragjasit etj., ka vend rikrijimi i atmosferës së veçantë të kohës, madje përvijimi i atmosferës para çdo ngjarjeje.
Detaji i jep jetë figurës, episodit, karakterizimit. Ai bëhet dyfish domethënës i gjetur saktë për ironi. Na mbetet në mendje konka e bardhë me zingjir e K. Tashkos, por edhe se si “Mbi perusti në një kusi zienin fasulet për darkë dhe zhurma e tyre shoqëroi diskutimin e Anastas Lulë mavrisë”. Ndërsa strukturimi stilistik me përsëritje, me paralelizma, me shkallëzim etj, sjell intensifikim të mendimit, i lidh më ngushtë faktet dhe fjalët i bëjnë jehonë njëra-tjetrës, epitetet marrin rikumbim e zgjerojnë domethënien. Mjaftojnë dy radhë për këtë. “Rinia shqiptare në shkolla këndonte kudo himnin e vet, himnin e popullit, himnin e luftës, “Himnin e Flamurit”.
Ka interes të theksojmë se vende-vende ky dallgëzim arrin kulme. Shtjellimi shkencor, publicistik e oratorik kalon në tone solemne madhore: “Rinia, në të gjithë historinë e popullit tonë, ka qenë ajo shtresë që ka dalë përpara në luftime, që i ka vënë gjoksin rrezikut dhe ka luftuar heroikisht. Populli ynë, i urtë dhe heroik, të rinjtë e tij i ka frymëzuar kurdoherë me një ndjenjë të lartë patriotizmi, vetmohimi dhe sakrifice, për çështjen e atdheut, për çështjen e besnikërisë ndaj tij…”. Faqet letrare arrijnë në shprehje e figura simbolike. “Edhe në kovaçhanën e Pilos venim vazhdimisht. Ai, si proletar i vendosur, rrihte mbi kudhër hekurin e skuqur, duke biseduar, çdo të bënim të nesërmen…” ndërsa pas takimit me Vasil Shanton: “Erdhi Bojka me burrin, na sollën kafenë dhe frutat. Ajo hapi perdet e bardha të dy dritareve dhe tha: - Shihni, u kthjellua qielli!”
Dhe kështu na përftohen pjesë ku ideologjia, shkenca, publicistika, letërsia shkrihen bashkë në një prozë në të cilën thellësia e mendimit ka vulën e origjinalitetit të stilit, të mjeshtërisë në shfaqjen e vet të plotë: “Ajo lindi nga gjiri i popullit, nga zjarri dhe nga dufi i tij revolucionar, i pashuar në shekuj, lindi si një diell i ndritshëm në errësirën e kobshme të skllavërisë dhe të terrorit fashist, që kishte mbuluar popullin dhe atdheun”. Është një prozë ku jo vetëm na kumtohet e vërteta, por edhe na bën ta ndiejmë thellë, ku saktësia dhe përgjithësimi shprehen me pasion, ku niveli i stilit dhe i artit na bëjnë të mendojmë çfarë fuqie shprehëse mund të arrijë shqipja jonë.
Përmbajtja e madhe synon dhe gjen formë shprehëse të fuqishme, mjeshtërore. Në veprën “Kur lindi Partia” të shokut Enver Hoxha këto dy anë janë në unitet dhe, ndërkaq, forma u përshtatet ngjarjeve e mendimeve, ajo ndjek relievin e tyre, pulson me ritmin e kohës, merr pjesë në përforcimin e ndikimit të së vërtetës, duke i shtuar asaj edhe ndjenjën e së bukurës. Prandaj me të drejtë shkruhej në “Zërin e Popullit” (20 qershor 1981), ndër të tjera, se kjo është një vepër sa shkencore aq edhe artistike.”

Gazeta “Drita”, nr. 32, f. 3, 1973

Random Content

JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval