Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

kulturë - histori

Mendimi teorik i shokut Enver Hoxha për problemet e historisë së gjuhës shqipe

Siç dihet, ndërmjet detyrave

të shumta që duhej të përballonte shoqëria e re shqiptare nën udhëheqjen e urtë të Partisë menjëherë pas Çlirimit, ishin edhe zhvillimi dhe studimi i gjuhës shqipe, të cilën populli ynë e ka ruajtur gjatë shekujve si gjënë më të çmueshme, të trashëguar nga të parët e vet. Prandaj në shkrimet, raportet dhe fjalimet e shokut Enver Hoxha u është kushtuar një vëmendje e posaçme edhe çështjeve që lidhen me lëvrimin dhe studimin e gjuhës sonë amtare. Me mprehtësinë që e karakterizonte, në raste të ndryshme ai ka përcaktuar edhe detyrat kryesore që i dilnin gjuhësisë së re shqiptare, dhe ka dhënë mendime e porosi shumë të vyera për zhvillimin e saj të shpejtë e të shumanshëm.

Nga veprat e tij duket qartë se, gjithë duke i dhënë përparësi zhvillimit dhe studimit të shqipes së sotme letrare, shoku Enver herë pas here ka theksuar edhe nevojën e një studimi të thelluar të historisë së gjuhës sonë, madje, edhe të një studimi objektiv të marrëdhënieve të saj historike me gjuhët e tjera. Këtu po ndalemi vetëm në disa çështje kryesore:

Së pari, shoku Enver ka theksuar që historia e gjuhës shqipe të mos studiohet si diçka e shkëputur nga historia e popullit që e ka folur atë gjatë shekujve: “Gjuha dhe veprimtaria prodhuese, -- shkruan ai, -- janë dy thesare të paçmuara për të njohur historinë e një populli. Populli ynë i lashtë, si gjithë popujt e lashtë, ka pasë gjuhën e vet, pavarësisht se nuk janë gjetur dokumente të shkruara. Studimi i gjuhës sonë ka bërë disa hapa të mirë përpara, por mendoj se ky studim nuk duhet të mbetet si diçka e thatë, si një shkencë e palidhur me transformimet e shoqërisë në shekuj. Ne, marksistët, duam të dimë pse bëhen ndryshimet fonetike në një epokë të caktuar, pse ndryshoi fjala, tingulli, kuptimi? Këto ndryshime nuk u bënë vetvetiu, pse deshën njerëzit mijëra o qindra vjet më parë, por u bënë se u zhvillua jeta shoqërore dhe këto ndryshime i solli veprimtaria prodhuese, e cila zhvilloi njeriun dhe shoqërinë. Në rast se linguistikën e studiojmë të shkëputur nga jeta shoqërore, në rast se bën një analizë të palidhur me analiza të tjera, ajo nuk mund t’i shërbejë çështjes së madhe. Linguistika, mendoj unë, nuk shërben vetëm për të njohur gjuhën e tashme, por sidomos ajo duhet të shërbejë që nëpërmjet saj të njohim edhe historinë e lashtë të popullit tonë.”Enver Hoxha, “Për shkencën”, II, Tiranë, 1985, f. 8.
Shoku Enver këtu shtron përpara gjuhëtarëve dy kërkesa metodologjikisht shumë të nevojshme për zhvillimin racional të studimeve rreth historisë së gjuhës shqipe: 1) gjuhësia historike të mos jetë qëllim në vetvete, por t’i shërbejë një qëllimi më të madh dhe më të rëndësishëm; 2) kjo disiplinë gjuhësore të mos mbetet në sipërfaqe të gjërave, d.m.th. vetëm në hetimin e të dhënave dhe të dukurive, por të depërtojë sa më thellë për të zbuluar faktorët gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë, që u kanë dhënë shkas ndryshimeve të herëpashershme, që kanë ndodhur gjatë evolucionit historik të gjuhës shqipe.
Gjuhëtarët tanë, sidomos ata që merren me historinë e gjuhës shqipe, duhet t’i mbajnë parasysh këto dy kërkesa gjithmonë të kohës. Zbatimi i tyre i plotë është një kusht i domosdoshëm për të bërë studime shkencërisht të argumentuara dhe me përfundime të qëndrueshme për të zgjidhur problemet e mëdha të kulturës, të arsimit e të historisë sonë
Së dyti, shoku Enver Hoxha e ka ngritur më se një herë me forcë nevojën e studimeve ndërdisiplinore, përfshirë këtu edhe studimet gjuhësore, për të ndriçuar, ndër të tjera, historinë e lashtë të popullit tonë dhe të gjuhës së tij. në Plenumin e 8 të KQ (25 qershor 1980) ai shtron si të domosdoshme që “shkencat tona shoqërore: politiko-filozofike, ekonomike, historike, të gjuhësisë, të etnografisë e të tjera, të bëjnë studime e përgjithësime komplekse për historinë e lashtë të popullit shqiptar, për të kaluarën heroike dhe gjenezën e tij, për historinë e gjuhës dhe formimin e kombit tonë, për epopenë e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare, për rrugën nëpër të cilën kemi ecur ne për vendosjen e diktaturës së proletariatit, për krijimin dhe zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës socialiste dhe për një varg problemesh të tjera që nxjerrin jeta dhe zhvillimi ynë revolucionar…”Enver Hoxha, “Raporte e fjalime” (1989-1981), f. 190.
Duke bërë fjalë për punën e disa shkencëtarëve të huaj që kanë shkruar për historinë e gjuhës shqipe, shoku Enver Hoxha vëren se ata vërtet janë marrë me gjuhën shqipe, por jo edhe me historinë e popullit tonë që fliste këtë gjuhë. Ata kanë shqyrtuar prejardhjen e gjuhës sonë dhe ndryshimet që ka pësuar ajo, po jo arsyet e këtyre ndryshimeve. Ata kanë mbledhur vetëm të dhëna dhe kanë bërë kryesisht krahasime. “Rezultati i punës së tyre, -- thekson shoku Enver, -- mund të jetë i drejtë, por jo i mjaftueshëm, pse neve nuk na duhet vetëm që kjo ose ajo gjuhë është me origjinë indoevropiane ose nga ndonjë tjetër, por ajo duhet lidhur me të gjitha studimet e tjera, të bashkuara me ura me njëra-tjetrën dhe që nga gjithë ky ansambël shkencor të dalë qytetërimi ilir, parailir, pasilir, dhe deri në ditët tona si një zinxhir i pashkëputur.”Enver Hoxha, “Për shkencën”, II, f. 10-11.

Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një kërkesë metodologjikisht shumë të nevojshme për të sqaruar drejt çështje të rëndësishme të historisë së popullit dhe të gjuhës sonë, siç është, ndër të tjera, prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe. Kjo çështje kaq e vështirë nuk mund të zgjidhet si duhet pa një bashkëpunim të frytshëm të gjuhësisë, historisë, arkeologjisë dhe etnografisë.

Mjafton të përmendim këtu se dëshmitë që na jep vetë gjuha shqipe lidhur me prejardhjen e saj nga ilirishtja, nuk janë të pakta dhe janë përmendur e janë pranuar edhe nga një varg dijetarësh të huaj. Qysh më 1774 këtë gjë e pat vënë në dukje historiani i njohur suedez, J. Tunman, në veprën e vet “Hulumtime rreth historisë së popujve të Evropës Lindore” dhe e kanë shtjelluar më tej gjuhëtarë të tillë të shquar, si G. Majeri, H. Pederseni, N. Jokli, A. Xhuvani, E. Çabej, M. Domi etj.

Bashkëpunimi ndërsidiplinor është edhe më i nevojshëm për të hedhur dritë mbi popullsinë parailire të trevave tona, që zakonisht njihet me emrin pellazgë. Çështjes së pellazgëve shoku Enver i është kthyer herë pas here në diskutimet dhe shënimet e tij. nëpërmjet pohimeve, vërejtjeve dhe porosive të tij ai ka vënë në dukje nevojën e hulumtimit e të studimit të kësaj çështjeje me tërë seriozitetin e duhur, për të hedhur kështu dritë jo vetëm mbi ilirët, por edhe mbi banorët më të lashtë të Ballkanit dhe mbi kulturën dhe qytetërimin e tyre. Kështu, në diskutimin e mbajtur në Byronë Politike të KQ të PPSH më 6 maj 1959, duke folur për këtë problemShih: Enver Hoxha, “Vepra”, vëll. 17, Tiranë, 1974, f. 178.

, ai pohon se nuk mund të vihet në dyshim që pellazgët kanë ekzistuar, por në të njëjtën kohë bën vërejtjen që as arkeologët, as gjuhëtarët nuk janë thelluar në këtë çështje. Duke përmendur pohimet e patriotëve tanë si Naimi dhe të disa historianëve gjermanë se populli ynë rrjedh nga pellazgët, shoku Enver, duke i dhënë rëndësi qëndrimit shkencor objektiv në këto çështje, thekson mungesën e dokumenteve të nevojshme që do ta vërtetonin shkencërisht këtë.

Në një diskutim tjetër, më 3 nëntor 1969, shoku Enver i rikthehet këtij problemi, duke theksuar përsëri nevojën e dokumentacionit dhe të një argumentimi të shëndoshë shkencor. “Ata që mbrojnë pikëpamjen e origjinës pellazgjike të shqiptarëve, -- vëren ai, -- kanë mendimin se pellazgët nuk janë asimiluar kurrë nga grekët, bile shkojnë edhe më tej, duke thënë se është kultura pellazge ajo që ka ndikuar mbi kulturën greke etj. Kjo do të thotë se kultura pellazge duhet të ketë qenë shumë më e zhvilluar nga ajo greke, mirëpo deri tani bota nuk ka të dhëna për këtë kulturë. Në qoftë se dikush pretendon të vërtetojë se kultura greke është ndikuar nga autoktonët, ekzistenca e të cilëve është akoma e diskutueshme, sepse bazohet vetëm në çka thotë Homeri, më parë duhet të rrëzojë me argumente të dhënat e deritanishme të shkencës botërore. Bota e njeh gjerësisht kulturën greke, që, siç e dimë, është ndikuar nga qytetërimi më i hershëm i popujve të Azisë. Kjo dihet fare mirë, ndërsa ndikimi i kulturës së pellazgëve është një supozim, të cilin nuk kemi akoma prova dhe fakte për ta marrë si të vërtetë. Prandaj, për të mos gabuar, në këtë drejtim kërkohet të bëhet një punë serioze dhe të mos ecet me dëshira.”Enver Hoxha, “Për shkencën”, I, Tiranë, 1985, 391 v.

 

Në këtë mënyrë, shoku Enver, me njohuritë e tij të gjera dhe me kërkesat e rrepta të shkencëtarit, shtron përpara studiuesve tanë një detyrë sa të rëndësishme aq edhe të vështirë. Ai i porosit ata që t’i përvishen një pune serioze për të depërtuar sa më shumë në thellësi të shekujve të parahistorisë dhe për të hedhur dritë mbi kulturën dhe gjuhën e fiseve parailire të trevave të banuara nga shqiptarët e sotëm. Për gjuhëtarët në këtë rast shtrohet detyra që të sjellin të dhëna të reja për gjurmët që janë ruajtur në shqipen e dokumentuar nga kjo gjuhë e lashtë parailire. Këtu është fjala, në radhë të parë, për të nxjerrë në pah ato dukuri të lashta gjuhësore, që shqipja i ka të trashëguara, nëpërmjet ilirishtes, nga një fazë më e vjetër paraindoevropiane. P.sh. gjuhësia historike ka vënë në dukje se në sistemin e numërimit të gjuhës shqipe është ruajtur një gjurmë e sistemit të numërimit që mbështetej në numrin e lashtë zet. Këtu është fjala për numërorët njëzet, dyzet, që janë të mbarë shqipes, dhe trezet e katërzet që ndeshen tek arbëreshët e Italisë (trezet është dokumentuar edhe në një këngë popullore të mbledhur në Oblikë të Shkodrës: Trezet vjet nusja mbushë i ka). Sistemi i numërimit mbi bazën e (një)zetës, që ndeshet edhe në gjuhën joindoevropiane të baskëve në Spanjë (ndonjë gjurmë ndeshet edhe në frëngjishte etj.) nuk ka qenë karakteristik për gjuhët indoevropiane, të cilat kanë zhvilluar qysh herët sistemin e numërimit mbi bazën e dhjetësheve (khs. tridhjetë, pesëdhjetë etj.).

Së treti, duke vlerësuar edhe ndikimin e ndërsjellë që kanë ushtruar gjatë shekujve marrëdhëniet e popullit tonë me fqinjët në kulturën materiale në përgjithësi dhe në fushën e gjuhës në veçanti, shoku Enver shtron detyrën që për një njohje sa më të thelluar të problemeve tona, të bëhen përpjekje për të njohur edhe historinë, gjuhën dhe kulturën popullore të vendeve të tjera, sidomos të vendeve fqinje, kështu që të kemi edhe ne ballkanologët, sllavistët, helenistët, turkologët, gjermanistët tanë etj. por duke qenë gjithmonë realistë dhe me një program afatgjatë.Shih: Enver Hoxha, “Për shkencën”, II, f. 528.
Në studimin e marrëdhënieve historike ndërmjet popullit tonë dhe popujve të tjerë ai na porosit që të jemi objektivë dhe t’i shmangemi njëanshmërisë që vihet re te disa studiues të huaj, të cilët kanë vënë theksin vetëm në ndikimin e popujve fqinjë mb kulturën dhe gjuhën e popullit shqiptar, duke i nënvleftësuar ose duke i lënë fare në heshtje ndikimet tona mbi të tjerët. Shoku Enver vë në dukje se në historinë e marrëdhënieve tona me popujt e tjerë “edhe ata kanë huazuar nga kultura jonë materiale e shpirtërore. Kjo do të thotë se edhe ne kemi ndikuar te të tjerët me luftën e me kulturën tonë…”Enver Hoxha, “Raporte e fjalime”, (1982-1983), f. 352-353.
Në këtë çështje shoku Enver Hoxha tërheq vëmendjen për një objektivitet të rreptë shkencor, duke theksuar se “në këto studime që kërkojmë të bëjmë, duhet të shohim vijën tonë të kuqe, për të nxjerrë se në këtë trashëgim, që e kanë edhe të tjerët, të gjendet ku është origjina, është te ne, apo tek ata, se mund të jetë tek ata, po mund të jetë edhe te ne. Në qoftë se origjina del te të tjerët, duhet të shohim se si e kemi adoptuar ne dhe në ç’kushte ajo është bërë jona. Kështu ndodh edhe sot në marrëdhëniet në mes popujve”Po aty.
Edhe kjo kërkesë parimore e shokut Enver Hoxha është me shumë rëndësi për një drejtim të mirë të studimeve në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe të ballkanologjisë. Objektiviteti shkencor dhe mënjanimi i njëanshmërisë, për të cilat bën fjalë shoku Enver, janë dy kushte të domosdoshme për të sqaruar dhe për të ndriçuar drejt marrëdhëniet historike ndërmjet popullit shqiptar dhe popujve të tjerë, pra, edhe marrëdhëniet historike ndërmjet gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera, sidomos gjuhëve ballkanike. Kjo porosi e rëndësishme është mbajtur gjithmonë parasysh. Studimet tona gjuhësore kanë vërtetuar se populli ynë, duke qenë nga më të lashtët popuj të Ballkanit, ka ndikuar me kulturën dhe gjuhën e tij origjinale mbi popujt e tjerë fqinjë. Edhe në të ardhmen, me objektivitet shkencor dhe pa rënë në njëanshmëri ose në subjektivizëm gjuhësia shqiptare do t’i shtojë dhe do t’i thellojë më tej studimet lidhur me marrëdhëniet historike të shqipes me gjuhët e tjera dhe do të japë kështu një ndihmesë edhe më të madhe se deri sot për të ndriçuar sa më mirë rolin e shqipes në formimin e “lidhjes gjuhësore ballkanike”.

Një vëmendje të veçantë i duhet kushtuar sidomos ndikimit të shqipes mbi gjuhët fqinje jo vetëm në fushën e fjalorit, por edhe në të gramatikës. Kështu p.sh., duhet hulumtuar e studiuar më mirë roli i shqipes, ndër të tjera, në formimin e kohës së ardhme të tipit kam ardhur në maqedonishten perëndimore, e cila në këtë pikë (dhe jo vetëm në këtë pikë) largohet nga gjuhët e tjera sllave, përfshirë këtu edhe dialektin e maqedonishtes lindore. Siç dihet, në gjuhët sllave koha e kryer analitike ndërtohet vetëm me foljen ndihmëse jam. Gjithashtu nuk mund të përjashtohet ndikimi i shqipes mbi maqedonishten perëndimore edhe në një dukuri të rëndësishme të karakterit sintaksor. Është fjala për përdorimin e fjalëzave të patheksuara edhe në fillim të fjalisë, çka është e pamundur në gjuhët e tjera sllave, ku fjalëzat e patheksuara përdoren rregullisht s enklitike.

Së katërti, mbetet gjithmonë e ditës porosia e shokut Enver për t’iu kundërvënë me argumente shkencore hipotezave të gabuara të disa shkencëtarëve të huaj që, me qëllim a pa qëllim, shtrembërojnë historinë e popullit, të gjuhës dhe të kulturës sonë. Dhe raste shtrembërimesh të tilla nuk kanë qenë të pakta në të kaluarën e për më tepër ndeshen edhe në kohën tonë. Këtyre pikëpamjeve antishkencore e antishqiptare (sidomos për problemin e origjinës së gjuhës shqipe, kohës dhe vendit të formimit të popullit shqiptar), shoku Enver porosit që shkenca gjuhësore t’u kundërvihet me argumente shkencore e me seriozitetin më të madh dhe “të mos pretendohet se edhe pa shumë argumente mund t’i rrëzojmë teoritë false që janë përhapur.

Mendimi ynë duhet të dominojë dhe t’i rrëzojë shkencërisht e me argumente pikëpamjet e huaja, domethënë t’i bëjë me vete të tjerët, pra, t’i bindë plotësisht ata për vërtetësinë e studimeve tona, ashtu si për një plus një që bëjnë dy”Enver Hoxha, “Për shkencën”, I, f. 395..
Këto probleme janë bërë objekt diskutimesh në disa simpoziume, kongrese, kuvende e konferenca të ndryshme kombëtare. Kohët e fundit etnogjeneza e popullit tonë u bë objekt trajtesash në Konferencën kombëtare për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe të kulturës së tij (1982).
Megjithatë, kjo porosi shumë e drejtë e shokut Enver kërkon një angazhim edhe më të madh nga gjuhëtarët tanë (dhe, do të thosha, edhe nga historianët tanë), për të ndriçuar me argumente sa më bindëse një varg çështjesh të historisë së gjuhës dhe të popullit tonë, që janë bërë objekt diskutimesh ndër gjuhëtarë të huaj, të cilët në mjaft raste në studimet e tyre janë udhëhequr nga qëllime jashtëshkencore.
Pra, siç del edhe nga sa u paraqit në këtë artikull, mendimet e shokut Enver Hoxha për probleme të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe janë jo vetëm një tjetër dëshmi e qartë e vëmendjes dhe e interesimit të tij të madh për zhvillimin e gjuhës e të gjuhësisë sonë, por edhe një program pune me vlerë për gjuhësinë shqiptare, si për të sotmen, ashtu edhe për të ardhmen.

 

Gjuha jonë, 2/1986

Random Content

JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval