kulturë - letërsi
Hyrje
Aty nga fundi i vitit të kaluar doli nga shtypi në Prishtinë libri i Sabri Hamitit “Albanizma”, ndërsa në Tiranë menjëherë u vlerësua si libër unikat, që mund të lexohet si një roman postmodern, i jashtëzakonshëm, i paparë ndonjëherë në letrat shqipe, me daljen në dritë të të cilit shqiptarët, nëse deri më tani nuk kanë pasur ç’t’i ofronin botës, më nuk do ta kishin këtë gajle...
Por a është i tillë ky libër siç u vlerësua në Tiranë?
Sabri Hamiti
Një lexues i vëmendshëm, i cili e ka përcjellë prodhimtarinë shkrimore të Sabri Hamitit, edhe pa ndonjë përgatitje të lartë shkencore, do të vërejë fare lehtë se, sa i përket këtij libri, nuk kemi të bëjmë me diçka të re, por me një ekskursion të autorit të saj përgjatë historisë mëse pesëshekullore të letërsisë shqipe dhe jo vetëm kaq, po edhe në krijimtarinë gojore shqiptare, si dhe me riciklim materialesh të “vjela” nga libra të tjerë të tij, bile me riciklim të shkallës së dytë.
Nëse “Tematologjia” (në fund të çdo kapitulli të këtij libri literaturë janë librat e Sabri Hamitit: në të parin literaturë është libri “Tema shqiptare”, në kapitullin e dytë “Shkollat letrare shqipe”, prej 9 njësive, 5 janë të Sabri Hamitit; në kapitullin e tretë 4 njësi janë të tij, në të katërtin 1 njësi, të pestin 2, të gjashtin 1, të shtatin 2, në të tetin 1, i nënti ka vetëm një njësi dhe ajo është libri “Arti i leximit” i S. Hamitit!) mund të konsiderohet si riciklim nga librat e mëparshëm të autorit, pra si riciklim i shkallës së parë, “Albanizma” është riciklim i shkallës së dytë, ose riciklim i riciklimit.
Jo një herë autori në ecejaket nëpër letërsinë pesëshekullore shqipe, shprehet “kam thënë”, “kam pas thënë”, “pata thënë”, duke i stërpërsëritur të njëjtat gjëra. Ai vetëm sa ua ndërron titujt librave të tij të mëparshme (autorët dhe veprat që shqyrton qe dyzet vjet janë po ato), sepse materiali është i njëjti. Ndaj, edhe me rastin e “Albanizmave” kemi të bëjmë me titull të ri, po me material të njëjtë.
Sikur edhe “Tematologjia”, “Albanizma” nuk është monografi studimore, pa marrë parasysh se autori strukturës së saj të jashtme i jep pamjen e monografisë. Lënda e kësaj vepre është heterogjene për nga përmbajtja dhe interesimet e autorit. Për këtë arsye, mund të themi se në këtë vepër autori nuk ka një objekt unik studimi, por këtu janë përmbledhur shkrime të shkruara në raste të ndryshme. Madje, në këto shkrime ai jo vetëm që nuk studion veprën e një autori, por tërë krijimtarinë e tij përpiqet ta “shpjegojë” duke analizuar një thënie, një poezi, siç është rasti me poezinë e Kadaresë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, ose një klithmë nga romani “Kronikë në gur” etj., ndaj, në rastin e këtij libri, më parë kemi të bëjmë me një pseudo-monografi, sesa me një monografi të mirëfilltë.
Autori faqe të tëra të librit i mbush me të dhëna faktografike që i di çdokush, duke harruar se kujt po i drejtohet, sikur këto të dhëna që i sjell të ishin të një rëndësie të veçantë dhe këtu sillen për herë të parë. Kështu vepron me rastin e të dhënave se kush e ka shkruar “Historinë e Skënderbeut”, kush është Barleti, kush e ka përkthyer në shqip librin e Barletit, pastaj kush e ka mbledhur materialin e Kanunit etj.
Si në çdo libër tjetër të tij, edhe këtu lexuesi has në lloj-lloj anomalish, në konkludime të gabuara, jo të sakta, të cilat autori i saj i shqipton me zë të lartë.
Këtu jo vetëm që “përkthen” teori të të tjerëve, siç është teoria e Çabejt për forcat centrifugale dhe centripetale, por edhe të vetat; ndërsa para afro njëzet vjetësh e ka botuar librin “Tema shqiptare”, tani e “përkthen” në “Albanizma”.
Ja si i kujton ato kohëra: “Temat shqiptare i pata quajtur albanizma, në një konceptim më abstrakt, para dy deceniesh” (17). Të gjitha ato që i thotë më poshtë për temën shqiptare, nuk thonë gjë; më tepër mjegull sjellin sesa ndonjë përkufizim të saj.
Që në fillim të librit “Albanizma”, S. Hamiti përpiqet t’i gjejë veçantitë që e dallojnë letërsinë shqipe nga letërsisë tjera. Sipas tij, fataliteti, legjendarizimi, ishullimi, mërgimi, vetmia, burgimi, besa, gjaku, gjuha, feja, dialekti, qyteti janë disa nga temat që e dallojnë letërsinë shqipe nga letërsitë tjera. Por ai nuk e përmend një letërsi të botës që nuk ka fatalitet, legjendarizim, mërgim, vetmi, burgim! Fataliteti i njeriut qëndron në thelbin e letërsisë nga Epi i Gilgameshit e deri në ditët e sotme! Gjithashtu, kryetemë e letërsisë antike është fataliteti, të cilit i binden të gjithë, nga njerëzit më të thjeshtë e deri tek zotat. Edhe legjendarizimi, ishullimi, mërgimi, vetmia, dialekti, feja në cilën letërsi mungojnë?!
Ndarja në dysh. - Shtjellimin në librin më të ri, “Albanizma”, S. Hamiti
e vazhdon duke i ndarë të gjitha problemet që i trajton në dysh: dy dialekte, dy epe, dy krijues, dy romane, dy figura etj. Ai vetëm konstaton dyshin, ku është e ku s’është, pa u thelluar më tej në temat që i shtjellon!
Ndarjen e fillon nga dialektet:
Letërsia shqipe është shkruar në dy dialekte: “gegnisht e toskërisht” (18) (gjithnjë e shkruan “gegnisht” e “toskërisht”, të parën sipas dialektit gegë, ndërsa të dytën sipas standardit).
“Dy epet më të mëdha të letërsisë shqipe janë shkruar në dy dialekte...” (20); “Nuk ka dyshim që dy nga lirikët më të mëdhenj të shqipes janë Ndre Mjedja dhe Lasgush Poradeci” (21);
“Tanimë e pranojnë të gjithë që krijuesit e tregimit modern shqiptar janë Ernest Koliqi e Mitrush Kuteli” (23);
“Ky fenomen mund të shqyrtohet duke krahasuar romanet e Anton Pashkut Oh, e të Ismail Kadaresë Kronikë në gur...” (24) (jo romanet, por romanin e Anton Pashkut!)
“Të dy epet janë shkruar me varg tetërrokësh, që është vargu më i njohur e më i plotë tradicional shqiptar, i cili ka fuqinë e përfaqësimit ritmik të lirikës, të valles e të rrëfimit epik” (20). (Kur jemi këtu të kujtojmë librin e Gjergj Zhejit, “Bazat e vargëzimit shqiptar”, f. 69, sipas të cilit tetërrokëshi është “...vargu më i përdorur jo vetëm në poezinë tonë gojore, por edhe në atë të shkruar”, dhe më poshtë: “...me tetërrokësh mund të kërcehet, të këndohet, të tregohet një ngjarje epike dhe muzikalitetit i tij të mos bjerë kurrë në monotoni”).
Se tetërrokëshi është vargu më i përdorur në letërsinë shqipe, kjo është e njohur, por se tetërrokëshi, sipas S.H. “...ka fuqinë e përfaqësimit ritmik të lirikës, të valles e të rrëfimit epik”, kjo nuk ka kurrfarë kuptimi! Si e përfaqësuaka tetërrokëshi ritmin e lirikës, të valles e të rrëfimit epik? Të përfaqësosh do të thotë të vihesh në vendin e dikujt, ndërsa tjetër është ta shoqërosh. Kur ta përfaqësosh, je pa të përfaqësuarin, je vetëm, ndërsa ndodh e kundërta kur shoqëron dikë, d.t.th. je me të!
Arsye të formulimit të mësipërm janë dy: e para, autori nuk është në gjendje të thotë mendimin e saktë për çështjen që shqyrton dhe, e dyta, ai e kamuflon mendimin e Gjergj Zhejit për tetërrokëshin.
Krahasimi i dy krijuesve në zhanre të ndryshme. - Krahasime jologjike bën kur krahason krijimtarinë poetike të Naimit dhe të Fishtës. Ndërsa pjesën e tretë të nënkapitullit “Letërsia e dialekteve” e emërton “Epika”, ai flet për “intimen e dashurisë” në poezinë e Naimit: “Figura karakterizuese, zotëruese e Naimit është litota, duke u lidhur më dendur me intimen e dashurisë; figura karakterizuese e Fishtës është hiperbola, që lidhet më shpesh me madhështinë e heroiken” (20). Pra, kur është fjala për Naimin, ai përherë ka parasysh lirikën e tij, ndërsa për Fishtën – epikën! Për çdo studiues, do të ishte normale që të krahasojë krijimtarinë e dy krijuesve në fusha të njëjta, në zhanre të njëjta, e jo në të ndryshme, siç vepron S. Hamiti.
Krahasime në fusha të ndryshme të të dy poetëve kombëtarë bën edhe një herë tjetër: “Letërsia shqipe njeh vogëlsimin, që shfaqet si dashuri (Naimi), dhe hiperbolën si madhështi (Fishta), por nuk njeh pamjen reale të jetës shqiptare në përmasat e përngjasimit” (47). Këtu problem më vete është edhe konkludimi i tij se “letërsia shqipe nuk njeh pamjen reale të jetës shqiptare në përmasat e përngjasimit”. Autori harron se edhe në variantin më ekstrem, kur është fjala për natyralizmin, letërsia dhe jeta nuk kthehen në një, pra sa i përket letërsisë, në të asnjëherë nuk ka “pamje reale” të jetës. Por edhe sintagmat “pamja reale” dhe “përmasat e përngjasimit” – në vete ngërthejnë një kontradiktë!
Heronjtë e Naimit dhe të Fishtës: ”Dhe, më tutje (çfarë do të thotë autori me këtë “më tutje”, që e përdor jo rrallë – vërejtje ime – S.B.), heroi i veprës së Naimit është hero kombëtar, ndërsa heronjtë e veprës së Fishtës janë personazhe popullore, që ngrihen në pretendime artistike për t’u bërë heronj të kulturës e të literaturës” (20). Si po u ngritkan personazhet popullore “në pretendime artistike për t’u bërë heronj të literaturës”? Fakti që gjenden në një vepër artistike, ata i bën vetvetiu të jenë heronj të literaturës!
Figurimi i Mjedës dhe i Lasgushit: “Në figurimin e Mjedjes, skajshmërisht universal, lulja bëhet e knaqshme, kur e lëmon flladi i lehtë. Ka këtu një tërheqje kaq të fortë dashurie, po të qetuar e të thelluar me rimat me u. Në figurimin poetik të Lasgushit, që merr trajtën e kantilenës, me një katrenë të përsosur ritmikisht, rimat janë të çelura dhe krijohen me i dhe me e, kurse dramatika e dashurisë çilet në gji, një herë duke u dramatizuar e personalizuar, për t’u kthyer në peizazh të floririt” (22). Epo kur llomotitje të tilla merren si gjykime kritike, si “lulja bëhet e kënaqshme” dhe “dashuria çilet në gji, një herë duke u dramatizuar e personalizuar, për t’u kthyer në peizazh të floririt”, ky është fundi i kritikës! Këto më parë janë të folur përçart, sesa diçka tjetër!
Personazhi i Kutelit dhe ai i Koliqit: “Personazhi i Kutelit, Xheladin Beu, te tregimi ‘Vjeshta e Xheladin Beut’, normë e ka pasjen, paranë dhe nuk lodhet për nderin, kurse gjithë intriga e tregimit thuret rreth manipulimit e poshtërimit. Një normë e moralit aty nuk duket, pos dramatikës së shthurjes së natyrës njerëzore. Kjo vetvetiu përmbys thurjen epike të tregimit” (23); (Çka nënkupton autori me “thurje epike”? Personazhet e Balzakut kanë norma të ngjashme me ata të Kutelit: pasjen, koprracinë, karrierën etj., por në prozat e tij nuk përmbyset fare thurja epike!)
“Më në fund personazhi i Koliqit shkon në vdekje për të mbrojtur nderin, kurse personazhi i Kutelit vdes duke u çnderuar” (23). Për mendimin kritik letrar, si ai që vdes duke mbrojtur nderin, ashtu edhe ai që vdes duke u poshtëruar, janë të barabartë! Nëse autori e ka fjalën te Kanuni, atëherë ndryshon puna.
Romani i Pashkut dhe i Kadaresë: “Romani Oh tash për tash është vepra më e madhe letrare, mbase e fundit, e shkruar në gegnisht, kurse romani i Kadaresë është i shkruar në toskërisht. Sado që teknikisht të dy romanet janë shkruar në bazë të rrjedhës së ndërdijes...” (24). (Ku bazohet Hamiti se romani i Kadaresë është shkruar “në bazë të rrjedhës së ndërdijes”?).
Ndonëse autori pretendon që vepra e tij të jetë e nivelit akademik, atij nuk i pengon që të merret me kujtime: “Kam kujtuar që vepra e fundme e madhe në gegnisht po mbetej romani Oh i Anton Pashkut (1971) (Viti 1971 duhet të shkruhet te romani, e jo te autori, sepse dikush mendon se është datëlindja e shkrimtarit, e jo viti i botimit të romanit – vër.ime S.B.), duke pasur ndërmend edhe Martin Camajn, por ai ishte jashtë (çfarë rëndësie ka vlera e një vepre, nëse autori gjendet brenda vendit apo jashtë tij? – vër.ime S.B.). At Zef Pllumi kthehet në letërsinë shqipe për të dëshmuar gegnishten në një vepër të madhe, për t’u shfaqur si gega i fundit, jo vetëm në kuptimin shkrimor” (183). (“Vepra e madhe”, “gega i fundit”, ja me çfarë konceptesh parakritike e ndërton mendimin e tij kritik Sabri Hamiti!)
Retrospektivë: “Kur u botua romani ‘Oh’ i Anton Pashkut më 1971, kam thënë që është vepër e madhe dhe e papërsëritshme, këtë mund ta përsëris edhe sot”. Sabri Hamiti, Tematologjia. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë 2005, f. 121. Të gjitha librat e fundit i shkruan me “kam kujtuar’, “kam thënë”, “kam pas thënë” etj.
Paskajorja e Pashkut: “Paskajorja e Pashkut, e cila nuk njeh as veta, as kohë...” (25). Po cila paskajore e gjuhës shqipe, apo e ndonjë gjuhe tjetër, njeh vetë dhe kohë? Paskajorja është mënyrë e pashtjelluar e foljes, kjo mësohet qysh në ciklin e ulët të shkollës fillore. Këtë besojmë se e di autori, po pse e shqipton kot një gjë të tillë në një tekst që pretendon të jetë edhe tekst akademik, pasi botues i tij është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, këtë nuk e kam të qartë.
Tregimet përgjithësuese dhe ambientale të A. Shkrelit: “Te Shkreli tregimet përgjithësuese ndoshta kalojnë disi në variantin e fundit, kurse tregimet ambientale dalin përdhunshëm” (25). (Në cilën poetikë tregimet klasifikohen në përgjithësuese dhe ambientale? Ku i gjen autori këto nocione letrare?
Murosja: “Murosja e të gjallit për të ngritur ndërtesën e jetës. Por, kjo tani nuk është vepër e burrit, por e gruas” (33). Murosja nuk është vepër e gruas, po e burrit. Gruaja nuk flijohet, por e flijojnë! Këtë e bëjnë burrat, sepse janë ata që zotërojnë në shoqëri. Po të ishte e kundërta, po të zotëronin gratë, burrat do të flijoheshin, e atëherë vepra do të ishte e grave!
Moralizimi i madh: “Se letërsia shqipe në krye të herës, ashtu edhe në kohë të vona, kishte marrë misionin të krijonte modelin e sjelljes nacionale duke u mbështetur në vlera të larta sublime, ku kryqëzohen përjetë e madhërishmja me tragjiken, për të mbaruar në fund në moralizimin e madh” (35). Zakonisht, fjalitë e Hamitit përfundojnë me një epitet, pa ditur se si t’i përfundojë ndryshe!
Vargjet “duken”: “Te kanga kreshnike ‘Martesa e Halilit’, ......., vargjet 36-37 duken kështu:
E ka vu nji barrë dru t’vogël n’zjarm,
Treqind vetë p’r i herë m’u xe
Pra, dy vargje të lidhura ndërtojnë një kuptim, duke bashkuar në mënyrë paradoksale një litotë e një hiperbolë, për të siguruar një situatë të pazakontë mrekullitare, çfarë është karakteristikë e parë e letërsisë fantastike. (....), “Dhe këtu një litotë dhe një hiperbolë rrinë mirë të lidhura” (35). (Këtu duhet t’ia kujtojmë autorit se në dy vargjet e cituara nuk kemi të bëjmë me dy figura: litotë e hiperbolë, por vetëm me një: me hiperbolë! Në vargun e parë “E ka vu nji barrë dru t’vogël n’zjarm”, nuk ka litotë, sepse nuk ka zvogëlim; barra e druve është e vogël, jo e zvogëluar; për rrjedhojë, aty ku nuk ka zvogëlim, nuk ka as litotë. Se nga barra e vogël nxehen 300 veta, ky veprim krijon zmadhimin, hiperbolën. Po të ishte barra e madhe, atëherë nuk do të kishte as hiperbolë, sepse nga një barrë e madhe mund të nxehen 300 veta. Për ta thjeshtuar: në shembullin “Muji han dy desh të pjekur”, nga veprimi i Mujit krijohet hiperbola, por Muji në këtë rast nuk kthehet në litotë! Sipas logjikës së Sabri Hamitit, figura e Mujit duhet të jetë litotë, sepse po kryen një veprim të zmadhuar!
Legjendarizimi: Pasi përmend disa shembuj të hiperbolizimeve në të folmen e përditshme, si “ai ha dhjetë bukë”, “mos më lodh se t’i blej dhjetë telefona”, vjen në përfundim: “Hiç pa e ditur, kjo është hapje në legjendarizim të të folurit, të komunikimit. Legjendarizimi, më tutje, prek gjithë një ligjërim, një rrëfim dhe një histori të ngjarjes” (36). Nga shembujt më banalë që mund të gjenden në jetën e përditshme, S.H. bën përgjithësime që përfshijnë një fushë, siç është ajo e komunikimit apo e poetikës, ndërkaq sintagma “histori të ngjarjes” është tautologji!
“Duke u legjendarizuar figura (personi), apo ngjarja, humb shenjat e reales, të vendit, apo të kohës dhe duke rrëshqitur në jotemporalitet, merr vlera të pakontestueshme” (36). (Për çfarë vlerash e ka fjalën kritiku?).
“Një nivel tjetër të kontratës së madhe ndërmjet dashurisë personale dhe kodit të madh besimtar e suprem (Zotit) e njohim me ngjyrat tragjike të lakimit në novelën ‘E madhe është gjëma e mëkatit...’ të Mitrush Kutelit” (39)
“Nuk ka dyshim që koncepti i rilindjes (ringjalljes), si model kulturor popullor e nacional, nuk i takon vetëm një shekulli, por është lule e dalë nga një substrat eternal popullor” (39). (“Lule e dalë...” – vër.ime – S.B.) ”...këndon poeti tragjik Zef Serembe, duke paraqitur në mënyrë lapidare një kujtim që u bë si sëmundje” (40). (Kujtimi që bëhet sëmundje!)
Ishullimi: Nocionet e Çabejt, “fuqitë centrifugale” dhe “lëvizja centripetale”, vetëm sa i “përkthen” në fuqi qendërafruese dhe fuqi qendërlarguese. Ai në “Albanizma” shprehet: “Forcat qendërafruese gjithmonë kanë qenë lidhur me mundimin për qëndresën, për të ruajtur identitetin gjuhësor, që do të thotë rezistencën, dhe kjo ka prodhuar një situatë të ishullimit, jetën në vetmi, vetizolimin” (45). (Shih Çabej, në pjesën e pestë të librit “Për gjenezën e literaturës shqipe”, të titulluar “Fuqi centrifugale në historinë dhe karakterin e popullit shqiptar”, thotë: “Kufizimi që pamë se i bëhet truallit shqiptar, e sidomos veriut e lindjes, me vargje malesh të larta, ka pasur si rrjedhojë në historinë shqiptare njëfarë shkëputjeje e mënjanësie përkundrejt fqinjëve” (Eqrem Çabej, Studime shqiptare. ASHAK, Prishtinë 2008, f. 648). Nëse për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre, Çabej veçon dy arsye: “Thatësia dhe varfëria proverbiale e shumë viseve të Shqipërisë nuk ka mundur të ushqejë banorët” (Po aty, f. 648); S.H. gjen arsye të tjera të largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre: “Në anën tjetër, forcat qendërlarguese, të bëra për dhunë të të tjerëve, apo për të gjetur hapësira të tjera të ekzistencës, kanë prodhuar fenomenin e shkrirjes e të asimilimit” (45) (Se njerëzit largohen nga atdheu i tyre “për dhunë të të tjerëve”, këtë e dëgjojmë për herë të parë nga Sabri Hamiti. Konkluzat pa ndonjë logjikë brenda tyre, janë pjesë e diskursit të Sabri Hamitit.
“Ky është fati i një hapësire të vogël gjeografike që prodhon histori me tepri” (45) (Këtë mendim, që Ballkani është gjeografi e ngushtë që prodhon histori me tepri, e ka thënë tjetërkush!
Qyteti e provinca: “Mundet që Poradeci (Pogradeci) i Lasgushit të ngrihet përtej një ndjeshmërie poetike, kah një mes qytetar i një metafizike jo vetëm poetike” (51). (Shih Kuteli: “Themën e gjerë të Shqipërisë fizike dhe metafizike të përkufizuarë më lart...” (Lasgush Poradeci, Ylli i zemrës, Bukuresht 1937, f. 162). Në poezinë “Poradeci” të Lagushit, askund nuk përmendet asnjë qytet, as fizik as metafizik, ndërkaq fshati përmendet dy herë: “Duke sbritur që nga qielli përmi fshat po bëhet fir... (v.4) dhe “Në katund kërcet një portë... në Liqer hesht një lopatë” (v.6), Lasgush Poradeci, Ylli i zemrës, Bukuresht 1937, f. 17). Qyteti, i munguar në këtë poezi të Poradecit, gjendet në kokën e Sabri Hamitit, pikërisht në projektin e tij fals, të emërtuar “Albanizma”!
Vërejtje: S. Hamiti pronëson çdo gjë që i del përpara. Shqipërinë “fizike dhe metafizike” të Kutelit, e privatizon duke e kthyer në “një mes qytetar i një metafizike”! ndërsa në poezinë e Lasgushit zotëron një ambient fshatar, ku perëndimi i vagëlluar “duke sbritur që nga qielli përmi fshat po bëhet fir”, dhe në katund “kërcet një portë”, S. Hamiti nxjerr përfundimin se në këtë poezi kemi të bëjmë me një mes të një qyteti metafizik! Ndërsa në poezi shihen konturat e fshatit fizik, për S. H. këtu kemi të bëjmë me një qytet metafizik! E gjithë kjo ndodh kur kritika shkëputet nga vepra, duke u bërë kështu qëllim në vete dhe për vete.
“Në këtë vështrim ‘Gjilpëra’ e Konicës, nuk dihet a ther më shumë a qep më shumë, qoftë si figurë (emërtim), qoftë si personazh” (51).
“Musine Kokalari në veprën e vet ‘Siç më thotë nënua plakë’, tanimë si autore femër në një botë të patriarkalitetit, jep një pamje të brendshme të Gjirokastrës” (52).
“Nushi (personazh i novelës së Migjenit “Studenti në shtëpi”- vër.ime.S.B.) e di se vlerat morale të deklaruara janë vetëm maska të cilat duhet të bien përpara tronditjes më elementare” (54).
Kanuni: Gjeçovi “Me punë të pandalshme rreth tridhjetëvjeçare, ai mblodhi përvojën kanunore në popull e krahinë, për të krijuar një vepër rreptësisht të strukturuar, një vepër me sistem të vlerësimit” (61).
“Këtu (në Kanun – vër.ime-S.B.) fjala është sendi, dhe pa marrë parasysh që ka një nivel të lartë të sigurimit, gjuha e Kanunit është e rrezikshme, sepse është e saktë, e vetëmjaftueshme, që nuk duron as mungesat as teprimet” (65)
“Në vështrimin e përfaqësimit, Kanuni është një tekst ideal mimetik” (65)
“Këtu (në Kanun – vër.ime. S.B.) evidentohet e sistemohet ajo që ka ndodhur (si dëshmi, si empiri), për t’u bërë kjo një shembull a një paradigmë për atë që do të ndodhë” (66)
“Te Kanuni heroi mund të zhvillohet vetëm në përmasat e heroit moral” (69)
Kanuni është një libër që i takon sferës juridike. Në të janë kodifikuar normat e sjelljes në shoqëri. Kaq. Përpjekja për ta trajtuar Kanunin si vepër thjesht letrare dhe për pasojë edhe interpretimi i tij përmes poetikës si disiplinë e studimit të letërsisë, është sa qesharake aq edhe e kotë. Në Kanun nuk ka hero, po ka njerëz të zakonshëm që duhet t’u nënshtrohen normave në shoqërinë civile; në Kanun nuk ka imitim, po kodifikim të normave shoqërore; aty nuk ka ngjarje që ndodhin apo zhvillohen, gjë kjo që do të thotë nuk ka subjekt në kuptimin e një përbërësi të poetikës së veprës artistike, siç pretendon S. H. ta trajtojë atë. Aty “ngjarje” mund të hasim vetëm në raste të rralla kur ilustrohet ndonjë nen i Kanunit.
Tipizimi heroik: “Heroi bën një punë të pazakonshme, që shkon përtej masave të njeriut të rëndomtë. Tipat e kulturave heroike kanë më shumë heronj se të tjerët” (68). Po të mos bënte punë të pazakonshme, atëherë do të ishte njeri i zakonshëm. Mendim më të shleshtë për heroin se ky, nuk mund të ketë, vetëm në bisedat nëpër oda!
“Në veprën barletiane Skënderbeu e tret dhe e rigjen atdheun, identitetin, bëhet edhe njeri i zakonshëm, dashuron dhe urren, fal gabimet njerëzore, por edhe i ndëshkon” (69). Kështu, shprehet në mënyrë poetike për veprën e Barletit
“Po them heroi fantastik i Kangëve është një kombinim i kërkesave njerëzore me ëndrrat e tij fantastike për plotësimin e tyre” (69).
“Në Kangët kreshnike ka përshkrime të bukura e fantastike, më parë të peizazheve të natyrës, mandej të bukurisë, që është variantë shqiptare për dashurinë” (71) (Bukuria, variantë shqiptare e dashurisë?).
Në fund të kapitullit “Letërsia monumentale”, i entuziazmuar me “Historinë e Skënderbeut” të Barletit, me Këngët kreshnike dhe me Kanunin e Lekë Dukagjinit, autori përfundon se këto vepra shqiptarët duhet t’ua dhurojnë botës, por edhe vetvetes: “Pse jo, madje më duket e nevojshme, që këto vepra duhet t’u dhurohen edhe shqiptarëve” (74). Në këtë mënyrë absurde e përmbyll kapitullin e dytë të “librit “ të tij.
“Shkrimi autobiografik bëhet vlerë letrare kur rasti bëhet universal, përgjithësohet” (89). (Epo kjo është shkenca!).
Aristoteli: Pa Aristotelin do të ishte i mangët libri, por pretendimi se Aristoteli ka shkruar poetikën strukturale, siç konkludon autori, është absurd. “Filozofi antik Aristoteli ka shkruar Poetikën e parë strukturale, në të cilën bën dallimin ndërmjet historisë e letërsisë. E para tregon çka ka ndodhur, kurse e dyta tregon çaka mund të ndodhë” (235).
“Raporti i këtyre të dyjave (historisë dhe letërsisë – vër.ime. S.B.) bëhet më i vështirë në mënyrë të veçantë kur pretendohet të shkruhet historia e letërsisë, pra kur flitet për lidhjet e të ndodhurës dhe të mundshmes, për historinë e të mundshmes” (235)
Aristoteli i pari ka bërë dallimin ndërmjet historisë dhe letërsisë, por nuk është e njëjta gjë dallimi dhe raporti; e para tregon të ndryshmen mes dy gjërave, ndërsa e dyta marrëdhëniet ndërmjet tyre. Dy gjëra, edhe pse të kundërta, mund të hyjnë në raport me njëra-tjetrën.
Historia e letërsisë nuk ka për detyrë të “flasë” për lidhjet e së ndodhurës me të mundshmen, të krijojë një “histori” të së mundshmes; letërsia është diçka e mundshme vetëm në raport me historinë, por ajo hyn në raporte edhe me gjeografinë, filozofinë, sociologjinë, muzikën etj., si dhe me vetë jetën. “Lidhjet e së ndodhurës” me “të mundshmen” nuk janë edhe “histori e së mundshmes”!
“Kjo do të thotë që në letërsi ka dy postulate: njëri është historik, kur letërsia trajtohet si institucion; kurse tjetri është psikologjik, kur trajtohet si kreacion. Prandaj, për studimin e tyre duhen disiplina të ndryshme me objekt e metodë të ndryshme. Kur objekti është institucioni letrar, metoda është historike; kur objekti është kreacioni letrar, metoda është kërkimi psikologjik” (ku ka dëgjuar studiuesi për kërkimin psikologjik si metodë?)
Problemet me gjuhën shqipe
Në vazhdimësi, që nga koha kur ka filluar të shkruajë e deri më sot, S. Hamiti ka probleme me gjuhën shqipe, sepse nuk ka arritur ta zotërojë atë. Me këtë rast, për ta dëshmuar këtë, po ndalemi vetëm në disa shembuj më përfaqësues, të cilët gjenden në këtë libër që po e shqyrtojmë:
“Në Historinë e Skënderbeut të Barletit zotërojnë ‘fjalimet dhe luftërat’, betejat me ngjyrime morale” (70) (Si zotërojnë fjalimet dhe luftërat në një libër?)
“Te Kangët kreshnike ngrihet kulti i jetës së lirë të individit dhe i pavarësisë, ndërsa ndikimi bëhet nëpërmjet ngjalljes së imagjinatës së njeriut. ‘Fort po shndrit njaj diell e pak po xe!” (73). (Ndikimi tek kush, për çfarë, si?)
“E kaluara e Shqipërisë klasifikohet me figurën Zoj’ e randë, kurse banorët, shqiptarët me burrat e dheut” (f. 97). Si po u klasifikuaka e kaluara me figura?!
“Kërkimi i fenomenit (kursivi im – S. B.) të letërsisë autobiografike, që është universal, në korpusin e letërsisë shqipe, duke shqyrtuar autorë e vepra të veçanta (12 autorë), dëshmon që fenomeni (kursivi im – S.B.) është i pranishëm në letërsinë shqipe” (88)
“Pashko Vasa ka shkruar faqe të jashtëzakonshme në veprën ‘Burgimet e mia’, që i bën në Itali” (47) (Pjesa e nënrenditur përcaktore këtu përcakton veprën e Pashko Vasës, e jo burgimet e tij! Këtu lexuesi nuk e ka të qartë atë se autori flet për burgimin apo për librin “Burgimi im”!
“Ky fenomen letrar duket e shfaqet fuqishëm në romanin ‘Kronikë në gur’ të Ismail Kadaresë dhe në romanin ’99 rruzaret prej smeragdi’ të Zejnullah Rrahmanit” (84) (Në këtë kapitull autori flet për shkrimin autobiografik, por lexuesi mbetet në mjegull se për çfarë fenomeni e ka fjalën autori këtu!).
“Njohja e kërkimi i misterit të botës nëpërmjet prosedeut të habisë është prosedeu që sjell sharmin e papërsëritshëm të romanit ‘Kronikë në gur’”.(84) (Shembull tjetër, ku shihet se autori në sintaksë nuk ndjek një rrugë logjike, por të kundërtën; në shembullin e cituar, rendi i fjalëve do të duhej të ishte “kërkimi dhe njohja e misterit” e jo e kundërta, sepse njohja vjen pas kërkimit e jo kërkimi pas njohjes. Kur të njihet diçka, pushon kërkimi!).
“Nuk ka të bëhet as me kullën e kështjellën, si metafora, madje mite të identifikimit e të qëndresës” (50). (“Nuk ka të bëhet...”).
Përfundim
Sabri Hamiti po e përmbyll krijimtarinë e tij në fushën e kritikës letrare pa u ngritur asnjëherë në nivelin e studiuesit të mirëfilltë. Ai u erdhi deri në fund “sprovave të tij poetike” pa përvetësuar një metodë të vetme teorike letrare, pa arritur të krijojë një sistem, pa arritur të zotërojë në nivel të kënaqshëm gjuhën shqipe.
Ai nuk është i specializuar në asnjë fushë të shkencës së letërsisë. Por mungesa të mëdha ai ka në kulturën gjuhësore... Ndaj edhe në librat e tij ka kaq shumë konfuzion, josistemim, kundërthënie. Rrallë në shkrimet e tij gjen fjali të thurura si duhet, përfundime të sakta
Pasojë e mosformimit shkencor janë edhe vrapimet pas pseudoteorive dhe riciklimeve të vazhdueshme që u bën librave të tij.
Sabri Hamiti, skajshmërisht subjektiv, në shkrimet e tij ndjek një rrugë vetjake, që nuk e obligon të hedhë sytë jashtë saj. Dhe, në këtë rrugëtim privat, ai vetëm konstaton. Kjo është njëra ndër arsyet që në shkrimet e tij zotëron një gjuhë epitetike. A nuk është absurde që për poezinë e Ismail Kadaresë gjykon duke u nisur nga vjersha “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, të gjetur në dosjet e Sigurimit të shtetit; ose për krejt romanin e Kadaresë “Kronikë në gur” nga një klithmë “...rgrita”, të cilën në të dyja herët që e shkruan, e shkruan gabimisht!
Ai nga libri i parë e deri tek i fundit, jo vetëm që ka probleme me “teoritë” letrare dhe metodat, por ai në radhë të parë ka probleme me gjuhën shqipe, të cilat nuk mund t’i tejkalojë asnjëherë.
Ndonëse në librin e tij “Albanizma” paralajmëroi fundin e sprovave të tij poetike (“Ëndrra e hershme duket se po merr fund”), fjalëve të tij zor t’u besohet, sepse mënyra se si ka filluar t’i riciklojë materialet e pesë shekujve letërsi shqipe vetëm duke ua ndërruar titujt librave të tij të mëparshme, atij i jep mundësi që për çdo dy-tre vjet të dalë me “vepër” të re! Dhe pse të mos dalë, kur një “punë” e tillë i paguhet me euro nga buxheti i Kosovës dhe me dekorata nga Shqipëria!
| Random Content | |