Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

kulturë - letërsi

Nata mshehej n’qetësin e saj të virgjën. Udha m’humbte mes çastesh të heshtuna. Vargojt’ e arsyes ishin zgidhun prej kohësh. M’mbante t’lidhun me të vetëm e kaluemja e afërt. Ndërkohë edhe po me rrente gjumi në atë heshtjen e zhurmshme, derisa goma e autobuzit ra në nji gropë.

Edison Maçaj

Çova kryet nga rrejtja e gjumit. Dritat ishin të zbeta, ku me zor dalloheshin tiparet e vyshkuna të fatorines. E shihja se ishte e lodhun. Po e ndieja grahmën e lodhjes s’saj. Tinëzit po ia shifja tiparet. Po mundohesha me gjetë diçka të veçantë në pamjen e saj aq misterioze. Sytë? Jo, ata shprehnin veç lodhje. Dhe kjo me zor dallohej prej llambave t’zbehta të atij autobuzi.
Flokët i mbate të lidhuna mbrapa. Imazhi i saj t’jepte pamjen e nji grueje të moshueme, por, në fakt nuk ishte e tillë. Ndoshta ket imazh të gabuem ia jepnin dhjetna e dhjetna rrutullime në t’tanë qytetin pa u ndalun asnjiherë, por gjithmonë n’ecje dhe tuj pasë parasysh faktin se tanë ditën kishte të bâte me lloj-lloj njerzish.
Edhe pse ishte dimen, koha ishte e mirë, pavarsisht prej disa reve kercnuese që po i silleshin rrotull hanës, por pa e trembë. Pasagjerët e tjerë në autobuz sikur kishin ra n’heshtje. Ndoshta ndikonte edhe koha, ora po ia mbathte me turravrap mesnatës.
Secili prej tyne po mendote jetën e vet, momentet e kalueme, apo duke fantazue për nji t’ardhme me shpresën e afrimit t’saj.
E çuditshme!
Kajherë njeriu nuk e kupton, por ashtu siç ndrrojnë mendimet, ashtu ndrrojnë edhe tiparet e ftyrës. Ja, për shembull, ai burri atje me njanën lidhëse të këpucës të zgidhun, e ndjej se po andërron, pasi ftyra e tij ka marrë nji pamje t’veçantë. Ju mundeni me m’thanë se po kujton ndoj çast intim t’jetës së tij. Ndërsa unë po iu tham se aj po andërron sepse vetëm andrrat, ato grimca jetet qi na ndjekin pas në cilindo moment, na japin atë pamje ambëlcie qi shpeshherë e vrejmë te njani-tjetri, kur jemi në shtëpi apo edhe n’rrugë.
Fatorinoja shkoi në krye të autobuzit dhe filloi me marrë paret. Dukej prej mënyrës se si lëvizte, se si komunikote, se si kthete kusur, se ishte e mërzitun, ma shumë lodhë prej asaj ditë monotone. Ajo u mërzit edhe ma tepër kur njana prej pasagjereve i kërkoi me i kthye si kusur disa të vogla, disa të mesme mekenëse i kishte dhanë nji kartmonedhë të madhe. Ajo, me atë monotoninë qi e karakterizote atë mbramjevonë, ia ktheu të tana paret pa ba za. Ndoshta po të kishte kenë paradite do t’i ishte vërsulë. Por tash nuk kishte as forca e as nerva për ta ba ‘i gja t’tillë.
Mu afrue edhe mue. Pa fjalë i zgiata monedhën e vogël dhe i hodha sytë përtej natës misterjoze. Por nga reflektimi i xhamit vuna re imazhin e asaj grueje, që në atë reflektim dukej edhe ma e plakun.
Mshteta kryet në xham. Prej larg po dallohej mrekullia e dritave të qytetit tem. Mbylla sytë kadalë. Më flehej. Por nuk duhet. Edhe pak minuta do të hyja n’qytet, dhe këto momente do t’doja t’i shijoja me tanë forcën dhe ambëlsinë e tyne. Atë magji që ma jepte vetëm qyteti jem natën.
Por ndalesa e atij autobuzi me llamba të zbehta m’bani t’hapja sytë. Prapë kadalë. Nga dera e fundit hyni nji burrë me flokë të bardha. Qëndroi në kambë pasi vendet ishin të zanuna.
Të jepte pamjen e nji njeriu qi mendote shum, ose t’paktën, qi kishte mendue shumë. Flokët e bardhë të bajshin me kujtue nji borë të kristaltë mbi nji gmushë, mbase të shkulun e të lanun në nji qoshe.
Dhe atij, si të tanë neve, iu afrua fatorinoja me atë lodhjen e saj qi i shprehej në të tanë trupin, veçan n’sy. Burri me flokë të bardha borë e shikoi me vëmendje pikërisht njaty, në sytë e saj. Pse e shikoi në sy? Ajo i uli. Nuk i pëlqete pa kend në ato momente. Ishte lodhun shumë. Ndërsa burri me flokë të bardha borë nuk po ia date sytë. Ajo çuditas i ngriti. Sytë i shkëlqyen fort. Kyt e dallova mirë. Nuk mujte me m’ikë nji shkëlqim i tillë pa e vu re, edhe pse dritat ishin t’zbehta. Sikur po shikote në nji imazh të largët, fytyrën e nji kujtimi të hershëm. Vuni dorën në gjoks (mos ndoshta në shpirt?) dhe e mbajti aty giatë. Buzët e saj lëvizën, diçka ndoshta edhe shqiptuen por zani nuk i doli prej gryket, ose nuk e ndigjova unë? Nji moment pashë të tjerët, por që të tanë shihnin diku tjetër, veç tek ata të dy jo. M’dukej se para mejet po përjetohej diçka e kalueme, dhe unë n’atë përjetim isha spektatori i vetëm, ndoshta i hyrë në pozicion krejt jashtë lojet. Nuk po kuptoja asgja. Ata vazhdonin me u pa me andje. Kushedi ça po i thoshin njani-tjetrit me giuhën e çuditshme të syve. Ça po kujtonin? Ndoshta nji epokë të largët qi mund t’i kishte lidhë e mund t’i kishte dâ pa hapë e pa mbyllë sytë, as për me pâ njani-tjetrin. Sikur tanë aj vështrim mes tyne po rikthete mbrapa tanë atë kohë qi nuk kishin mujtë t’shiheshin në sy, në thellësinë e tyne.
Sa larg po flutrojshin me imagjinatë? Ku po i dërgote kujtesa e tyne tashma e vjetër?
Grues po i mbusheshin sytë. Kyt mezi e dallova. Ndërsa burri flokbardhë lëvizi dhe tashma e kisha me shpinë. Ate nuk e shihja në surrat. Por, ndoshta, edhe atij... Grues nji lot i pikoi letë dhe i rrshqiti mbi faqe. Lot që nuk mujti me vdekë n’faqen e saj, meqi dora e tij iu afrue pranë dhe e mori atë lot, nuk e shiu. Pashë qi ajo dorë u mbyll me forcë e mandej u afrue pranë buzëve të tij. Nuk e dijsha se çfarë i bate me ndejtë ashtu të ngrimë, si dy copa prej akulli duke pa njani-tjetrin pa pushim ndër sy? Ça ishin? Ça kishin kenë? Ça kishte ndodhë qi kjo natë po i çote në nji kohë të vjetër, të largët? Ndoshta mujte me pasë kenë edhe ndoj’ shenjë pendese qi kishte mujtë me hi krejt lirshëm n’mes atij shikimit shumë të thellë e të dendun.
Ajo i buzëqeshi ambëlsisht siç dinë t’buzëqeshin veç femnat. E ma pas nji vështrim i çuditshëm i kaloi mbi sy, ndoshta dote me thanë nji keqardhje e ndime deri në thellësinë e shpirtit. Dora e saj hala vazhdote me kenw po njaty mbi gjoks, por lëvizi, me drojë, dhe iu mbështet dorës s’burrit. Si i zanun n’faj burri uli kryet. Ndoshta ishte falje? Ndoshta e falun?
Edhe unë si i zanun n’faj e hjeka kryet prej andej, nuk dojsha ma me mendue asgja për at’ qi mujtun me pa ndodhë mes tyne. Ose qi mujte me ndodhë prapë? Nuk dijsha ma asgja. Isha vetëm nji spektator i harruem ndoshta në nji sallë shumëvjeçare, nën praninë e nji filmi të heshtun, pa pikë zanit.
Tashma kishim hy n’qytet, por, mrekullia e dritave të tij, nuk po më jepte at kënaqësi qi kisha pritë...

Edison Maçaj bio

Random Content

Comments  

 
0 #2 2010-09-06 13:41
meriton nje vemendje te vecante nga kritika jone per thellesine e mendimit dhe pershkrimin e shpirtit njerezor
Quote
 
 
0 #1 2010-09-06 13:31
meriton nje vemendje te vecante nga kritika jone letrare per thellesine e mendimit dhe pasqyrimin e shpirtit njerezor
Quote
 

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval