Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

kulturë - letërsi

Ndiehej e uritun. Ishte e uritun. Stomaku i saj fishkllete trishtueshëm. Duhej me hanger diçka. Me e mbushë atë stomak të madh me çado qi t’gjete, mjaftote me e mbushë e m’u ndie e ngopun. Sepse, nëse ngopej nuk dite me arsyetue. Ndërsa, e gjendun me barkun petë, arsyeja e saj punote mrekullisht. Por ajo nuk dote qi arsyeja me i punue, mbasi i dukej e tepërt, duke kenë se, në botën ku jetote, arsyeja nuk vehej hiç në përdorim, mbasi krijesat e asaj botet, çdo ditë e ma tepër po merrnin për bazë mosarsyetimin dhe gjithçka u shkote ma mirë, sikur me te i paraprinin çdo problemi apo deshire.

Prapë ndiehej e uritun. Prapë ishte e uritun. Stomaku i saj hala e vazhdonte atë fishkllimën e vet trishtuese, duke kenë se hala nuk kishte gjetë asgjë me futë nën dhambë. Ndonëse ishte në kërkim, asgja nuk po shihnin sytë e saj. Akoma po e ndiete arsyen ta rrëmbente fort, duke mos i lanë asnji qelizë të trupit të saj pa kontroll.

Sillej nëpër atë vend të çuditshëm, por hala nuk po shihte asgja qi ta kënaqte dëshirën dhe synin e saj. Papritun, sytë iu ndalën te nji qenie e cila rrezatote zymtsi. Pavarësisht prej kalimit të shumë vjetve, ajo e njohu. Ishte ajo krijesë qi i kishte ikë prej kthetrave kohë ma parë.

E pa. E pa ngultas. Ma mbrapa shikimi sikur iu ambëlsue. Ndoshta e kishte marrë malli për at’ qenie të vogël, por, nga ana tjetër, stomaku i saj prej të uritune, këtë mall sikur ia hedhte poshtë bindjes. Duhej me vendosë me e ndjekë apo me e takue. Rrugë të mesme a mundej me pasë? Ndoshta. Por, e urdhënueme prej stomaku, e ndoqi mbrapa me hapat e saj të mëdhenj e të shpejtë. Krijesa, edhe pse me ndjenjën e frikës qi i ishte endë në trup, nisi me vrapue.

Vrapote. Por, hapat e mëdhenj e të shpejtë po i afroheshin gjithnji e ma shumë. Krijesa u tulat nji çast, pasi nuk po dite se kah me ia mbajtë, derisa gjeti nji skutë të vogël me u fut mbrendë. E urituna u tërbue. Duhej se s’ban me hanger diçka. Por ajo krijesë qi i kishte shpëtue edhe kohë ma parë, po i shpëtote prapë. Në atë skutë ku ishte mshehë, nuk mundej me e kapë mbasi atje ajo nuk mundej me depërtue. Por duhej me hanger diçka, se s’ban! U tërbue edhe ma shumë kur pa se nuk po mujte me arritë qëllimin. Iu afrue edhe ma shumë ndërtesës ku krijesa arratisëse ishte fshehun në atë “skutë të mallkueme”, e quajti, dhe s’e kuptoi pse e quajti ashtu, edhe pse në ato momente arsyeja po i punonte mrekullueshmënisht. Duhej me e gjetë.

Filloi me thye xhamat e asaj ndërtese, e pastaj me i përtypë ngeshëm. E dite mirë, krijesa e fshehun nuk kish kah me i shkue. Mandej, me duert e saj të mëdhaja e të bashme, kapte copat e mureve dhe i përtypte, edhe ata ngeshëm. Tash po ndiehej ma mirë. Arsyeja, moment pas momenti, po e lëshote. Po bahej e paarsyeshme. Ndiehej e plotfuqishme. Muret filluen me i pëlqye, sa filloi me i hanger ma shpejt, ashtu e babëzitun siç ishte. Në nji qoshe të asaj ndërtese, tashma të shkatërrueme, vrejti tek strukej krijesën e arratisun.

Qeshi me të madhe, ndërsa qenia e vogël dridhej e dridhej nga frika që i ishte njeshë në trupin e saj të vogël si nji xhup i ngushtë. Ajo vazhdote hala me qeshë. Tashmë e kishte në dorë. Por, befazi, ndieu dhimbje barku.

“Mos!”, thirri me të madhe.

U kujtue se stomaku i saj nuk mujte me i tretë ato “ushqime”.

Lëshoi nji “oh”. E mbas pak çastesh, e urituna, tashma e ngopun, u pllakos përdhe.

Edison Maçaj bio

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval