Renditja e përdoruesit: / 6
DobëtMirë 

kulturë - letërsi

Del prej shpisë.
Sheh rrotull. Asnjeri rrugve. Sikur me i pa përpi. Nuk po kuptonte asgja. Pse bosh?
Vazhdon me ecë. Pa ndoj synim të caktuem. Vetëm me ecë. Drejt. Të palosun e të lanun në nji qosh të rrugës, sheh nji kartmonedhë të madhe. I afrohet. Ia ngul sytë mirë. Pastaj vështron rrotull. Askush! E merr. E fut në xhep. Pas pak hapash sheh edhe nji tjetër. E merr edhe ate. Iu banë kështu dy kartmonedha të mëdhaja në xhep. Ndiehet mirë. Edhe pse, kur para kambëve të tij sheh nji tjetër, fillon me dyshue. I duket se dikush po i bën nji lojë. Por, rrotull nuk ka njeri të gjallë.


Nuk e merr. Befas sheh se ana e dukshme e kartmonedhës është e ndyeme. Çuditërisht, vendi ku ka ra (ose edhe ku e kanë lanë?) shkëlqen prej pastërtisë. Prapë rrotull, askush. Mendon me ecë e me vazhdue rrugën e tij, por nuk e din se për ku. Kuturu? Epo, mirë, ndoshta ia vlen! Kartmonedhën aty e përçmon dhe vazhdon rrugën. Vetëm. Hala nuk sheh askënd nëpër atë vend. Çudi! E ka njohë gjithmonë si nji vend gumëzhues prej njerëzve të shumtë qi gjallonin në te.
Ndalet. Nuk e kupton psenë, por kthehet mbrapsht. Rigjen aty kartmonedhën. Tani ajo nuk ashtë ma e ndyeme. E habitshme! E pra, e mban mend shumë mirë ndyemjen e saj. Nuk mundet me gabue. Nuk mundet me ia lejue vedit, mbasi e njeh mirë sa për të ditun se ashtë tip i vëmendshëm. Ndryshe nga të tjerët. Por tani, kartmonedha e pastër po e vë në mëdyshje mbi vërtetësinë e vëmendshmërisë së tij.
Vazhdon përsëri me ecë. Injoron kartmonedhën. I duket e tepërt me e marrë mbasi dikush mundet me e pa. Por i duket jo e zakonshme me e lanë aty, pasi ajo kartmonedhë ka premje të madhe dhe mundet me i hye në punë. Mbas pak hapash para, rikthehet dhe vendosë me e marrë. Nuk e gjen. Nevrikoset. Ajo duhej me kenë pikërisht në vendin e maparshëm. Pse nuk ashtë? Justifikohet me faktin se ndoshta mundet me e pa marrë era dhe vazhdon me ecë prapë. Struket në pallton e tij të nxehtë. Ndiehet i kënaqun. Tashma i ka dy kartmonedha në xhep.
Edhe pse ka ecë mjaft, hala nuk ka pa asnjë njeri rrugëve. Ku kanë shkue? Ku janë? Nuk sheh rrugëve as kambë njeriut e as kambë kafshet (ma saktë, putër kafshet). As makina nuk duken kurrkund. Rrugët janë të shkreta. Ulet në nji stol. Si ka mundësi që nuk gjen rrugëve asnji të njohun, bile edhe të panjohun, të paktën sa për me shkëmby nji përshndetje. Ma ndej sheh nji grumbull kartmonedhash, si ato të maparshmet, të hjedhuna andej-këndej ku era po luente me to. Merr shumë e shumë prej tyne dhe mbush xhepat e mëdhej të palltos, ato të pantallonave. Janë pare, pare të vërteta! Merr edhe disa grushta të mëdhej prej tyne dhe shkon e ulet te stoli. Fillon kadakadalë me i palosë e me i numërue. Me ket shumë tepër të majme mundet me ba shumë gjana, mund me ble gjithçka. Fillon me e rrejtë gjumi. Taman aty në stol. Por nuk i bahet me fjetë mbasi ka frikë se mos ndokush mundet me ia rrëmbye paret...
...E çojnë prej gjumit disa pëshpritje. Hap sytë. Rrotull sheh disa njerëz qi e shohin me habi.
“Ej! Po nga kishit humbë ju kështu?”
Ata vështrojnë njani-tjetrin në sy. Ndien të ftohtë. Mundohet me u strukë në pallt...
“Palltoja! Ku ashtë palltoja jeme?”
Ndien se është në brekë.
“Po paret more, paret e mia...”
Ata prapë vështrojnë njani-tjetrin në sy. Nuk po kuptojnë asgja. Pse ky njeri gjendet i zhveshun vetëm në park? E përse kërkon pallto e pare, kur nuk ka as pantallona?
Çohet prej stolit. Ashtu siç ashtë. Ia mbath me vrap dhe mbas vedit ndien jehonën e të qeshunës së tyne. Mbërrin derën e shpisë. E hap. Mban mend se e kishte kyçë mirë para se me dalë. Grueja e tij akoma po flen. Kishte shëtitë tanë natën qytetin. I zhveshun.
“Mos thue jam sonambul?”, dhe qesh me vedin.
Sheh në varëse pallton e tij. Fut dorën në xhepin e brendshëm të saj.
Shtang!
Gjen të palosuna aty dy... gjethe.

Edison Maçaj bio

Random Content

Comments  

 
0 #2 2010-10-02 16:23
Quote
 
 
0 #1 2010-09-07 15:05
urime miku jem, m'ka pelqy shume tregimi jot. Gjithmone pa kaperdi ka me na mbete misteri mes gjumit e zgjimit, prandaj shpesh na pelqen me i lane barazim e ndahena vetem me dy gjethe ne xhep te palltos...:)
urime edhe nji here...
Quote
 

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval