Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

kulturë - letërsi

Ose rrëfimi për plakun e mirë dhe metropoli

Këshilla e katërt

 

Shty Prej Pasionit të Përgjithmonshëm, të Pandryshuem, fytPërvlues e djegagjoks m’i ba gjanat e mos me ndejtë kambëoduerkryqi hyna n’ATdheun AMË si me hy në nji shkretinë jeshile. Kudo jeshil e frymë paK. Absurditet si togfjalëshi i ATdheut me AMËn. Me nji parabolë mendoj se ATi me AMËn janë të ndamë e më duket sikur kam shkue me jetue për do kohë te baba.

Nsa për gratë thuhet n’gjini, unë i bjen me qenë n’babni.

 

Gjithsesi, meqë kam ecë me mija kilometra male e besa edhe kohë, m’lejohen disa këshilla fluturimthi për ata që duen me ecë, me vrapue, me fluturue ose me shpërthye tejpërtej:

1. Kurrë mos hyn në male i dëshpëruem se mali të han;

2. Kthesat merri me turr t’kujdesshëm se ose ka me t’ikë koha ose ka me t’hangër koha;

3. Po s’pate njeri me vete n’udhëtim e je i vetmuem, mendo për dike, asht ma mirë me qenë i shoqnuem kur bahet fjalë për male e për kohë.

T’i thashë këto sepse në nji udhëtim dy gjana kanë me t’u shfaqë: blerimi e shkretimi. E para ka me nisë me të ftue me fillue me mendue me vendosë m’u ulë me pushue tue mrizue m’e shijue vendin tand, kurse e dyta ka me t’i pre forcat e me t’i errë sytë prej dhimbjes. Mos u mërzit, se kjo i ndodh gjithkujt që i ka ATin e AMËn të ndamë. Ajo që ke me ba asht m’i ndjekë katër rregullat që t’i përmenda ma nalt. E tash pyetja e parë që të jepet me ma ba asht se cila ishte këshilla e katërt që s’duket kërkund?

I dashtun, ajo asht mbrenda teje edhe e din vetëm ti…

 

Qyteti K.

 

Qyteti K. asht kontakti im i parë me AMËn dhe paraqitet si paradoksishoqnon absurditetin e fillimit. AMA duhet m’i pasë dy cica të mëdhaja ku qyteti K. duhet m’e vu gojën e vet t’vogël me thithë tamël. Por, ndodh e kundërta: ama, me cicat e mëdhaja jashtë i thith këtij qyteti ujin e dritat dhe e len në terr e në zhurmë gjeneratorësh. Si krejt veriun. Due shumë, as sa shumë due me mendue se gegët nuk janë budallë po s’mundem.

Më kujtohet nji film që kam pa në TV K. para tre vjetësh: heroi sovjetik i vret krejt amerikanët dhe i plagosun për vdekje çohet e ia shpraz karikatorin e fundit amerikanit të fundit deri në plumbin e fundit para se m’i ardhë fundi atij vetë, filmit së dyti e së treti bindjes sime se ne shqiptarët jemi popëll i anshëm kah amerikanët (TV K. po mundohet me drejtpeshue krejt çak norrisat).

Por ani! Si gjithherë i sulem maleve e greminave që qeveria demonkratike i sheh ose kur ban gjumë të keq natën, ose kur i duhen votat.

Fundi i Fundit, Malësorët e këtyne Maleve Malore janë qytetarë të Dorës së Tretë dhe duhet me punue shumë derisa të shkojnë në metropol, ku mbasi t’u rrjedhë djersa për lug të shpinës (në Shkodër i thonë ndryshe asaj që vjen mbas lugut) ka gjasa m’u (de)gradue në qytetarë të Dorës së Dytë.

Dora e Parë asht kompetencë e rezervueme.

Kajherë ndodh që kojshitë e qytetit K. qeveria i çon “jashtë shtetit” si talente të padiskutueshme e të padamçueme për specializim (ose arealsocializim). Krejt fisi i tyne lumtunohet se tash ka me pasë ku me fjetë kur të shkojnë në metropol. Kanë m’u mbledhë krenarë m’e pa në televizor se si me trimni, drejtësi e mendje të kthjellët ban kuvend me burrat e metropolit. E kujtojnë tek lodronte nëpër zabele kurse tash asht ba elitar. O bo tironc.

 

Tironci, specie në shumëzim e sipër

 

Nëse ju kujtohen ato cicat e mëdhaja që po i pëmend veç sa me ju çue nervat, tipari kryesor i tironcit në këto kohë hero-ekonomike asht m’u strukë nën hijen e tyne (cicave, pra!) e m’i thithë fort se ka për të tanë (tironcit). Ai që i thith ma fort asht ma metropolitani. Tamli i metropolit asht ba si Kisha e Laçit: nse don m’u shërue prej impotencës artistike, n’se don me (ta) shti emnin nk’analet (ulluqet, hendeqet) shqiptare duhet me shkue n’metropol.

Tipari i dytë i tironcit del si veti, duhet me ditë me ke me pi kafe e çfarë muhabeti përkatës me lëshue n’tavolinë. Për shembull, nëse rrin me tironc gjinokastrit, duhet me thanë se sapo je tronditë prej librit të fundit të smajlit, që edhe pse s’ja mban mend titullin asht ma i miri (libri, jo titulli) libër botue tek ATI, AMA e fryma e shenjtë. Po t’rastisi me ndonji gegë budallë duhet me thanë se sala asht trim e se me ciklin e fundit te llapa besniku asht poet i madh. Nse rrin me toçin a hudrën, të parit shaja tanë kosovarët, të dytit shkodranët, dhe e ke sigurue nji javë pushim në panairin e Ulqinit (ulqinak shkrimtarë sa pak!).

Mundet me të ndodhë me ndejtë me kanalista. Këta ndahen n’ata që s’dinë e n’ata që s’duen. Para mustafës duhet me ndejtë gojëhapë sikur po mrekullohesh prej thellësisë së mendimeve të tij, fatosit (që hala asht i bindun se shkolla e parë shqipe asht hapë në Korçë) mos i thuej kurrgja se mendon ai edhe për ty dhe lene rehat me çue para demonkracinë shqiptare.

Tironci asht unikat, monument kulture që rritet e mbarështrohet (mbrapshtohet?) në metropolin me histori të lashtë treqindvjeçare dhe me kryetar bashkie të gjatë… shumë të gjatë. Tironci asht qenie krenare që ka marrë mbi shpatulla peshën kombëtare shqiptare, bile ka marrë përsipër edhe strehimin e koncepteve mbi shumicat kombëtare jo-shqiptare si grekët, podgoriçanët, vllahët, magjypët, goranët, maqedonasit e me radhë, që neve, pakicës shqiptare në shqiptari na e paskan ba historinë, kulturën e gjuhën. Po more, (q)ysh(!) jo…

Çdo gja kombëtare ndodh në metropol, kurse në qytetin K., prej nga hyna unë e në qytete të tjera me ose pa K. nuk ndodh kurrgja asnjiherë. Tironci ka nënspecien “goca ekrani” (© prodhim mashkullor) që si gra-merimanga të shtijnë m’u rrënqethë prej xhestikulacioneve impulsive të pakontrollueme shkaktue prej piliherdhjes prej drejtorit n’drejtor (prit kur t’hidhen në prehën edhe ty si shikues), që t’i tundin skënderbegat (heroi kombëtar-leku) para fytyrës si A-ja dhe Zh-ja e moralit dhe që alfabeti i tyne ka formën e nji goje plake (kanë ra shkronjat). Nënspecia tjetër asht nji djalosh me shumë varëse ari rreth qafës me pak lesh me jakë të bardhë mbi xhaketë me disi duer të lira prej unazave të shtrenjta me vleftë m’u pajtue te dyqani i bukës m’e marrë bukën falas për 37 vjet, “tregtar mielli” me pare me dashnore artiste (prodhim Enkeleida®)

Metropoli asht edhe inkubator tironcish me çuna e goca ministra e ministresha, drejtora e drejtoresha ekzekutive që jetojnë shumë sipër nivelit të vorfnisë (sondazhet e fundit i nxjerrin shqiptarët ma të vorfnit n’Evgropë, po ne shqiptarët jemi të lumë).

 

Te rrâjët

 

Prej ATIt, tue hy te AMA tue kalue nëpër qytetin K. për në me-trAp-ol, kthej të RRÂJËT e mia, ku shof nji qytet që e ndjesoj me zemër e jo me sy. S’kam nevojë me pa kend, sepse ndij. Eci me sy mbyllë pa u rrëzue, i mbylli veshët e ndigjoj krejt zhurmat përreth. Kjo asht forca e rrâjëve. Edhe pse jeta përbahet prej nji rrethi, diku asht rrfana, nisja e fundi. E rrfana asht në këte qytet qoftë edhe pa jetue në te. E s’mundesh me ba kurrgja nse nuk ke themele, nse s’ke rrâjë.

Te ky qytet jeton nji plak i mirë që don me shkue në metropol po s’din se si me udhëtue. E ka provu me hypë në lokomotivën arsh kur ky nuk i prishte punë kurrkujt, ishte i urtë e i butë, nuk e shprishte tangarin, po kur tangarit iu hoq hini e dolën gacat, u tërhoq se s’ia mori mendja se tironcit kishin me qenë aq meskinë sa m’e vu para alternativave ekzistenciale të papërballueshme. Fundi i fundit arshi asht lokomotivë që ose i merr njerëzit m’i çue larg, ose i len në tokë me ecë në kambë. Nuk ka rrugë të mesme, sepse vetë jeta asht udhëkryq ku ke m’e marrë nji drejtim.

Mandej filloi me përkëdhelë fiqën taotao (se çka asht fiqa pyet në trojet heroike shqiptare n’ish-Jugo). Ky taotao asht nji arush njyra-njyra rondokop, as i shkurtë e as i gjatë, as i gjanë e as i hollë, Ku Kajherë Ka ndonji gja të mirë në te, por ka Tul për Të Tanë (jo veç për TironciT, dhe ku jepen honorare, se lene ma të tjerat, aq sa kushton bileta e arshit). Tul ka, tul, as kilet e marmalatës s’ia kalojnë. Ate tul filluen m’e hangër edhe dibranët (që ndreqin shpija) mbasi kishin hangër marmalatë, kurse plakut të mirë i mbeti thatë. Ose me hangër marmalatë, ose me hangër tul. Prej këtyne alternativave plaku i mirë zgjodhi të tretën: m’u puthë jo me milon (jo politikanin se ai s’din), po me llapën

…që asht si makinat e para në filmat bardh e zi - shumë bujë e pak gja, asht e pavarun edhe pse krejt i ka me miell hua. Asht si lëkura e shagrenit në kah të kundërt. Për ata që s’marrin erë nga shkenca, shagreni vjen prej frëngjishtes “chagrin” [disa shqiptare të shqpuem, me shumë gjasa gegë budallë, e nxjerrin prej gjedhes së shqipes “ça grin”, që don me thanë “ah ça grin sallatë mirë”] për të cilën disa etimologë thonë se asht lëkurë e ashpër me të cilën pastrohen e lustrohen gjanat. Kahu i kundërt ka të bajnë me faktin se ku lëpin llapa s’dalin qimet [versioni modern i thanies së popullit tonë heroik e mitik “ku shkel turku nuk mbin bar”] sepse përpjetë qimet i ka çue kaherë, aq nalt, sa u kanë dalë krahë e kanë fluturu prej tmerrit.

Pra plaku duket se asht në rrugë të mbarë me shkue në metropol. Aty Të Tanë Thithin Tamël e Tuten Tamam që me shkue mirë me Të Tanë, se aTy ka Tul për Të Tanë Tironcit e meTropolit. Askush s’asht në gjak me kërkend, sepse atje gjaku asht ba ujë. Gjak ka vetëm kur metropolit i del kush para (prej jashtë metropolit) dhe ia thotë se çka asht metropoli n’t’vërtetë. Ia prish rehatinë. Nuk i len tironcit me shkue nëpër pika turistike me ia ba qejfin njeni-tjetrit me brusha të gjana e të mëdhaja që botohen menjiherë të nesërmen si ngjarje të përmasave botnore. Pamje perverse e nji trupi pa krye, ose e nji Kryti me Krymba, që janë Krymba të përKryem se janë Krymba metropoli.

A ka me mbetë plaku në metropol kjo asht çështje tjetër. Sepse pavarësisht se atje Të Tanë Thithin Tamël, lufta s’ka marrë fund ende ku llapa e taotao kanë armëpushim tash për tash. Ma përpara, ishin shue gjaqet në malësi por u ndezën në letërsi, aq sa duhej ba nji kanun si ai i Lekë Dukagjinit, p.sh. nji artikull lan borxhin e nji artikulli, artikullshkruesi s’ka të drejtë me shkrue prapë pa pritë përgjigjen e gjaksit, kur ka gjak me marrë varet artikulli me gjak në tel te shpia ose redaksia, kur e vret nji artikull duhet m’e kthye gazetën mbarë me ftyrë kah dielli, ose kur ta kanë drejtue nji artikull e ti s’i je përgjigjë ende ta japin gazetën nga poshtë kambës se s’e ke marrë gjakun.

E unë s’e due krahinën si metropoli. Jam jashtë e anash tij tue qenë ma mbrenda tij se tironcë e gegë budallë. Kam vendosë, shty Prej Pasionit të Përgjithmonshëm, të Pandryshuem fytPërvlues djegagjoks m’i ba gjanat e mos me ndejtë kambëduerkryq, me ecë, me vrapue, me fluturue e me shpërthye tejpërtej ATit e AMËs të ndamë.

 

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval