kulturë - letërsi
Me shkrue parathanien e këtij ditari, që sigurisht asht ma natësori dhe ma i magjishmi që më ka ra ndonjiherë në duer, asht provë e çuditshme, mbasi çdo fragment i tij përban veçmas nji parathanie: parathanien e nji romani që nuk fillon kurrë. Kjo tregon mungesën e nji plani të veprës nga ana e shkrimtarit, por njikohësisht provon edhe se kjo mungesë asht e qëllimshme.

Bernardo Soares asht nji njeri që rri në dritare. Kështu fillon edhe parathania e Tabucchit. Njeriu që rri në dritare sodit poezinë e botës. Kjo të kujton se nji imazh i përhershëm në vjershat që shkruejnë fëmijët asht pikërisht ky qendrim në dritare, tue pá horizontin e lagun nga dielli a shiu. Kur rriten shumica i ikin poezisë, disa i mbesin besnikë por mundohen me i ikë këtij përftyrimi, mbasi ngjan si tepër i ambëlsuem dhe fëminor. Porse kah ana filozofike, ky asht imazh krejt domethanës. Me qendrue në dritare për me mendue asht nji manierizëm flagrant.
Njeriu që rri në dritare asht nji qenie mirfilli estetike. S’asht e rastit që Pessoa, si lajtmotiv, në këte potpuri mbresash fenomenologjike, ka zgjedhë fenomenin par excellence, motin, kohën meteorologjike. Në fakt nji njeri nuk rren kurrë kur flet për kohën, por as nuk thotë të vërtetën. Me folë për motin, asht nji veprim që hyn tek ato që Kanti i kategorizonte si moralisht asnjanëse: me ecë, me fjetë, etj. Me folë për motin asht nji veprim mirëfilli estetik, mbasi ti mundesh thjesht me thanë si e sheh dhe si e ndjen dhe kurrë si e gjykon moralisht. Në fakt Soares, njeri i dominuem nga pasioni estetik, nuk thotë kurrë: koha ishte e keqe apo koha asht e mirë. Të vjetrit thonë se ka njerëz të cilëve s’u ban përshtypje nëse koha asht me diell a me shi. Kjo alegori shpreh thelbin e të ndjemit estetik.
Bernardo Soares asht nji nëpunës i thjeshtë. Si Pessoa, si Kafka.
Mue Soares ma kujtoi njeriun në dritare të Kafkës. Enigmën e jetës në qytetnim. Pse nji dritë e ndezun natës në nji metropol, përban gjithmonë nji enigmë, ndryshe po t’ishte kjo dritë e ndezun në fshat do kishte si rregull, mister ma të vagët. Te Amerika e pragezit, studenti që natën lexon në ballkon, gjegjet se hepërhe nuk e shqetëson gjumi, e se ka me fjetë mbasi t’i kryejë studimet. Bernardo Soares, përkundrazi, thotë se flen gjithmonë e se nuk ka me kuptue kurrë, asgja. Landa e perceptimit asht e njejta. Veçse mënyra e perceptimit asht e përkundërt. Kahja e Soaresit asht introspektive, e drejtueme kah meandret e pusit të shpirtit të tij që ia ngul sytë qiellit… pse ai mendon par translation. Dhe sheh poshtë dritares, jetën që rrjedh, e kupton, se ajo që rrjedh aty poshtë, asht, në fakt, jeta e tij.
Në pagjumësinë e natës Soares numëron yjet e padukshëm pa i numërue cigaret që tymos. Dhe asht i lumtun nga ajo palumtuni, asht i lumtn se mundet me shkrue se asht i palumtun. Dhe asht i lumtun prej të qenit vetëm dhe prej të mosqenit mbështetje sociale për askend, tue qenë njikohësisht pikëmbështetje për universin e tanë. E me ato fjalë që hedh herë mbas here në letër pa rregull, pa u mundue me i shpëtue, pa projekt, pa mendue për librin, si vetë jeta e tij pa ngjarje, si t’i shkruente mbi lëkurën e fatit, ai krijon në mënyrë të pavetdijshme mandalën e tij, thur afreskun gjigand ku sheh të pikturuem vetë fatin e vet. Dhe zemra e mandalës së tij asht Rua Dos Douradores. Prandej ai pendohet sa herë që andërron me ikë prej aty me provue shijen e përgjaktë të jetës n’ujdhesat e mëdha në Jug të së gjithës, e sikur t’i jepnin botën mbarë, ai do e ndërronte me nji biletë për Rua dos Douradores. Ai e din se me udhëtue asht gabim estetik. E di se t’udhëtuemit fizikisht i falet veç kovaleshentit: Franci p.sh. nuk do kish udhëtue po të mos vuente prej asaj sëmundjeje që ma në fund e rrëzoi. Mos me udhëtue, kjo asht mënyra ma e mirë me e dashtë udhëtimin, me e njohë vendin ku nuk shkon. Thotë Pessoa: “Disa kënaqen me shkue në vende të hueja si pelegrinë anonimë, unë kudo që kam shkue kam qenë mbreti e populli i atij vendi…” Pse me e çue fizikun në nji vend tue e lanë shpirtin në nji tjetër? A mundemi ne me ikë prej vendit ku asht ngjizun shpirti jonë, tue e marrë edhe ate me vete? Udhëto, porse par translation! Atij që s’din me ndie kjo i duket masturbim. Por masturbim asht me shkue si turist në Paris e jo me andërrue Parisin; asht me pretendue se e njeh botën e jo me e andërrue atë. Pse nuk ka asgja që i ngjan ma shum dashnisë, se andrrat. Andrrat e Bernardo Soaresit, njeri i dehun pse jeton, i trallisun pse ndjen, i fjetun pse andërron...
Përse me shkue në Lisbonë, kur Lisbona vjen tek unë, e në trajtën e saj ma fantastike përmatepër: npërmes fjalës së Pessoas? A s’jam njilloj në qendër të letërsisë si në Shkodër, si në Lisbonë si në Dublin: qielli a s’shkruhet gjithkund njilloj! ...Këto s’kanë ndonji kuptim për at' që s’e di çka asht të ndjemit estetik!
E kur i qasem Parisit n’andërr, shkoj drejt e te kafeneja e surrealistave dhe Sartrit, ku ndryshe prej realitetit s’më pret përpara nji lukuni turistash të papamë me aparate dixhitalë në duer. E në realitet, ua kemi falë... gjeografinë e tyne të gjirizeve! Rua dos Douradores asht rruga e të gjithë lexuesve të ditarit. E vetmja mënyrë me i zotnue gjanat asht me i andërrue me gjithë shpirt, pra me i pasë estetikisht. Ky asht i vetmi identitet, ai që buron nga identifikimi estetik. Pse kjo asht e vetmja mënyrë me mbetë i lirë pra vetvetja, kurse gjanave me ua lanë lirinë e tyne, pra edhe ato me mbetë gjana. Kur e ke diçka, jo vetëm ajo s'asht ma e lirë, por as ti s’je ma i lirë prej saj.
Unë nuk e di a asht dinamika idustrialo-teknologjike faktor kundërpërcaktues, por di se nganjiherë pesë minuta qetësi të bahen heshtje kozmike. E kështu Pessoa e jetonte pafundësinë. Çdo mendim i tij, madje çdo pamje kishte si sfond pafundësinë. Prandej i dukej asgja, por shì prej kësaj, e tregonte me aq mall. Asgja, kjo asht fjala që e jep pahjen e saktë identitare të këtij libri, çelësi inegzistent i tij. Ky asht elementi që aq përsëritet sa me u ba identitet.
“Gjithçka vjen nga mosqenia”, thotë Greku. Jemi vetëm dromca pluhuni që era ngre dhe lëshon përtokë sakaq… thotë Pessoa. Prandej, mendoj, nuk ka kuptim që të jemi edhe budallenj.
Jeta asht sak tepër e shkurtë për me ia gjetë kuptimin vetë pa ndihmën e letërsisë... Pessoa, na ofron aq e aq pikëvështrime letrare dhe të gjitha të marra prej ane, ngaqë anipse rrin mbi dritaren e tij ai jetën e sheh kurdo prej ane, tue refuzue si çdo fenomenolog i mirë me paraqitë nji pikëvështrim epran që t’i përmbledhë të gjitha e të realizojë kalimin lajbnician prej monadave te monadologjia. Kësodore ai lejon me kuptue se pikëvështrimi ma i mirë asht relativizmi i të gjitha pikëvështrimeve, dhe se mënyra ma e mirë e të menduemit asht të ndjemit, dhe ajo e të ndjemit, të menduemit. Dashnia për të vërtetën e ka kërkimin e saj kusht mundësie, prandej nuk pranon asnji të vërtetë të vulosun. E nuk ka monadologji, por sall monada. Ose me e thanë mrekullisht me Gilles Deleuze: Nuk ka Logos, por ka veç hieroglife!
“Nuk di as se nuk di…” i pëlqen me përsëritë Pessoas. Dhe ai shpesh e nënvizon këte relativizëm të skajshëm. Në fakt, nji ndër faktorët ma absolutë të botës, për Pessoan, asht dimensioni i andrrës, ai ma relativi dhe ma subjektivi.
Vëlla ideal Pessoa ka perveç portugezit Cesario Verde, Omar Kajamin. E si Kajami, ai thotë se gjithçka asht e kotë në jetë, por veç me jetue jo. Pi! Pi! Kjo asht krejt filozofia praktike e Kajamit. Ajo e Pessoas i asht simotër, veçse pak ma abstrakte: andërro! andërro! E këto imperativa, ruhen me e paraqitë veten si imperativa, pse çdo imperativ edhe kur jepet si hipotetik ka mëtue kategoriken, dhe andërr kategorike s’ka. Por gjithsesi ka diçka të shejtë e sublime te ky skrupull. Dhe ndoshta këtu qendron pozitiviteti që përftojmë prej këtij libri, dhe asht ndoshta ky skrupull koefiçenti i korrigjimit që na shpëton nga nihilizmi. Skrupulli i andrrës, koefiçentit që e ban jetën të durueshme. Guximi me andërrue, pse sak s’ka vlerë me u humbë në stuhinë e jetës jashtësore… Guximi me andërrue! Thotë Pessoa: “Nuk pendohem për andrrat që nuk munda me realizue, por pendohem për ato andrra që s’guxova me i andrrue!”
Stili i Pessoas asht zvogëlimi i kontaktit me botën e jashtme, për me e zmadhue analizën e atij kontakti.
Ky stil mund të quhet filozofia e fragmentit ose fenomenologjia e çastit. Por amà këto faqe i përkasin ma shumë poezisë intime të shpirtit të Pessoas dhe magjisë së letërsisë poetike.
N’andrrën që asht kjo jetë, nuk ka gja ma të madhe se me arritë me thanë diçka.
Astrit Cani
Milano 2006
| Random Content | |