Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

kulturë - letërsi

Zhuzhima gjinkallash e zhuzhakësh shkrî me zukama mizash, shurdhuese në zheg, zhbajnë e zhbijnë shpresën se zhurmat e shalakatjeve të jetës s’ fashiten si shungullima e sheut mbas shprazjes në liqen. Oshëtin në zemër zani i shuem i shebojave zhdavaritun njiherësh me terrin, ndërsa shumëzimi i shpejtë i zhabinave të shtrime kahmos, ndez kashtën e muzgun si zhagalan zharitës.

Mandej mundesh me i shquejtë zhapikët tek mbështjellin rreth qafës së brishtë të buzagazit tand fillin e zhdërvilluem të lëvizjeve shushuritëse. Pikëllimi shfaqet vranësor nëpër sharapollët errcakë që zhvasin e zhigasin bruztinë e qiellit, kurse pëshpërimat a zhgapërrimi i syve shashtisun nga shfaqja e dyshimit, shndrrohen saora në kunora të zhubrosuna për zhganin e ditëve që shkojnë ngarkue me vozga lotësh, shiu e mërzie. Shakullinat shkundulluese të vetëdijes, zhiblat molisëse të shajnisë dhe zhumhuri arratisës i nji deti zvjerdhun dashunie, të gjitha sharanduken e zvargen e zhgrryhen në zhulin mizor të kujtesës së kohës.
Vrujishtat e zhurituna të mungesës sate dhe vringëllimat e vrushkujve të emocioneve vërvitun në ajër, vegojnë rrëfim vrumbullues i pavetëdijes dhe shkelin mbi gjurmët e vrugëta të reve që vranësojnë vullnetin. Vigmat vigane të vetëdijes vrullojnë si vishkulla që më kot e vijëzojnë qiellin e verdhë të vetmisë, por vështro ndeshtrashat vëngëroshe që veshtojnë e vickëlojnë pranë dhimbjes, tue përvijue rruvija mbi do shkambij që shkërbejnë regëtima zemre. Shoh tek shkoklohet gjerdan i frymëmarrjeve me në zguer grahmat që torolanget si gurë, po gurgullima e gurrës së zemrës gërmëzon me gllagurimë emrin tand. Vërsnike me vuajtjen e vramendjen, verej se sa vrullshëm vërshon e vorbullon vetmia rreth vatrës së vështrimeve të vdekura.

 

Dilema - Rubin Mandija

Dalldisesha dikur nga duart e ndjesive depërtuese deri në tunelet e degëzueme të damarëve, ku duhitë e gjakut dëftonin e dëshmonin për do toka andjesh të pabanueme dot prej dashurish të rëndomta. Davariteshin djerrinat e drobituna të atij dimri ndijimesh dhe dashuria dëlirte ditëpërditë diademën e diellit tand prej ndragieve e dogmave të dëshpërimit. Ndodhte që dashuria ta dallgëzonte si dielli i djegagurit mushtin e ambël të mbasditeve, i cili dikonte dalëngadalë mbi buzët e tua, e prej këtu mund të dallohej qartë se si dita shndërrohej dora-dorës në një ditiramb dehës tendosun kah përjetësia.
Kujtesa e krahëve këndon akoma kundërmimin e kurmit tand të kërpitun e të kërthndezët, kraharori di për kokën kapitun nga kënaqësia, kurse kyçet e kambëve kallëzojnë akoma kumtin krapullitës e kllapitës të emocioneve të kahditshme. Kataklizma e shkaktueme nga katarakti i kujtimeve i kullufit krejtësisht kufijtë e shkretinës dhe këndell kopshtije të kandshme kurmesh, kofshësh, kangësh e kukurisjesh. Por këndej e tutje katraloja kërkëllitëse e karrove të kënaqësive që kalojnë kalldramit të kohës, përskaj karvanit të kavakëvë ku kotullohen kumbime e kundërmime kalimtare, kërkon të kthehet në kukamë kobçare që këlthet kumtin kuturu të kurrkundit.
Rrezhgata rrëmben rrum e me rrokopujë rrëmetin e regëtimave që ravijëzojnë rebelimin e rrezgut të rinisë, por rreth e rrotull rrohet veç gjer ku mbërrin rrethi i rrezatimit tand të ri. Rrahje zemre rrokullisen rrezga-bjezga rrëmores së rrapëllimave, ndërsa rrugët janë rrëshaja a rropulli që prore rrëfejnë rrengun rrënues të errësirës. Rràga e rropama rrëkesh që rrjedhin rrëmbyeshëm e rrokapjekthi mbi rruvijat e rënkimeve, rrapëllima dhe rënkime rroposëse e rrasallitëse për rrezëllimën e rrezbitun, por rron ende vështrimi yt që rrufit rrembat e rrufeve dhe m’i rikthen rreze e rrezm në rrafshinat e territ ku prore rravgoj.
Tajfun, tallaz e tërmet, tarkalisje, trumhasje e tërhuzje, ja tanësia e tipareve tua, tanimë thadrue tejendanë truallit tonë të takimit. Turra-turra tirret terri e torolanget tatëpjetë tragave të topitjes tande, teksa tamburet e trishtimit t’i troshisin tamthat tasheparë, tue ta tollovitë tej- tëhu tablonë e trallisun të tingujve. Tash ti teletisesh tej tymtajës së tallazitun të trajtave, tash je tuturitje e trishtë turtulleshe, tash je tundim, turitje e trandje. Tevona tulatem e tutëlohem i trulluem në tragën e trajektores së trueme të nji tretdheu, ku trys e trand tejendanë tiraní e trokëllimave.
Parfumi i paradites përkund dhe pështjellon palmën e përfytyrimit parajsor, por pantera e përflakun e pranisë përhidhet e përpiqet të përvijojë pa prâ perimetra të përmbysun peizazhesh parake. Pëllumbat e praruem të psherëtimave e përmallimeve priren pafundësisë a pambarimit, përkundër pafuqisë për t’u përjetësue në panoramën poetike të pranverës. Përjetimet e pakryeme janë përrej prej pelini që presin përmidis parakalimin e pëshpëritjeve, përgjërimeve, pandehmave e pezmeve, prejse plimi i pasioneve përpëlitet prore e përjetë përtej pahísë së pendimeve. Perandorí e pamundësisë së prekjes përhapet pamëshirshëm e pajadá, përtej perigjeut paradoksal të përdëllimit apo pellgjeve ku pluskojnë premtime e përloshje patetike.
Mungon mozaiku i margaritarëve të mahive mëngjesore që mbulonin e mbushullonin mjedisin e murrëtyem të mërzisë, mungojnë meteorët e mbresave që mehnin makutërinë e muzgut dhe m’i mërgonin matanë mendimit madërgonat e mëdyshjeve, mungon melhemi i mërdhezjes miturake që ma mëkonte e mëkambte mahnitjen, mungon melodia mrekullore që më mbronte nga marshi mashtrues i moskundit. Por mbase mallëngjimi mund t’i meremetojë mazgallat e mermerit të mesditave me madrigale e magji që mbruhen në magjen mitologjike të mrekullive, mbase mujshia e mbramjeve s’do mund të më mbrusë e mbysë me monologun mizor të melankolisë, mbase monopati mistik i mendimit s’e mërtis e mënon mbërritjen në mbretninë madhështore të mirazhit.

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval