kulturë - dramë
Para disa ditësh, ka ndërrue jetë në Shkodër dramaturgu shkodran Shkëlzen Tuzi.
Krejt rastësisht, para pak ditësh, morëm vesh për vdekjen tragjike të dramaturgut shkodran për fëmi e të rritun, Shkëlzen Tuzi. U pikëlluem shum për vdekjen e tij, por ma tepër u pikëlluem për heshtjen që e mbuloi vdekjen e tij. Lajmi për këte humbje nuk kishte ardhë në Kosovë, e, sipas të gjitha gjasave, nuk ishte publikue as në Shqipni. Vdekjes së tij të heshtun si duket ia kalon vetë karakteri i Shkëlzenit, i cili jetoi thuese tue mos dashtë me bezdisë asnji njeri.

Shkëlzen Tuzi
Shkëlzenin e njohëm për herë të parë në vitin 2004 në Prishtinë, ku kishte ardhë për me marrë pjesë në nji puntori për shkrimin e dramave për fëmi. Së bashku i hymë nji aventure jo fort të zakonshme; shkruem nji dramë për të ri, me temën e edukatës seksuale. Kjo ishte drama “Mësimi i ndaluar”, e cila u vu ma pas në skenë nga regjisori nga Uellsi, Gareth Potter, si produksion i Qendrës për Zhvillimin e Teatrit për Fëmijë (të krijuem asokohe), në teatrin Dodona në Prishtinë. Në këtë dramë Shkëlzeni kishte shkrue skenat ma simpatike, si ajo e profesorit të biologjisë i cili në shpi - krejtësisht i stresuem - ban prova për ta shpjegue të nesërmën mësimin e riprodhimit te njerzit, para nxanësve të vet. Me humorin e tij karakteristik, Shkëlzeni kishte shtjellue me mjeshtëri temën ‘tabu’ që drama mëtonte me ngritë në diskutim të hapun. Pas inskeminit të ‘Mësimit të Ndaluar’, drama ishtë botue nga QZHTF në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.
Shkëlzeni kishte shkrue edhe ma herët drama për fëmi e të ri, njenën për Qendrën Teatrore në Shkup. Kjo dramë ishte vu në skenë në Shkup dhe ishte botue në shqip e maqedonisht.
Sidoqoftë, talenti i Shkëlzenit ishte shfaqë vite ma parë. Në vitin 2000, Shkëlzeni kishte fitue vendin e parë në konkursin mbarkombëtar për dramë e teatër në Tiranë, në mesin e shum emnave të njohun të dramaturgjisë mbarshqiptare. Por, siç ndodh shpesh tek ne, drama e tij, fatkeqësisht, nuk u ngjit kurrë në skenë. Për këte gja u dha nji arsyetim jobindës: drama ka shum personazhe dhe asht shum e kushtueshme.
Shkëlzen Tuzi (majtas) dhe Jeton Neziraj
Dy vjet mbasi shkruem bashkë “Mësimin e ndaluar”, Shkëlzeni u kthye prap në Kosovë, në nji puntori tjetër për shkrimin e dramave për fëmi, ku edhe shkroi dramën “Rrethi”, nji dramë që shtjellon temën e gjakmarrjes. Fatkeqësisht, deri më tash, kjo dramë nuk asht botu në Kosovë.
Dramat tjera që Shkëlzeni do të mund t’i kishte shkrue, nuk u asht ndëgjue zani. Madje as në Shkodër. Njilloj si nuk u ndëgjue as për vdekjen e tij. Por kurrkush nuk mund të fajësohet në Shkodër për këte heshtje, as Gazmend Krasniqi, as Albri Brahusha, as Stefan Çapaliku, as Ridvan Dibra, askush…
Shkëlzen Tuzi, në cep djathtas
Mund t`duket e pabesueshme, por e-maili i fundit që ia nisëm Shkëlzenit me datë 23 mars (kur ai mbase veç ka qenë tue luftue me vdekjen), përfundonte me: “banëm za e m`thuej që je gjallë n`Shkodër”! Shkëlzeni nuk na bani za ma...
Shpresojmë që Shkodra ka me ditë me e ruejë kujtimin për Shkëlzenin, ashtu siç do ta ruejmë ne kujtimin për dramaturgun e heshtun shkodran, me të cilin patëm nderin me punue.
| Random Content | |