kulturë -
përkthime
E shtunë, 04 Shkurt 2012 16:32
Erotizmi ka këte të përbashkët me drogën: asht nji element që të lidh me kënaqjen që të shkakton, me të cilin nji pjesë e jona pajtohet e nji pjesë jo. Kështu, qysh se mbahet mend, njerëzit janë përpjekë me e shijue erotizmin pa u shkatrrue prej tij. Shoqnitë e fetë e ndryshme mund të përkufizohen sipas mënyrës se si e trajtojnë këte enigëm.
Poligamia, monogamia e detyrueshme, monogamia me prostituta, monogamia serike. Pa përmendë zgjidhjet individuale të risive apo dëshpërimit të madh: Victor Hugo me derën e zyrës hapë për nji vajzë të ndryshme çdo mbasdite, Audeni që gjente djem të pashëm në çdo qytet. Picassoja që thjesht kundërshtonte kur grueja dhe mikesha i kërkonin me zgjedhë njenën mes tyne. Mandej vjen gjithmonë sakrifica, sigurisht. Por ndoshta gjaja për t’u mbajtë mend kur përfundon në nji jetë plot buzkuqa të freskët dhe ndërlikime torturuese asht që erotizmi nuk asht shpikë për ty, jo thjesht për mbijetesën e specieve, por për zbavitjen e perëndive. Asgja nuk prodhon ma shum raste kënaqësie e dhimbjeje sesa erotizmi. Kjo asht arsyeja pse asht në qendër të kaq shum rrëfimeve. Si i bashkuen zotat ballkonat e qiellit për me pa pasojat e tradhtisë së Helenës! Edhe shokët e tu po shohin. Marrinat tueja kanë zdritë shumë biseda të orëve të vona të natës.

Në kufijtë mes mitologjisë e historisë, ai Odiseja dinak ishte i pari që mësoi me ja punue zotave. Dhe ndoshta rrengu ma i squet i tij ishte me e lidhë veten për direk para se zanet e sirenave të përplaseshin për anije. Ka prej atyne që sigurisht mezi ç’presin me qëndrue në parmakë ose me kqyrë horizontin. Përndryshe, zgjidh direkun, gjeji konopët që të përshtaten: sporti, puna e randë, beqaria me libër lutjesh e kumbonë… Por ma i ambli e ma i forti konop prej të gjithëve ka gjasa me e gjetë në ndonji lagje rrethine gjysë e përhumbun, me fëmijë të zhurmshëm dhe me nji grue që nuk i pëlqen m’e lanë pluhunin me fjetë rehat.
përktheu: Blendi Kraja{jgototop}{/jgototop}{backbutton}
origjinali