lajme - përkthim
Ka qenë nji kohë kur pena ishte ma e fuqishme se shpata. Ajo ishte nji kohp kur njerzit besonin te e vërteta dhe e shihnin të vërtetën si nji pushtet të pavarun dhe jo si shtojcë për interes qeverisjeje, klase, race, ideologjie, personal apo financiar.
Sot, amerikanët sundohen nga propaganda. Amerikanët kanë pak respekt për të vërtetën, pak hymje në te, dhe pak aftësi me e njohë ate.
E vërteta asht nji gja jo e mirëpritun. Asht shqetësuese. Asht jashtë kufijve. Ata që e thonë ate rrezikojnë me u quejtë "anti-amerikanë," "anti-semitë" ose "teoristë konspirativë".
Pol Krejg Roberts
E vërteta asht e pavolitshme për qeverinë dhe grupet e interesit kontributet fushatore të të cilëve e kontrollojnë qeverisjen.
E vërteta asht e pavolitshme për prokurorët që duen dënime dhe jo zbulimin e pafajsisë apo të fajësisë.
E vërteta asht e pavolitshme për ideologët.
Sot, shum nga ata qëllimi i të cilëve dikur ishte zbulimi i të vërtetës paguhen mirë për me e fshehë ate. "Ekonomistët e tregut të lirë" paguhen me ia shitë përtejdetin popullit amerikan. Punët amerikane me rendiment të naltë, me vlerë të naltë të shtueme, denigrohen si punë të ndyta e të vjetra industriale.
Relikte prej shum kohnash, ne jemi baraka ma e mirë e tyne.
Vendi i tyne asht zanë nga "Ekonomia e Re", nji ekonomi mitike që me gjasë përbahet nga vendet e punës së teknologjisë së naltë në të cilat amerikanët rinovojnë dhe financojnë veprimtari që ndodhin përtej detit. Gjithë çka ju duhet amerikanëve me marrë pjesë në këte "ekonomi të re" janë gradat financiare nga universitetet Ivi Ligë, dhe mandej ata kanë me punue në Uoll Strit në pozicione miliona dollarëshe.
Ekonomistët që nji herë e nji kohë ishin të respektuem, morën pare me dhanë ndihmesë në këte mitin e "Ekonomisë së Re".
Dhe ekonomistët nuk e shesin vetëm shpirtin e tyne për luks të ndytë. Kohët e fundit kemi raporte për mjekë që, për pare, kanë botue në revista profesionale "studime" të shpikuna që fryjnë këte apo ate ilaç të ri të prodhuem nga kompanitë farmaceutike që i kanë pague këta "studime".
Këshilli i Europës po heton rolin e kompanive të ilaçeve në frymjen e nji pandemie të rreme gripi derrash me qëllim që me fitue miliarda dollarë nga shitja e vaksinës.
Media ndihmoi në frymjen e ushtrisë amerikane të ofensivës së saj të fundit në Marxhah t'Afganistanit, tue e përshkrue Marxhahin si qytet me 80,000 banorë nën kontrollin e talebanëve. Doli se Marxhahu nuk asht urban por nji grumbull katundesh.
Mandej asht skandali i ngrohjes globale, ku shoqatat, OKB-ja dhe industria bërthamore komplotuen me sajue nji skenar qameti me qëllim që me krijue fitim nga ndotja e mjedisit.
Ngado që i hedh sytë, e vërteta asht rrënue nga parja.
Kurdo që parja nuk mjafton me e vorrosë të vërtetën, e kryejnë punën paditunia, propaganda dhe kujtesa e shkurtë.
Mbaj mend kur, mbas dëshmisë së drejtorit të CIA-s Uilliam Kolbi para Komitetit Çërç në mes të viteve 1970, presidentët Xherard Ford dhe Ronald Regan firmosën urdhna ekzekutivë tue e ndalue CIA-n dhe grupet amerikane të operacioneve sekrete me vra drejtues të huej. Më 2010, Kongresit amerikan iu tha nga Denis Bleir, kreu i inteligjencës kombëtare, se ShBA-të tashti vrasin edhe qytetarët e vet përveç drejtuesve të huej.
Kur Bleiri i tha Komitetit të Inteligjencës së Dhomës se qytetarët amerikanë s'ka nevojë me u arrestue, paditë, gjykue dhe dënue për nji krim të randë, thjesht me u vra veç për dyshimin se janë "kërcënim", ate nuk e ulën në bankën e t'akuzuemve. Nuk pasoi asnji hetim. Nuk ndodhi kurrgja. Nuk pati Komitet Çërç. Në mes të viteve 1970, CIA ra në hall pse ish përpjekë me vra Kastron. Sot janë qytetarët amerikanë në listën e goditjeve. Çfarëdo kundërshtimesh me pasë, ata nuk kanë asnji peshë. Askush në qeveri nuk pengohet sa i përket vrasjes së qytetarëve amerikanë nga qeveria amerikane.
Si ekonomist, jam i habitun që zeja amerikane e ekonomisë nuk ka asnjifarë vetëdije që ekonomia amerikane asht shkatërrue nga tejçimi i PPG-së amerikane drejt vendeve të përtejdetit. Korporatat amerikane, tue ndjekë përfitimin absolut apo kostot ma t'ulëta të krahut të punës dhe "bonuset e performancës" maksimale të drejtuesve ekzekutivë, e kanë zhvendosë prodhimin e të mirave dhe shërbimeve që shiten n'Amerikë në Kinë, Indi dhe tjerakund jashtë. Kur i lexoj ekonomistat tue shpjegue përtejdetin si tregti e lirë mbështetë në përfitimet krahasuese, kuptoj se nuk ka inteligjencë apo integritet në zejen e ekonomisë amerikane.
Inteligjenca dhe integriteti janë ble nga paret. Korporatat ndër-kombtare apo botnore amerikane i paguejnë paketa shpërblimi multi-milion dollarëshe drejtuesve të naltë, që i mbërrijnë këto "çmime performance" tue zavendësue krahun e punës amerikan me krahun e huej të punës. Ndërkohë që Uashingtoni shqetësohet për "kërcënimin mysliman", Uoll Striti, korporatat amerikane dhe matrapazat (shills) e "tregut të lirë" shkatërrojnë ekonominë amerikane dhe perspektivën e dheta miliona amerikanëve.
Amerikanët, apo shumica e tyne, asht provue se janë masha në duert e shtetit policor.
Amerikanët janë mashtrue nga mëtimi i qeverisë se siguria kërkon pezullimin e lirive civile dhe qeverisë së përgjegjshme. Habitshmënisht, amerikanët, apo shumica e tyne, besojnë se liritë civile, si habeas corpus dhe procesi i drejtë, mbrojnë "terroristët" dhe jo ata vetë. Shumica besojnë edhe se Kushtetuta asht nji dokument i vjetëruem që ia pengon qeverisë ushtrimin e llojit të pushteteve të shtetit policor të nevojshme me i mbajtë amerikanët të sigurtë e të lirë.
Shumica e amerikanëve s'ka gjasa me ndigjue ndokend që flet për anën tjetër të medaljes.
Kam qenë editor i asociuem dhe kolumnist për Uoll Strit Zhurnal. Isha kolumnisti i parë i jashtëm i Javës së Biznesit, nji pozitë që e mbajta për 15 vjet. Ishta kolumnist për nji dekadë për Scripps Howard News Service, botue në 300 gazeta. Isha kolumnist për Uashington Tajmsin dhe për gazeta në Francë e Itali si dhe për nji revistë në Gjermani. Isha kontribues i Nju Jork Tajmsit dhe shkrues i rregullt në Los Anxhelos Tajms. Sot nuk mundem me botue apo me u shfaqë në "median qendrore" amerikane.
Për gjashtë vitet e fundit jam ndalue nga "media qendrore". Kolumni im i fundit në Nju Jork Tajmsin u shfaq në janar 2004, si bashkautor me senatorin demokrat Çarls Shumer të Nju Jorkut. Trajtuem kalimin përtej detit të vendeve amerikane të punës. Artikulli ynë editorial prodhoi nji konferencë në Institucionin Bruklings në Uashington D.C. dhe mbulim të drejtpërdrejtë nga C-Span. U nis nji debat. Sot nuk mundet me ndodhë nji gja e tillë.
Për vite me radhë isha i zakonshëm në Uashington Tajms, tue prodhue besueshmëni për gazetën Muni si kolumnist i Javës së Biznesit, ish-editor i Uoll Strit Zhurnalit dhe ish-asistent i Sekretarit të Thesarit amerikan. Por kur fillova me kritikue luftat e agresionit të Bushit, Meri Lu Dobsit i erdhi urdhni nga nalt me e anullue kolumnin tim.
Media korporative amerikane nuk i shërben të vërtetës. Ajo i shërben qeverisë dhe grupeve t'interesit që e fuqizojnë qeverinë
Fati i Amerikës u vulos kur publiku dhe lëvizja anti-luftë e hangrën teorinë konspirative të qeverisë për 11 shtatorin. Shpjegimi qeveritar i 11 shtatorit kundërshtohet nga shum dëshmi. Prapseprap, kjo ngjarje e thekshme e kohës tonë, që i ka nisë Shtetet e Bashkueme në luftna të pambarueshme agresioni dhe drejt nji shteti policor, asht nji temë tabu për hetim në media. Asht krejt e pavlerë me u ankue për luftën dhe shtetin policor kur ti pranon premisën mbi të cilën janë mbështetë ata.
Këta luftna triliona dollarëshe kanë krijue probleme financiare për defiçitet e Uashingtonit dhe kërcënojnë rolin e dollarit amerikan si valutë rezervë botnore. Luftnat dhe trysnia që defiçitet e buxhetit ushtrojnë mbi vlerën e dollarit i kanë vu në radhën e presë sigurimet shoqnore dhe ndihmën shëndetësore. Ish-kryetari i Goldman Sach-it dhe Sekretari i Thesarit amerikan, Hank Paulson, po i gjuen këto mbrojtje për të moshuemit. Edhe kryetari i Federales, Bernanke, po i gjuen. Edhe republikanët po i gjuejnë. Këto mbrojtje quhen "zotnime", sikur janë ndonji lloj mirëqenieje që njerzit s'e kanë pague me taksat gjatë jetës së tyne si puntorë.
Me mbi 21 përqind papunësi, e matun sipas metodologjisë së vitit 1980, me vendet e punës amerikane, PPB-në dhe teknologjinë dhanë Kinës e Indisë, me luftën që asht shqetësimi ma i madh i Uashingtonit, me dollarin e mbingarkuem me borxh, me lirinë civile sakrifikue ndaj "luftës ndaj terrorit", liria dhe përparimi i popullit amerikan janë hedhë në koshin e plehnave të historisë.
Militarizmi i ShBA-ve dhe Izraelit, si dhe lakmia e Uoll Stritit dhe ajo korporative, tashti e kanë rrugën e hapun. Ngaqë pena censurohet dhe fuqia e saj asht zhdukë, unë po e la shkrimin.
Pol Kreig Roberts (Paul Craig Roberts) ka qenë editor i Uoll Strit Zhurnalit dhe asistent sekretar i Thesarit të ShBA-ve. Burimi.
përktheu: Blendi Kraja