Renditja e përdoruesit: / 0
DobëtMirë 

lajme - shkrim

Të nderuemit George W. Bush

President i Shteteve të Bashkueme
Washington, D.C. 20500
Shpija e Bardhë

I dashtun zn. President
Vendimi juej me vizitue Shqipninë me 10 qershor 2007 asht përshëndetë me ngallmim të madh si nji ditë historike nga dhetë milion shqiptarë në Shtetet e Bashkueme, Shqipni, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Greqi e në krejt botën. Vizita juej ka me forcue marrdhaniet e tashme të përzemërta dhe ndjenjat shum miqësore që kanë shqiptarët për Shtetet e Bashkueme.

G. W. Bush

Prej kohës së mbrojtjes së pamvarsisë së Shqipnisë nga presidenti i ndjemë Woodrow Wilson e deri tek ndërhymja pothuej-hyjnore, drejtue nga ShBA-të, e NATO-s në Kosovë më 1999, ka pasë gjithmonë nji bindje të fortë e të gjithanshme mes shqiptarësh se Shtetet e Bashkueme janë nji vend lirie e drejtësie, nji model demokracie me respekt pothuej-fetar për ligjin, nji pishtar shprese për popujt e shtypun dhe aleat i sprovuem i Shqipnisë e shqiptarëve.

Sami Repishti


Gjatë vizitës tuej atje, keni me pa se shqiptarët janë vetvetiu e emocionalisht populli ma pro-amerikan në Kontinentin e Vjetër. Ky asht faktor madhor në garantimin e ndihmesës së Shqipnisë në paqen e stabilitetin e rajonit. Zn. President,
në Shqipni keni me gjetë nji popull të vendosun m’i mbetë besnik traditës së lirisë dhe të përbetuem me nderue në secilin madhështinë njerzore që zotnojmë. Tue pasë qenë për nji kohë të gjatë “pala e idhnueme”, shqiptarët s’janë mbështetë në vegimin e “idesë së madhe”, “etjes për pushtim” a në “kompleksin e epërsisë” aq të rrezikshëm për veten e fqinjët e tyne. Ata kanë zhvillue nji primje të natyrshme për solidarizim me popujt e shtypun. Shtypë mizorisht vetë, veprimi fisnik me mshehë viktimat e mizorisë përban çështje krenarie kombtare. Kjo shprehje njerzie asht regjistrue gjatë viteve të Luftës II Botnore me mbrojtjen e grekëve, italianëve e veçanërisht të hebrejve në nevojë, si dhe prap më 1999 tu’u dhanë mikpritje e ngushëllim gjysë milioni shqiptarësh kosovarë, viktima t’agresionit serb.


Në Shqipni sot ju keni me gjetë nji besim të përgjithshëm që mbas shembjes së turpshme të diktaturës komuniste më 1991, përparimi e mbrothësia kanë me ardhë në Shqipni. Keni me zbulue që shqiptarët dinë mjaft, kujdesen sa duhet, dhe kanë vullnet me punue bashkë mjaftueshëm sa me ba që kjo me ndodhë. Ka pasë çorodi e paqendrueshmëni në shoqninë shqiptare shkaktue nga ndryshimet e shpejta mbas 45 vjetësh sundimi të legjislacionit të dhunshëm e të detyruem komunist. Gjithkush mundet ende me pa homo sovjetikus-in në nji teposhte të mnershme morale, me shpërfillje ndaj nderit, të vërtetës, devocionit, si dhe në korrupsionin e paturpshëm të pashmangshëm.

 

 

Vorfnimi i përgjithshëm që pasoi dhe rania dëshpëruese në etikë po ndikojnë për keq në procesin e shërimit të vendit. Komunizmi në Shqipni vrau elitën, keqtrajtoi shumicën dhe naltoi inferiorët në mendje dhe në zemër. Asht kjo trashëgimi komuniste që halá e stërmundon këte vend. Edhe sot, tu’i mendue kundërshtarët si armiq, forcat politike po shihet se duen me i tregue dhambët njena-tjetrës. Sot, politika asht dhunue nga nji klasë politikanësh që i përbetohen demokracisë por mbesin skllevën të bindun të mendësisë komuniste. Nji komb që vuen trauma të tilla ka nevojë për nji brezni me fitue fushëpamjen e me krijue nji kulturë pjellore politike.

Detyrat e ndryshimit shoqnor janë detyra për mendjeartit dhe të aftët. Ata që i morën përsipër këto me përziemje pasioni e paaftësie që janë në modë, vetëm sa e shtuen çoroditjen. Drejtuesit politikë shqiptarë mbajnë qëndrimin që mëton se “partia ime” asht “vendi im”. Kështu, asht krijue nji kulturë rebelimi pa fund, shoqnue me nji primje poshtnuese me i hedhë sytë nga të huejt për me u dalë sipër rivalëve. Ma tej, heshtja e damshme që pasoi, ka prishë fibrën morale të shum njerzve deri në pikën që s’janë në gjendje m’i njohë ma regjimet shtypëse apo me parashikue t’ardhmen e pasigurtë.

Asht e dhimbshme për mue me pohue se pothuejse çdo gja që ka ndodhë në Shqipni në gjashtëmbdhetë vjetët e shkueme asht kaq e pavend saqë mundesh me dyshue në nji gjendje fatale mendore nga ana e politikanëve shqiptarë. Kambëngulja e tyne e vazhdueshme në bindjen e përgjithshme, pa të kuptuem – veçori kryesore në shoqninë komuniste – ka krijue nji gjendje pothuej-skllavnie. Asht korrupsion, asht panjerzi, asht e kundërta e nji tradite të shëndetshme kundërshtimi konstruktiv!

Zn. President,
drejtimit politik në Shqipni i duhet kujtue që marrdhaniet tona me vendin e tyne vendosen në raport të duhun me parimet e ligjshmënisë e moralitetit dhe jo tu’iu referue mosmarrveshjeve të neveritshme që sot valviten në garën e egër për pushtet absolut. Ne duhet m’u mbështetë në njerzit që punojnë fort dhe luejnë simbas rregullave. Shqipnia ka nevojë për nji epokë reflektimi kritik! Kumti juej ka me u ndigjue!

Zn. President.
Sot, i vetmi mjet që më ka mbetë me mbrojtë viktimat e pafuqishme të terrorit komunist asht fjala e shkrueme në këtë Letër. Këto viktima janë shpërfillë për nji kohë të gjatë prej qeverive të njimbasnjishme të pandijshme, drejtue kryesisht nga ish-komunistë të regjun. Sot, këto viktima e ndijnë rrezikun e përfundimit në harresë. Askush s’duket në gjendje me ndihmue në formësimin e drejtësisë kulturore dhe ndoshta me gjetë mënyra me i trajtue padrejtësitë e të shkuemes e të së sotmes tu’i integrue viktimat plotësisht në shoqni. Duhet me vizitue Muzeumin Kombtar në Tiranë. Nji pjesë e vogël e tij asht gardian i vuejtjeve të përbotshme, roje besnike e tmerreve të nji bote të papërftyrueshme. Vetëm ahere, kupton që brezi i lavdishëm që iu kundërvu diktaturës komuniste, që e jetoi makthin, asht tu’u zhytë n’errsinë. Shum pak kanë mbetë për me çu krye për vlerat e të drejtave njerzore dhe demokracisë. Ne duhet me ua dhanë dorën.

Duhet me i zhdavaritë frikat e tyne të ligjshme që qelitë komuniste të vdekjes dhe kampet e përqendrimit për punë të detyrueme të mund të ngrihen prap në Shqipni, megjithë aftësinë e dëshmueme të njeriut për shthurje të pafund. Ky asht shpërblimi ma i mirë për to!

Zn. President,
ju përgjërohem me u takue me përfaqësuesit e tyne dhe me i sigurue që këto Shtete të Bashkueme nuk kanë me i harrue. Ju përgjërohem me ja lehtësue shpirtnat!

Me shum respekt

Dr. Sami Repishti
City University of New York
Ish-i burgosun politik në Shqipninë komuniste (1946-56) dhe në Jugosllavinë komuniste (1959-60)
Veprimtar i të drejtave të njeriut


30 maj 2007

cc: Ambasadores së nderueme Marcie B. Ries
Ambasada Amerikane
Tiranë, Shqipni

 

Dr. Sami Repishti
663 Westminster Road
Baldwin, New York
sdrepishti [te] earthlink [pik] net

Shënim: Dritshkrojat e G. W. Bush-it janë prej vizitës së tij në Shqipni më 2007.{jgototop}{/jgototop} {backbutton}

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval