Renditja e përdoruesit: / 2
DobëtMirë 

lajme - shkrim

Po, po, mik i Policisë e Prokurorisë dhe jo “Mik i Librit” si dikur në rininë time para 50 vjetësh. Nuk kalojnë 3 muaj dhe më ftojnë ose në Polici, ose në Prokurori. Por jam me fat, se çdo herë më ftojnë nga vetë i dytë deri në vetë i katërt.

 

Herën e parë m'i këputën ëndrrat në mes. Isha buzë kufirit shtetëror dhe po sodisja me nostalgji natyrën e vendorigjinës sime, Krajës. Kur befas bie zilja e celularit.

-Alo?!

-Jam punëtori i Policisë së lagjes Rus. A po vjen këtu në Polici.

-Pse? - i thashë, -Kam bërë ndonjë krim?

Në fakt isha në zonë kufitare pa leje kufitare. (Kush të ketë spiunuar vallë?!)

Shkuam të nesërmen në mëngjes bashkë me vellaun. Nuk na lanë të prisnim shumë dhe na futën në një zyrë ku na prisnin 3 policë, njëri prej të cilëve i veshur civil. Na pritën me dashur, ose si i thonë ndrëshe me këmbët e para. Pasi na pyetën kush jemi dhe na i shkruan vetëm emrat në një copë pusull, unë kërkova emrin e bashkëbiseduesit, i cili na e priti egërsisht.

-Nuk ka ç'të duhet emri im, je në Policinë e shtetit!

Unë i kërkova falje për pyetjen pa vend. Aty ishte edhe përfaqësuesi i firmës së ndërtimit “Besa Konstruksion”, Besnik Fangaj, me të cilin kemi nënshkruar një kontratë ligjore për ndërtimin e një pallati në pronën tonë, truall me 578 m2.

Ai i “Policisë së shtetit” nuk ta zgjaste shumë. Na pyeti rreptë:

-Përse nuk e firmosni kontratën që ju ka dorëzuar ky zotëria?

-Sepse është antiligjore. - ia prita edhe më prerë.

Lëshuam disa fjali qit e prit dhe, me thënë të vërtetën, kujtova se ai shefi polic u bind sepse e uli tonin e bisedës dhe gati u ndamë miqësisht. Herë pas here shihte Besnikun. U befasova kur më tha:

-Firmosni siç ju thotë ky zotëria, përndryshe... - dhe iu drejtua përfaqësuesit të firmës, - bëj kallëzim.

Unë kundërshtova në mënyrën time. T'iu them të vërtetën ne u shqetësuam por gjetëm ngushëllim tek noterja V. H. F. e cila na tha:

-He mo se shokët e Besës ju kanë thirrë...

U çliruam dhe thamë se “shpëtuam”. Por jo, nuk qe e thënë. Një ditë na erdhi një ftesë e re. Kësaj here më ftonin në Prokurori bashkë me gruan time. Unë nuk e kam humbur asnjëherë besimin tek ligji dhe nuk i jam trembur Maliqit. Aq më tepër se argumentet ligjore që kishim paraqitur në ZRPP u pranuan totalisht si të drejtë. Shkeljet ligjore duheshin korrigjuar. Për këtë iu drejtuam edhe Drejtorisë Qendrore të Hipotekave në Tiranë.

Në Prokurori na mori një pyetje një oficere gjyqësore. Nuk e dinim përse, për çfarë, kush na kishte paditur apo spiunuar, ku kishim gabuar apo çfarë krimi kishim bërë. Gruaja u tremb shumë, por unë u tregova burrë 70 vjeç, qëndrova “trim me fletë”. Për çudi, i njëjti shqetësim si në Polici: “Përse e shqetësojmë B. Fangajn, duke mos i nënshkruar kontratën”. Unë të njëjtën përgjigje: “Është anti-ligjore”. Por gruaja u tregua më e zonja se unë, se është ekonomiste dhe i njeh mirë numrat, kurse unë rri duke lexuar vjersha.

Tha e ç'nuk tha, por një gjë e argumentoi saktë e prerë: “Kemi mbivendosje dhe mbivendosjet dënohen si vepra penale”. Por ajo oficerja që pinte cigare, flitte me celular me sipërmarrësin e firmës dhe revoltohej kur unë si mësues gjuhe i korrigjoja ndonjë fjalë apo ndërtim fjalie të gabuar, nuk donte t'ia dinte.

-Pra, - tha, - pse nuk e firmosni ose kur do të firmosni?

-Qoftë edhe sonte në mesnatë ne firmosim po t'i bëjë letrat konform ligjit. - ia prita unë.

Por na polli një bela tjetër, me vëllain. I lindi xhelozia pse nuk e kishin thirrur edhe atë në Prokurori. Mirë se donin të përvetësonin dy hyrje pallati, por mos po mbetej krejt jashtë? Megjithatë po prisnim sepse e kuptuam se e kishin merak të madh atë punën e tapive të shtëpive tona. Por për çudi, ajo nuk thirri as vëllain bashkëpronar, e as mua.

Më erdhi keq, sepse kisha frikë mos më kish harruar.

Por jo. E mësova për herë të dytë në Polici, natën e 31 marsit. Dhe ja se si. Ish-bashkëshortja de fakto (de jure jo) e djalit tim, siç na thanë, ka ardhur në Polici me dy fëmijët e me një oficere gjyqësore dhe ju ka paditur. Kështu na thanë por asnjëherë nuk na treguan një dokument apo diçka konkrete. Por, nejse, kjo s'ka rëndësi.

Ishte ora 23.15 kur u rrethua Parruca tek Zik-Zaku. Një grumbull i madh policësh, një park i tërë makina policie. Si zakonisht në Shkodër shpërthyen thashethemet në atë mbrëmje të vonë. Dikush tha se ish bërë vrasja e 11-të në Parrucë. Dikush tjetër tha se kanë kapur vrasësin në kërkim të biznesmenit Meshnuni, një tjetër vrasësin e Kurmemës. Një burrë foli i sigurtë se kanë kapur një shumë të kërkuar të fshehur në fshatin e boshatisur Repisht. Kur u afrova unë, ç'të shihja! Djali im mjek i mbërthyer tek dera e një makine prej policëve. Më tha se na kishin paditur në Polici. Unë u luta të lihej kjo punë për nesër se nuk jemi njerëz të rrezikshëm. “Merreni edhe këtë”. Erdhi në këtë kohë edhe gruaja dhe të gjithë si familje u shoqëruam në Polici!

Unë, biri i Abazit, 70 vjeç, ju vërtetoj se në Polici e nëpër makina nuk na cënoi askush. Përkundrazi, oficeri i rojes Faca u suall me njerzillëk, kur djemtë kërkonin të dilnin për të blerë një paketë cigare na sqaroi me mirësjellje se nuk mund ta bënte këtë se ishte urdhër i tjetërkujt, jam i detyruar t'ju mbaj këtu 10 orë, po kaloi një minut ju liroj, etj.

Dhe kështu, unë biri i Abazit, 70 vjeç, jo ai i vogli i filmit, e kalova natën jo në pyll, por në oborrin e Policisë. Unë së bashku me gruan dhe dy bijtë tanë, 4 intelektualë të një familjeje të njohur në Shkodër.

Aty nga ora 2.00 e natës na morën në pyetje mua dhe gruan dhe pastaj na liruan. Kurse dy djemtë vazhduan deri në ora 11 të ditës tjetër.

Në botë ka njerëz të mirë, edhe në Polici ka njerëz të mirë. Ata përplasen me krimin e kriminelët, por edhe nëqoftëse ndonjëherë shkon i njomi nëpër të thatë, duhet t'u besojmë lodhjes dhe mundit të tyre. Në mëngjes na thirri të katërtve shefi i parandalimit të krimeve, i cili na sqaroi ligjin pse ishim shoqëruar, me mirësjellje dhe edukatë na porositi të parandalohej vetëgjyqësia dhe ne i dhamë garanci.

Kështu na ndodhi me medemek gruan e djalit tim. Hej, sa halle paska kjo botë!

Kështu, unë miku i Policisë dhe Prokurorisë, iu përgjigja ftesave bujare. Tashti s'më mbetet gjë tjetër veçse t'u bëj ftesa që të m'i kthejnë vizitat. Apo jo?!

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval