Renditja e përdoruesit: / 1
DobëtMirë 

lajme - shkrim

Në detna të hapuna, jashtë ujnave territorial, anija u ndal nga marina. Komandot u turrën brenda. Qindra njerz në kuvertë banë qëndresë, ushtarët përdorën forcën. Disa nga pasagjerët u vranë, shum u plagosën. Anija u soll në liman, pasagjerët u ulën me dhunë. Bota i pa tek ecnin mbi molo, burra e gra, të ri e të vjetër, të gjithë të rraskapitun, njeni mbas tjetrit, secili i shoqnuem me dy ushtarë.


Anija quhej “Eksod 1947”. Kishte lanë Francën me shpresën e thyemjes së bllokadës britanike, që ish vu për shkak të parandalimit t’anijeve të mbushuna me të mbijetuem nga Holokausti me arritë brigjet e Palestinës. Nëse do t’ishte lejue me arritë brigjet, emigrantët e paligjshëm do të kishin zbritë në breg dhe britanikët do t’i kishin dërgue në kampet e burgimit në Qipro, si kishin ba përpara. Askush s’do ta kishte vu re episodin për ma shum se dy ditë.

Por personi drejtues ishte Ernest Bevin, drejtues i Partisë Laburiste, ministër anglez arrogant, i egër dhe i dashunuem mbas pushtetit. Ai nuk donte me lanë nji grusht çifutash me i diktue atij. Vendosi me u dhanë nji mësim që do ta dëshmonte rrokullia mbarë. “Ky asht provokim!”, bërtiti ai, dhe sigurisht kishte të drejtë. Qëllimi kryesor ishte me të vërtetë me krijue nji provokim, me qëllim që sytë e botës të hidheshin mbi bllokadën britanike. Ajo që pasoi njihet mirë: episodi u zvarrit, nji budallallëk çoi në nji tjetër, krejt bota u solidarizue me pasagjerët. Por britanikët nuk lëshuen pe dhe paguen çmimin. Nji çmim të randë.

Shum veta besojnë se incidenti “Eksod” ishte pika e kthesës në përpjekjen për krijimin e Shtetit t'Izraelit. Britania u shemb nën peshën e dënimit ndërkombtar dhe vendosi me e dorëzue mandatin e saj mbi Palestinën. Kishte, sigurisht, shum arsye ma me peshë për at vendim, por “Eksodi” doli t'ishte pika që e derdhi gotën.

UNË S'JAM i vetmi që iu kujtue ky episod këte javë. N't'vërtetë, ishte pothuejse e pamundun mos me e rikujtue, veçanërisht për ne që kemi jetue në Palestinë n'at kohë dhe e kemi dëshmue ate.

Sigurisht që ka dallime të randësishme. Atëherë pasagjerët ishin të mbijetuem nga holokausti, këte herë ishin aktivistë paqeje nga e gjithë bota. Por atëherë dhe tashti bota pa ushtarë t'armatosun randë që sulmonin brutalisht pasagjerë të paarmatosun, të cilët banë qëndresë me gjithçka që kishin në dorë, shkopij e duer thatë. Atëherë dhe tashti kjo ndodhi në detna të hapun - 40 km nga deti atëherë, 65 km tashti.

Në retrospektivë, sjellja britanike përgjatë ngjarjes duket tepër idiote. Por Bevini s'ishte budallë, dhe oficerët britanikë që drejtuen aksionin nuk ishin të trashë. Në fund të fundit, ata sapo i kishin dhanë fund nji Lufte Botnore n'anën e fitimtarëve.

Nëse ata u sollën me budallallëk të plotë prej fillimit në fund, kjo ishte pasojë e arrogancës, pandjeshmënisë dhe përbuzjes së pakufi për opinionin publik botnor.

Ehud Baraku asht Bevini izraelit. Ai s'asht budallë, as të parët tanë s'janë. Por ata janë përgjegjës për nji zinxhir veprimesh marrie, ndërlikimet e tmerrshme të të cilave asht e vështirë të vlerësohen. Ish-ministri dhe komentatori aktual Yossi Sarid e quejti “komitetin ministerial të të shtatëve”, që vendos për çështjet e sigurisë, "shtatë idiotët" – dhe unë protestoj. Asht fyemje për idiotët.
PËRGATITJET për flotiljen vazhduen për ma se nji vit. Qindra mesazhe emaili shkuen sa këndej andej. Unë vetë kam marrë me dheta. Nuk kishte sekrete. Gjithçka ishte në dritë të diellit.

Kishte boll kohë që institucionet tona politike dhe ushtarake të përgatiteshin për afrimin e anijeve. Politikanët u konsultuen. Ushtarët u stërvitën. Diplomatët raportuen. Njerzit e inteligjencës banë punën e tyne.

Asgja nuk ndihmoi. Krejt vendimet ishin të gabueme prej çastit të parë e deri në këte moment. Dhe ende nuk ka ardhë fundi.

Ideja e flotiljes si mjet me thy bllokadën asht pothuejse gjeniale. Ajo e vendoste qeverinë izraelite në brinat e nji dileme – zgjedhja mes disa alternativave, të tana të këqija. Çdo gjeneral shpreson me e vu kundërshtarin e tij në nji situatë të tillë.
Alternativat ishin:

(a) Me e lanë flotiljen me arritë Gazën pa pengesë. Sekretari i kabinetit e mbështeti këte opsion. Kjo do t'i kish dhanë fund bllokadës sepse mbas kësaj flotiljeje do të vinin gjithnji e ma të mëdhaja

(b) Me i ndalë anijet n'ujna territoriale, me kqyrë ngarkesën e tyne dhe me u sigurue se nuk po mbanin armë ose “terroristë”, mandej me i lanë me vazhdue rrugën. Kjo do të kish shkaktue ndonji protestë të vagullt në botë por do të kish ruejtë parimin e nji bllokade.

(c) Me i kapë në det të hapun dhe me i sjellë n'Ashdod, tue rrezikue nji betejë ballë për ballë me aktivistët në bord.

Siç kanë ba gjithmonë qeveritë tona, kur përballen me zgjedhjen mes disa alternativave të këqija, qeveria Netanjahu zgjodhi ma të keqen.
Gjithkush që i ndoqi përgatitjet siç u raportuen në media mund të kishte parashikue se ato do të çonin në njerëz të vramë e të plagosun. Ti s'mundesh me sulmue nji anije turke dhe me pritë që vajza të vogla bukuroshe me të dhurue lule. Turqit nuk njihen si njerz që jepen lehtë.

Urdhnat e dhana forcave dhe të bame publike përfshinin tri fjalë fatzeza: "me çdo kusht". Çdo ushtar se çka duen me thanë ato tri fjalë të tmerrshme. Për ma shum, në listën e objektivave, siguria e pasagjerëve ishte vetëm në vendin e tretë, mbas ruejtjes së sigurisë s'ushtarëve dhe përmbyshjes së detyrave.
Nëse Benjamin Netanjahu, Ehud Baraku, shefi i shtabit dhe komandanti i marinës nuk e kuptuen se kjo kish me çue në vrasjen dhe plagosjen e njerzve, atëherë duhet me nxjerrë përfundim – edhe nga ata që kanë ngurrue me e marrë parasysh këte – se ata janë tepër të pazot. Atyne u duhet thanë, në fjalët e pavdekshme t'Oliver Kromvellit drejtue parlamentit: "Keni ndejtë tepër gjatë për aq mirë sa mund të keni ba kohët e fundit... Ikni, ju them; dhe na e mundësoni të kryejmë punë me ju. Pash hatrin e Zotit, ikni!"

KJO NGJARJE tregon prap kah nji nga anët ma serioze të situatës: ne jetojmë brenda nji flluske, në nji lloj getoje mendore, që na veçon dhe na parandalon nga të shikuemit e nji realiteti tjetër, atij të ndjesuem nga pjesa tjetër e botës. Nji psikiatër mund ta quejë këte si simptomp të nji problemi të randë mendor.
Propaganda e qeverisë dhe e ushtrisë na thotë nji rrëfim të thjeshtë: ushtarët tanë heroikë, të vendosun e të ndjeshëm, elita e elitës, zbarkuen mbi anije me qëllim "me folë" dhe u sulmuen nga nji turmë e egër dhe e dhunshme. Zadhanësit zyrtarë e përsëritën prap e prap fjalën "linçim".

Në ditën e parë, pothuejse krejt media izraelite e pranoi këte. Në fund të fundit, asht e qartë se ne, çifutët, jemi viktimat. Gjithmonë. Kjo zbatohet edhe mbi ushtarët hebrej. E vërtetë, ne bastisim nji anije të huej në det, por kthehemi menjiherë në viktimat që nuk kanë zgjidhje përveç se me mbrojtë veten kundër antisemitëve të dhunshëm e t'egërsuem.

Asht e pamundun mos me u kujtue për barcaletën klasike hebreje për nanën çifute në Rusi tue u nda me të birin që e kanë thirrë me i shërbye Carit në luftën kundër Turqisë.

"Mos u stërmundo", i përgjërohet ajo, "Vraj nji turk dhe pusho. Vraj nji turk tjetër dhe mandej pusho prap".
"Oj nanë", e ndërpret biri, "Po me më vra turku mue?"
"Ty?", vikat nana, "Po pse? Çka i ke ba ti atij?"

Për çdo njeri normal kjo mund të duket çmenduni. Ushtarë t'armatosun randë të nji njisie elitë komando hypin në nji anije në det të hapun në mes të natës, prej detit e prej ajrit – dhe ata janë vktimat?

Por ka nji grimcë të vërtetë këtu: ata janë viktimat e komandantëve arrogantë e të pazot, politikanëve të papërgjegjshëm dhe medias t'ushqyeme prej tyne. Dhe, n't'vërtetë, të publikut izraelit, ngaqë shumica e njerëzve kanë votue për këte qeveri ose për opozitën e cila nuk ndryshon prej saj.

Çështja "Eksod" u përsërit por me nji ndryshim rolesh. Tashti ne jemi britanikët.

Diku, nji  Leon Uris po planifikon me shkrue librin tjetër të tij "Eksod 2010". Nji Oto Preminger i ri po planifikon nji film që ka me u ba i famshëm. Nji Pol Njuman i ri ka me luejtë në te – në fund të fundit nuk po mungojnë aktorët e talentuem turq.

MA SE 200 vjet ma parë, Tomas Xhefersoni deklaroi se çdo komb duhet me veprue me nji  "respekt të njerzishëm ndaj mendimeve të njerzimit". Drejtuesit izraelitë nuk e kanë pranue kurrë mençuninë e kësaj maksime. Ata ndjekin diktumin e David Ben-Gurionit: "S'asht e randësishme çka thonë xhentilët, asht e randësishme çka bajnë çifutët". Ndoshta ai nuk mendonte se çifutët nuk mund të silleshin si idiotë.

Me i ba armiq turqit asht ma se idiotike. Për dekada Turqia ka qenë aleati jonë ma i ngushtë në rajon, ma i ngushtë nga ç'dihet. Turqia mundet me luejtë, në t'ardhmen, nji rol të randësishëm si mediator mes Izraelit dhe botës arabo-myslimane, mes Izraelit e Sirisë dhe, po, edhe mes Izraelit e Iranit. Ndoshta tashti ne ia kemi dalë me e bashkue popullin turk kundër nesh – dhe disa njerz thonë se asht çështja e vetme në të cilën turqit janë të bashkuem sot për sot.
Ky asht kapitulli 2 i "Cast Lead". Atëherë ne ngritëm shumicën e vendeve në botë kundër nesh, tronditëm miqtë tanë dhe i gëzuem armiqtë. Tashti e kemi ba prap, ndoshta me sukses edhe ma të madh. Opinioni publik botnor po kthehet kundër nesh.

Ky asht nji proces i ngadaltë. I ngjan grumbullimit t'ujit mbrapa nji dige. Uji çohet ngadalë, qetë, dhe ndryshimi pothuejse s'vehet re. Por kur arrin nji nivel kritik, diga shpërthen dhe katastrofa na bjen mbi krye. Ne po i afrohemi kadakadalë asaj pike.

"Vraj nji turk e pusho", thotë nana në barcaletë. Qeveria jonë as nuk pushon bile. Duket se ata nuk kanë me u ndalë derisa t'i kthejnë n'armiq miqtë tanë të fundit. burimi

(Pjesë të këtij artikulli u botuen në Ma'ariv, gazeta e dytë n'Izrael)

Random Content

Add comment


Security code
Refresh


JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval