lajme - shkurt
shkodranews, gusht 2008 - Ardian Muhaj fiton çmimin e Akademisë Portugeze të Historisë.
Me 2 korrik 2008, Akademia Portugeze e Historisë, nji akademi e mirnjohun në mesin e akademive simotra europiane, trashëgimtare e Akademisë Mbretnore të Portugalisë themelue në shekullin XVIII, i ka dhanë historianit Ardian Muhaj çmimin për degën e historisë së mesjetës për vitin 2008. Ardian Muhaj e ka krye diplomimin universitar në Universitetin e Shkodrës, dhe punimi që asht vlerësue me këte çmim asht teza e masterit të cilën e ka mbrojtë n'Universitetin e Lisbonës në vitin 2007 dhe asht fryt i nji pune 4 vjeçare t'autorit. Ardian Muhaj ka shtjellue nji tezë të re lidhun me shkaqet e zanafillave t'ekspansionit evropian dhe të zbulimeve të mëdha gjeografike. Edhe pse kjo temë asht nji nga më të rrahunat në historiografinë portugeze dhe evropiane dhe ka dy shekuj që asht objekt i punimive nga autorë të shumtë evropianë, duket se historiani shkodran ka mundë me sintetizue dhe me përditësue gjithë at' prodhim historiografik dhe gjithë at' dokumentacion, tue dhanë edhe ai hipotezën e vet, çka edhe asht vlerësue nga juria e përbame nga akademikët të njohun portugezë.
| Random Content | |