Renditja e përdoruesit: / 2
DobëtMirë 

lajme - shkurt

Kastriot Myftaraj

Gjyqi intelektual i Kadaresë, “Buzuku”, Prishtinë, 2008, f. 536

me e ble në Kosovë: NB Buzuku, telefon  +377 44 238 738,email: buzuku [te] hotmail [pik] com

me e ble në Tiranë: Libraria te Sahati (te Eva)

 

Tashma asht në qarkullim nji libër jo i çdoditshëm me polemika i analistit të pakompromis Kastriot Myftaraj, i njohun ma shum për editorialet dhe analizat në të përditshmen tiranase “Sot”, i cili, në nji vëllim mbi 500 faqesh, ka në vemendje veprën e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. N't'vërtetë, libri synon t'inicojë disnivele dhe disharmoni në disa nga veprat monumentale, njohë si nga lexuesi shqiptar, ashtu edhe ai i huej, në mbi 40 gjuhë botnore. Por, e veçanta e librit, Myftaraj asht i prirun të hetojë dhe analizojë rolin dhe randësinë e disa prej veprave, të marra në shqyrtim, dhe ato nuk janë pak, për nji kohë jo edhe aq të lavdishme për zhvillimet letrare shqiptare nën diktaturë, sikundër edhe me vetë personalitetin e Kadaresë në tranzicion, duke ‘pamundësuear’ nji klimë letrare e intelektuale falë “despotizmit intelektual” të Kadaresë, siç do të shprehet në shum raste autori.
Vetë Myftaraj do të nënvizojë:
“Ky libër, para se të jetë një kritikë, është një dëshmi. Një dëshmi për atë se si e ka përjetuar një njeri despotizmin intelektual të Ismail Kadaresë, në të dy kohët. Se despotizmi intelektual i Kadaresë vazhdon edhe pas vitit 1990. Tashmë ka përpjekje që vepra e Kadaresë, e shkruar në diktaturë, të lexohet në sens intertekstual, sikur atje ka kumte të koduara, kundër regjimit komunist, deri edhe disidente. Pas vitit 1990, prej 18 vjetësh, Kadare, më tepër se të shkruajë letërsi, ka shkruar apologji për atë që ka shkruar në diktaturë dhe traktate të vërteta ku përpiqet të provojë se «industria», që përfaqësonte ai dhe vepra e tij në kohën e diktaturës, «Kombinati metalurgjik» dhe «Kombinati i autotraktorëve», nuk kanë prodhuar «ndryshk» dhe «kazma», por gjëra shumë të vlefshme. Të njëjtën gjë bëjnë dhe ithtarët e Kadaresë. Por gjëja më ironike dhe domethënëse është se Kadare tregoi se pas vitit 1990 nuk arriti të ndërtojë dot «industrinë» e vlefshme letrare të tij. E megjithatë despotizmi intelektual i Ismail Kadare vazhdon të gjenerohet.”
Botuesi prishtinas i “Buzukut”, shtëpi kjo e cila ka botuear që nga viti 1990 autorë të anatemuem, por edhe disidentë shqiptarë dhe të huej, vazhdon me nji sens tepër të theksuemar, po ashtu prej polemisti, me ngritë çashtje e probleme ende të ‘pazgjidhuna’ të nji mentaliteti letrar ende të pareformuemar.
Abdullah Zeneli do të sugjerojë tek lexuesi që në shpinë të librit “Gjyqi intelektual i Kadaresë”:
“Është ky një libër që e kisha dëshiruar ç’prej kohësh, me të cilin do e ndihmoja Kadarenë të përjetojë katarzën morale e shpirtërore. Të heqë dorë nga despotizmi i tij politiko-letrar që ka ngulfatur zhvillimet letrare shqiptare. T’ju shtrijë dorën e pajtimit ‘armiqve’ të diktaturës e socrealizmit: Prenushi, Harapi, Trebeshina, Xhaferri, Pipa, Camaj... deri tek Blloshmi, Leka, Nela... «Gjyqi intelektual i Kadaresë», i shkruar me një gjuhë dhe stil admirues nga Kastriot Myftaraj, është një ekzemplar sui generis që i duhet lexuesit objektiv, shqiptar dhe të huaj, por edhe kritikës, e cila, në mos sot, një ditë do të flasë me gjuhën e së vërtetës.”
I rikujtojmë lexuesit se ky botues, qysh më 1991 pati botue nji libër 500-faqesh po për fenomenin Kadare, shikue nga nji prizëm shum pozitivist për zhvillimet (ndërrimet) politiko-letrare atëbotë që premtonin, përgatitë nga poeti e publicisti Shaip Beqiri me titull “Sfida e gjeniut” dhe me nëntitull shum domethanës “Kadare, Ekzili, Kosova”.
Libri i sapodalë nga shtypi, “Gjyqi intelektual i Kadaresë”, pa dyshim se ka me zgjue kërshërinë e lexuesit, jo vetëm shqiptar, për mënyrën e trajtimit të nji problematike e cila detabuizon në thelb kështjellën e paprekshme lidhun me shkrimtarin Kadare.
Nëse nuk e ka ndihmue Kadarenë “Sfida e gjeniut: Kadare, Ekzili, Kosova” të laurohet me çmimin Nobel për letërsi, botuesi shprehet si me ironi: “Mbase libri i Myftarajt do të ngre nji tymnajë të favorshme për Kadarenë.”
Disa fjalë për autorin: Kastriot Myftaraj (lindë në Korçë më 1966) asht analist i pakompromis. U diplomue në Fakultetin Juridik t'Universitetit të Tiranës (1994), ndërsa si analist i lirë ka botuear shkrime në shum gazeta dhe revista në Tiranë, Prishtinë dhe diasporë. Myftaraj asht autor i tre librave: «Një Shejtnore për Reconqustën Shqiptare» (1998), «Nacional-islamizmi shqiptar: profil dhe polemikë» (2001) dhe «Kalvari i gjysmëhënës» (2003).

Random Content

JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval