lajme - shkurt
Të mërkurën, dt. 12 maj, ora 10:00, në Bibliotekën Shkencore t'Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, ka me u zhvillue takimi për pesë veprat e poetit Lisandri Kola: 1. Melodia e harpës, 2. Rabini i pasy, 3. Ungjilli (si)mbas Gjonit, 4. Dorëshkrimi i humbun i Shën Mateut, 5. As gëzuar nuk të thashë.
Librat e poetit Lisandri Kola
Krijime nga Lisandri Kola
Lutjet e Moisiut
Erdhi ora për mos me shkrue ma.
Për me i lanë fletët e shpërndame si mos ma keq, në odën e mbulueme nga bretkosat e grethat.
Për me i lanë mbi peshtafin e pajës së Seforës, ku karkalecat hidhen pa pu-shim.
Erdhi ora për mos me e shtri ma shkopin tim, që shndërrohet në bollë sa hap e mbyll sytë.
E mbuloftë gjaku lumin me gjithë bishtin e tij dhe mandej u fryftë e daltë nga çarçafët e shtratit, me grushtet e mbushuna prej piskamave të njelmëta.
U baftë errësinë në mes të ditës dhe gjaja e gjallë coftë nëpër vathë.
Raftë breshën mbi të mbjellat derisa misri të bahet i paqenë.
Sëmundjet e mbulofshin trupin tonë dhe fëmijët thefshin qafën ndër shkambinjtë e ngritun buzë kaçubës, ku digjej dikur.
Zoti na drejtoftë për nga deti, që hapet si nji libër i moçëm tue na shtie krypën e vet ndër veshë e hundë, derisa të japim shpirt në sytë e peshqve.
Erdhi ora për mos me shkrue ma.
Për me i lanë fletët e shpërndame si mos ma keq, në odën e mbulueme nga bretkosat e grethat.
Psalmi 2
Unë nuk të pashë të kryqëzuem o Jezus, sepse atë ditë flija thellë, mbasi gjithë natën shkrova ungjillin tim.
Ungjillin tim të paemën, që mbas do kohësh iu gjet.
Shkrova për dritën që erdhi dhe u kthye mbrapsht nga ne, për ujin e shndërruem në venë e për qengjin tand, të përgjumun bri nji ullini.
Unë nuk t’i pashë baskitë e nguluna në mish e as Golgotën, kur u pushtue nga nji shi i dendun prej gishtave të Zotit, sepse asokohe shihja andrra.
Shihja nji prift tek rendte në farmaci për me ble mjete mbrojtëse dhe, nana me gjinj shtatzanie, që s’kanë dëshirë me u dhanë tambël fëmijëve, por pëlqejnë me ecë rrugës me buzë të ngjyeme.
Shpesh më duket se nuk ekzistoj, se jam veç nji kujtim për të shtëpisë, se jam veç shkaku i arsyeve të tim et për me ba fjalë, se jam veç nji kujtim ndër dishepujt e tjerë.
Emni Gjon, përveç kaçurrelave të verdhë, asgja tjetër s’u kujton.
Nuk u bie ma nëpër mend, teksa shkoja zbathë malit me pergamenë nën sqetull dhe, kur lypja bojë hua, sepse nuk kisha as lek për me e ble, ndërsa atyne u vinte prej Azisë së vogël, me gjithë sandale të reja.
Këtij psalmi, që s’po ia di as kryet e as kambët mos ia ven veshin, po ashtu as mos e merr parasysh faktin se kemi ngranë bashkë në nji sofër, por thjesht hiqua dergjën hardhive të mia.
Xhaketa eme ka ngjyrën e trungut
të lisit vetmitar, në mal.
Martin Camaj
Vetëvarja e Bunës
*
Në atë mot kur nji erë
nisi me fry si shtatëqind
dreqen nji zani
e zogjtë me u shpuplue
për së gjalli
dhe kërriçi
mori trajtë të dijshmi
kokërdhokët ia shterri
rrëshaja
*
Buzët e avituna
në gjoksin e së amës
thithën
tambël të njelmët
Dhambët u shkulën
prej duerve
të rrefkëta
që ndrydhnin danat e vrugëta
*
Sorrat crogën fanellën e ia veshën
shpendëve këndues
këto kapën akrepa të murrmë
e ia lëshuen trupit
Circ - cirqet e tyne
qenë helm për veshë
Tek përpëlitej
i futnin kokrra krype
mishit të çamë
me kmesë
*
Kalaja
fytyrë
grueje
zu ta gjuejë në gurët
e
eshtnave të saj
Shtratin e ngurtë
i rrëzoi sipri
me gjithë ndërresat e balta
dielli
me vranësinën
lidhë
mbas veti
volli zorrë cofëtinash
të blueme
me dhëmballë kau
*
Buna e kulaçun
zgjati
qafën
stolisun mirë
te rrypi
i mesit
ku shkelnin kambë e rrota
për me pa pëllambën tjetër
të dheut
e
u
shue
sikur gacat e mbrame të flisë
futun në hell
Dita e parë
Deri në palcë thithem e përthithem,
i lodhun e i vdekun orësh
sikur nji zhelan
që kërkon me ngjye tulin e bukës
nëpër do gjinj të tambëlt të meçkave,
zhye e zhigatë trotuareve
a parmakëve të dalun boje
dhe me vithet thatake,
hipun në do taka nji shplakë të gjatë
zhveshin dhambët e tëmballët
ku gërryesia ka shkue deri aty
sa me i mbyllë me ashkla drunit,
me i mbyllë e me i mshelë me cifla,
me cifla e me ashkla kryqesh,
të nji britmëqari të rreshkun etit.
Thithem e përthithem
sikur nji zdraluk,
i çartun zbokthit
e i dërrmuem parzme
prej pleshtave e rriqnave
që barcohen në sytë e mi,
(nëpër asfalt e baltë)
pa pasë kurrfarë derti
për të bardhin tim të kokërdhokëve
apo mahiten rrotull mjekrës sime
— e ardhun në të kuqe —
si të mos ishin fijet e mishit tim.
Më hedhin anash nji lumi,
i cili nuk ngjan hiç si i tillë,
por ma shumë duket
si nji bërrakë a shé e nji krahine
të largët të folklorit tonë,
ku kulshedrat fshinin qurrat
nëpër çati shtëpiash
e kruenin veshët me pemë lisi,
dhe për me nxjerr flakë prej goje
kapërdinin do thëngjill
tue e ndezë me nji pishë,
të marrun nga qilari ose trapazani
tek shihnin nuset tue zanë kosin
dhe me këtë rast
i përkëdhelnin gushat;
i përkëdhelnin gushat e i dëftonin
se a kishin djalë a vajzë,
dhe nëse ishte djalë
duhej me derdhë
nji bucelë ujë në fund të kronit,
dhe nëse ishte vajzë
duhej me mbushë
nji bucelë ujë në krue.
I lanun ndaj nji shtegu
e i pamë me përbuzje
për theksin tim gegë,
e për fratin vetullvramë
që shtrëngoj gjinit,
e për sandalet e kamoshta
të kambëve të mia,
e për unazat e shumta futun gishtave
gjithsesi pështyej bërthokla kajsish
dhe s’ma ndien
për do kruese dhambësh
të mbështjella
në degërmi kërrutash
e as për pecetat
e zgërlaquna të nji banketi,
— mëkat me i thanë —
ku ma i miri din
sa nji magjar, jo nji magjar,
por nji magjar turinjvar,
turinjvar e veshpërpjetë,
veshpërpjetë e kambëlehtë,
kambëlehtë e Zot na ruej
që për të pallun s’ia lëshon kuej.
Deri në tamtha
më zhyejnë e zhgërryejnë,
më zhyejnë e zhgërryejnë
e më përlyejnë.
Bash deri në fyt më ndyjnë
me turlisoj fëlligështish
sikur të isha ma i zezuemi njeri.
E tek më përçudnojnë asodore
trupi im s’ka pikë force me reague,
por duket si nji pemë e shkulun rranjësh
që ndehet përdhe
me qepalla të plogëta
e të randueme
thue se janë pendlat e nji trumcaku
që e ka zanë shiu
dhe gusha e tij
asht kaq e qullët saqë
nuk ka ku rrin pika e ujit.
Asht koha kur nuk flas ma
për kangët e jeheve,
sepse tash e parë
i mjekoj veshët me barna farmacie
dhe madje edhe leximet i kam lanë
mënjanë,
prejse tanë më shihnin
me sy të keq.
Dhe meqë librat e mi
i kam përdorë
për me ndezë zjermin
i fryj nji fyelli kallami.
| Random Content | |